Pages

Thursday, November 7, 2013

Jo shqiptar JO!!!

Është e frikshme në shumë, tejmase shumë nivele qenësia jonë si popull.

Shoh kaq pak njerëz të angazhuar, në fakt duhet të thoja të tmerruar ose të paktën të vendosur por jo, janë thjesht si gjithmonë indiferentë me fatin e jetëve të tyre. Si gjithmonë...! Kam përshtypjen se kështu kemi qenë që në krye të herës. S’duhet të kemi patur asht të fortë për derisa kanë bërë me ne për më shumë se 500 e kusur vjet ç’të deshin të huaj e tanët duke na vrarë e prerë dhe ne, gjithnjë me një përulje të frikshme ndaj çdo kanosjeje. Me një kompleks inferioriteti e me tendenca të forta mazokiste, të rrënjosur në thelbin tonë, mund ta shohësh sesi guxojnë dhe e justifikojnë një nga katastrofat më të mëdha që mund t’i ndodhë vendit tonë prej duarve tona. Shoh se si ka më shumë reagim për 10 pemë tek Namazgjaja sesa për armët kimike. Shoh sesi ka më shumë reagim për martesat gay sesa për armët kimike. Epo të dashur bashkëkombas hipokritë as do martoheni e as do keni oksigjen shumë, shumë shpejt!

Ku janë trima shqiptarët? Në shtëpi? Me gratë dhe fëmijët?
Ku e duan Shqipnin shqiptarët në stadiume duke sharë euforikisht nga nëna e motra?
Jo shqiptar, jo!
Ta dush Shqipnin do të thotë një herë të vetme të jemi të gjithë bashkë për diçka që s’ka lidhje me parti e legena pushtetarë, që s’ka lidhje me sa klasë shkollë ke apo ku e ke lagjjen. Që s’ka lidhje sa vjet ke ti n’Tiron e kur ke ardh ti tjetri.

Ka lidhje vetëm, eksluzivisht vetëm me një gjë dhe ajo është JETA!

Si ka mundësi që s’e kuptojnë së pari, hipokrizinë e tmerrshme që po ndodh para syve tanë! Vendimi i parë që mori Këshilli i Ministrave në shtator 2013 ishte pikërisht ndalimi i importimit të mbetjeve të riciklueshme në Shqipni, se medemek e dun fort! Dhe tani çfarë? Për një haraç disa milionë euro dhe për hir të egocentrizmit frenetik të kryemisnitrit a të gjithë soj e sorollopit të tij, për të qenë dhe këta njëherë “vendimmarrës” në planet, t’na bëjnë ne gjëmën?!

Si mundeni njerëz të flini të qetë, të hani të pini, të bëni dashuri të rrisni ato kalamoj e të pretendoni të keni jetë “normale” kur shumë shpejt, fare pranë Tiranës do ketë armë kimike të cilat s’po i pranojnë Sh.B.A-ja, Rusia, Franca, Gjermania, Norvegjia e kush dreqi e di sa të tjera dhe i marrim NE? Pikërisht ne që s’lidhim dot brekët tona? Ne që krahasimisht me milionat e km2 që ka Rusia, ai 28 mijshi jonë është krejt qesharak?
Nuk ju dhimbset jeta juaj? Nuk ju dhimbsen fëmijët? Nuk ju dhimbset Shqipnia që e krijoi Zoti e po ia marrim shpirtin ne?


NESËR ora 13:00 PËRBALLË KRYEMINISTRISË PËR T'I THËNË JO ARMËVE KIMIKE NË SHQIPNI! 





Milli B.


Këtë do mbajmë shumë shpejt në Shqipni

Saturday, November 2, 2013

Ka një numër që do t'na bëjë të themi BOLL MË?!




U bënë ditë që kam patur ndërmend të ulem të shkruaj diçka për këtë çështje por sot, sapo pashë lajmin që një tjetër hero mbi dy rrota humbi jetën në bulevardin kryesor të kryeqytetit tonë ndjeva një trishtim të pamatë ... Sapo pashë foto nga pedalimin për nder të viktimës së rradhës mu në mes të Tiranës, përballë ish-Hotel Dajtit, të organizuar nga Eco Bycycle Shop.

Një javë më parë im vëlla u aksidentua në njërën prej rrugëve më të populluara të Tiranës por fatmirësisht doli prej aksidentit vetëm me disa fraktura. Çdo ditë nëse sheh lajmet dikush, diku në rrugët e vendit tonë aksidentohet. Këmbësor, motorrist a përdorues biçikletash ç'rëndësi ka. Dje ai, sot unë, nesër ju ... Çdo ditë, duke pedaluar dhe vetë prej gati 4 vjetësh (që prej fëmijërisë por atëherë ishte ndryshe, se helebete 10 makina kishte gjithsej) shoh se si çdo sekond që jam në rrugë jam e rrezikuar. Sa shpejt harruan shqiptarët kohën kur biçikleta ishte mjet, qejf, shoqëri, aktivitet fizik. Sa shpejt harruan se ishim aq të varfër (dhe shumica ende janë) sa më s'bëhej. Sa shpejt harruan respektin, për këta katër rrotakë miliona lekësh. Sa shpejt harrojnë se edhe prindërit e tyre, edhe të afërmit e ndoshta dhe fëmijët e tyre kalojnë në këto rrugë dhe mund të aksidentohen nga një tjetër shofer idiot! 

Oh, dhe ditët më të këqia, ato më skizofrenet janë ditët me shi! A mundet t'i thotë dikush shoferëve shqiptarë që po të jesh brenda në makinë me bythën butë në sedilje nga shiu, nuk lagesh, ndaj respekto ata që po presin semaforin e jo t'u hedhësh një grusht uj kanalesh me gomat e tua, ndaj respekto ata që pedalojnë e janë lagur deri në asht! Ti, i/e dashur shqiptar/e mos harro, nuk ke lindur me makinë në bythë! Prit, ndal, merr frymë e respekto se të gjithë në një vend do shkojmë e ca, kanë qëlluar t'mos e kenë me të "shpejtë" si ju.

Dhe m'u kujtua diçka tjetër! Për mendimin tim, me aq sa jam rrugëve në trafik, dhjetra e dhjetra situata, shoferEt janë specia më e rrezikshme! Po, po! Femër jam vetë dhe këtë e them pa doreza fare. I lëmë mënjanë pallavra seksi i dobët, barazia gjinore e leshit! Femrat në timon janë të rrezikshme dhe PIKË! Ose frikacake të mëdha me 20cm taka (që është totalisht e palejueshme mesa di, . E dashur! nqs je 1.50m, lëre më mirë X5 bëji nder dhjetra jetëve!). I shoh që kanë karakteristika mashkullore në ekstrem. I sheh të kamufluara pas syzeve, me celularë në dorë ndërkohë që ngasin, me thonjë më të gjata se ato vetë dhe mbi të gjitha duke ofenduar me një fjalor të denjë për shoferat e kamionëve! Kjo s'është aspak femërore, kjo s'ju bën aspak nder. Dhe për më tepër, arrogante, pordhace dhe frikacake siç janë nuk respektojnë, nuk hapin rrugë madje në atë budallallëkun e tyre të prishin punë.
Shoh çdo ditë njerëz të frustruar në makina, shoh njerëz me ankth, mërzi e mllef. Shajnë, turfullojnë, shtypin burinë mesa fuqi kanë, shahen reciprokisht e shtypin gazin me sa forcë të munden. Ç'lloj shoqërie është kjo e sotmja? Ku vallë mësuan shqiptarët të ngasin makinat kaq keq? Si nuk i vret ndërgjegjja për këtë? 
Dakord, kjo ndoshta nuk është puna e gjithësecilit prej nesh por e keqfunksionimit ose e mosfunksionimit të shtetit. Por ajo që na takon të gjithëve është siguria e jetës sonë. Dhe është gjëja e fundit që mund të kesh të sigurtë në rrugët e Shqipnis.

Ndoshta ajo që s'e dinë por që duhet t'i hapin sytë e t'i bëjnë katër është fakti se: dy anët e bulevardit "Dëshmorët e Kombit", nga sheshi "Nënë Tereza" deri tek Stacioni i Trenit është e sinjalizuar si vendkalim biçikletash. Për mendimin tim është sa absurd aq edhe shumë i rrezikshëm. Vendkalimi i biçikletave është gjith e gjithë 1 metër dhe qëndron fiks pas vendparkimit të makinave. Pra, ne jemi së pari të rrezikuar nga makinat që na vijnë respektivisht nga e majta ose e djathta jonë, jemi të rrezikuar nga ata që parkojnë apo duan të dalin nga parkimi, nga ata që dalin nga makina pa parë në pasqyrë më parë dhe sigurisht, si munden vallë të mungojnë parkimet dyshe?! E pra ai, është vendi më skandaloz për pedalim!
Një tjetër zgjidhje "gjeniale" fare është dhënë prej kohës së Ramës si bashkiak i Tiranës. Mund të ndajmë atë 1 metër trotuar me këmbësorët, koshat e plehrave, stolat dhe pemët përgjatë dy anëve të Lanës. Jam kurioze kujt i ka ardhur ndër mend kjo ide dhe mbi të gjitha a e ka provuar ta bëjë vetë këtë shfaqje cirku? Çdo ditë? Duket aq tmerrësisht tallëse!!!
Më pas një tjetër mundësi për ne është pedalimi në anën e djathtë të çdo rruge, sigurisht në drejtim me trafikun por ama duhet ta provosh që të besosh se hyn në një nga sportet ekstreme.

Dhe, duke qenë se jemi vendi i paradokseve dua të ndaj dhe diçka tjetër që shumë prej jush e dinë por mua ende më duket absurde të paktën mos gjetja e një zgjidhjeje për këtë. Prej gati 2 vitesh ka një dhe VETËM një ligj të qarkullimit rrugor që ÇUDITËRISHT po respektohet ende sot. Dhe ai është ndalimi i qarkullimit të biçikletave në parkun e vetëm kombëtar që ka qyteti i Tiranës, atë të Liqenit Artificial. Me vetëdije e them se pati një kohë të shkurtër ku disa të rinj e të reja të papërgjegjshme, nën euforinë e biçikletave me qira u  kthyen një lloj bezdie e në mos rreziku në rruginat e parkut duke pedaluar shkujdesur por kjo. Kjo është si të thuash të "digjet i njomi me të thatin".
Dua të them vendos gjoba, vendos rregull, vendos një orar (!) sepse ne që pedalojmë kemi po aq të drejta sa këmbësorët dhe ndoshta shumë më shumë sesa shoferët të dalim shëtitje me biçikletat tona e të shijojmë të VETMEN hapësirë të gjelbër, të vetmin park që ka Tirana.
Zgjidhje ende nuk ka. Thuuuuhet se do bëhen disa rrugëkalime të reja vetëm për biçikletat por javët bëhen muaj e sigurisht kjo është gjëja e fundit që u intereson shtetarëve tanë.
S'e di si do zgjidhet, ose më sakët në do zgjidhet ndonjëherë qarkullimi rrugor dhe respektimi i tij në Shqipni. Ndoshta asnjëherë. Ne jemi gjithmonë me parimin kalova lumin të dhjefsha kalin. Të ndodh ty po unë kris e iki që mos shkoj në burg për ty! Ja, kjo është Shqipnia... 

Milli Bloom

Friday, November 1, 2013

Ata që i thanë jo Alice Munro-s

Alice Munro, who was awarded the 2013 Nobel prize for being a "master of the contemporary short story," was originally rejected for choosing short fiction for her art. (Paul Hawthorne / Associated Press /May 26, 2009)



Shkrimtarja kanadeze Alice Munro nuk ishte e re dhe tërheqëse mjaftueshëm. Të paktën jo në sytë e botuesve të Alfred A. Knopf të cilët refuzuan ënveprën e saj 1960- dhe në '70-tat.
“Nuk ka dyshim se zonja di të shkruajë por është po ashtu e qartë se ajo shkruan kryesisht tregime” shkruante më 1971, botuesja e Knopf, Judith Jones.
Në fillim të këtij muaji (tetor), Munro-ja fitoi çimimin Nobel në Letërsi.
Këtë javë, Qendra Harry Ransom, një arkiv dhe bibliotekë në Universitetin e Austin-it, Teksas, i tregoi letrat e refuzimeve të Munro-s, një reporteri të Daily Texan.
Qendra Ransom posedon një numër të madh letrash refuzimi si pjesë e Arkivit Alfred A. Knopf, duke përfshirë një letrën e refuzimit të librit të parë me tregime të Munro-s dhe  një mbi ciklin e saj me tregime të shkurtra “Jetë grash dhe vajzash”, një libër që vazhdimisht gabimisht i referohen si roman.
“Unë mendoj [se koleksioni] rrëfen se çfarë vështirësish ka patur ajo në zhanrin në të cilin shkruan,” tha Jean Cannon, koleksionist letrar, studiues që Qendrën Ransom, për Daily Texan. “Për mua është e jashtëzakonshme që ajo i qëndroi të sajës dhe nuk iu dorëzua presionit për të shkruar një roman.”
Munro, 82 vjeç, shkruan më shpesh për jetët e grave dhe familjeve në qytete të trilluara kanadeze që shëmbëllejnë me Ontarion rurale në të cilën ajo u rrit. Profesori Brian Doherty shqyrtoi letrat dhe i tha Daily Texan se ishte e qartë që botuesit e Knopf-it e pëlqenin veprën e Munro-s por nuk u dukej fitimprurëse.
“Është dëshpëruese kur sheh se sa shumë shkrimtarë marrin në konsideratë të ndryshojnë qasjen e tyre ndaj të shkruarit dhe qasjen e tyre ndaj letërsisë në mënyrë që të shiten,”  tha Doherty.
Sigurisht, Munro nuk është e vetmja fituese Nobeli që është refuzuar herët në karrierën e saj. Muajin e shkuar janë botuar fragmente nga letrat e refuzimit të tri fituesve të çmimit Nobel - William Faulkner, Ernest Hemingway dhe Isaac Bashevis Singer – në katalogun online Thought Catalog me titullin e artikullit “14 Letrat e Refuzimeve të Artistëve të Njohur”.
Ka të tjera refuzime nga Knopf, duke përfshirë një drejtuar Vladimir Nabokovit dhe një tjetër ndja Jack Kerouac-ut. Duke refuzuar “Në Rrugë” të Kerouac-ut, botuesi i Knopf-it, shkruan: “Ky është një talent i udhëzuar keq ... ky roman me zvarritje të madhe dhe jobindës me siguri do të shitet fare pak dhe dhe do të ketë komente të hidhura nga çdo anë.”

“Në Rrugë” u shit më shumë se 4 milionë kopje në Sh.B.A. që prej botimit të tij më 1957.


Hector Tobar për Los Angeles Times
30 tetor 2013


Përktheu dhe rekomandoi: Milli Bloom

Tuesday, October 29, 2013

11 fjalë të papërkthyeshme nga kulturat e tjera


Marrëdhënia mes fjalëve dhe kuptimit të tyre është mjaft tërheqëse dhe gjuhëtarët kanë kaluar vite të panumërta duke u përpjekur ta shkodojnë atë, duke hequr gërmë pas gërme dhe duke u përpjekur të zbulojnë pse ka kaq shumë ndjenja dhe ide të cilat nuk mund t’i veshim me fjalë she se gjuhët tona nuk mund t’i identifikojnë.
Për idenë se fjalët nuk mund gjithmonë të thonë gjithçka është shkruar gjerësisht, siç ka thënë dhe Friedrich Nietzsche, "Fjalët s’janë veçse simbole për marrëdhëniet e gjërave me njëra-tjetrën dhe me ne; nuk prekin aspak të vërtetën absolute."
Një nga librat më interesantë të shkruar mbi temën është Through The Language Glass (Nëpërmjet xhamit të gjuhës) së Guy Deutscher-it, i cili përshkon një rrugë të gjatë duke shpjeguar dhe kuptuar këto boshllëqe, hapësira, të cilat nënkuptojnë fjalë të lëna pa u përkthyer dhe koncepte që nuk mund të shpjegohen plotësisht përmes kulturave.
Për ta sjellë dorësh disi, kemi 11 shembuj të mrekullueshëm papërkthyeshmërie, e paksa fjalësh bishtnuese.


1 | Gjermanisht: Waldeinsamkeit

Një ndjenjë vetmie, të qenurit vetëm në pyje dhe lidhja me natyrën. Madje Ralph Waldo Emerson ka shkruar një poezi për këtë.




2 | Italisht: Culaccino

Shenja që lë një gotë e ftohtë në tavolinë. Kujt ia merrte mendja që kondensimi do tingëllonte kaq poetik?



3 | Inuitët: Iktsuarpok

Ndjenja e parashikimit që të çon të dalësh jashtë të shohësh nëse dikush është duke ardhur dhe ndoshta, tregon gjithashtu një elemten padurimi.




4 | Japonisht: Komorebi

Kjo është fjala që japonezët kanë kur rrezet e diellit depërtojnë përmes pemëve, bashkëveprimi mes rrezeve dhe gjetheve.


5 | Rusisht: Pochemuchka

Dikush që bën shumë pyetje. Në të vërtetë, shumë pyetje. Të gjithë e njohim një të tillë.



6 | Spanjisht: Sobremesa

Spanjollët anojnë kah të qenit të shoqërueshëm dhe kjo fjalë përshkruan kohën pas një vakti kur bëni biseda mbi ushqimin me ata të cilët sapo keni konsumuar një vakt.


7 | Indonezisht: Jayus

Zhargon për dikë që nuk tregon bukur shaka dhe se është aq jo për të qeshur saqë s’mundet veçse të qeshni me të madhe.


8 | Hauajanase: Pana Poo

Kur e di se ke harruar ku i ke lënë çelësat dhe kruan kokën sepse disi të ndihmon të kujtohesh? Kjo është fjala për të.


9 | Frengjisht: Dépaysement

Ndjenja që vjen prej t’mos qenit në atdheun mëmë, të qenit një i huaj apo një emigrant, të qenit i zhvendosur prej origjinës suaj.


10 | Urdu: Goya

Urdu është gjuha kombëtare e Pakistanit por gjithashtu është gjuha zyrtare e 5 shteteve Indiane. Kjo fjalë e veçantë Urdu përçon një ëndërrim 'po sikur' që megjithatë përngjan si e vërtetë dhe përshkruan një  suspansë mosbesimi që mund të ndodhë, shpesh gjatë një rrëfimi të mirë.


11 | Suedisht: Mångata

Fjala për reflektimin vezëllues që krijon hëna mbi ujë. Fjala e papërkthyeshme mångata.


Rekomandoi dhe përktheu: Milli Bloom


Artikullin origjinal e gjeni këtu.

Monday, October 28, 2013

Kisha e shek.XV e shndërruar në librari

Kisha Broerenkerk në qytetin Hollandez, Zwolle, ka qenë pjesë e një manastiri Domenikan të themeluar më 1465. Manastiri u mbyll më 1580 dhe murgjit u dëbuan. Prej 1640-ës deri më 1982-in, kisha është përdorur për shërbesa Protestante. Pas një restaurimi në vitet 1983-1988 është përdorur për ngjarje kulturore. Kisha Broerenkerk që tashmë quhet Waanders In der Broeren, është shndërruar në librari prej firmës arkitekturore hollandeze BK Architecten. Libraria, e cila hapi dyert për publikun në korrik të 2013, përfshin një dyqan, një biznes kateringu dhe një hapësirë ekspozitash. Sfida më e madhe për arkitektët ishte të shtonin rreth 700 metra katrorë sipërfaqe për dyqanin dhe njëkohësisht të ruanin tiparet arkitekturore si lartësia, akset e gjata, harqet e larta,  vetratat e pamata, pikturat në tavan si dhe organon të cilat, përbënin vlerën historike të kësaj strukture.

“Qëllimi ynë ishte të mbanim gjallë ndjesinë e parë historike edhe pse me gjithë metrat shtesë së dyshemesë. Kështu që ne donim që të gjitha shtesat e bëra në kishë të ishin të matura karshi kishës, modeste.” 

Në vend të shtonin tri kate në kishë, këto dysheme u vendosën anash, mes shtyllave origjinale të saj. Kështu që, në të ardhmen, dyshemetë e ndërtuara mund të hiqen pa dëmtuar ndërtesën. Aksi qendror u mbajt i paprekur, në mënyrë që kushdo të ndjejë hapësirën e pamatë. Në njërën anë aksi është një vetratë e përkohshme krijuar prej artistit norvegjez Kjell Nupen, duke i shtuar një dorë ngjyrash të forta ndërkohë që në anën tjetër është një organo e rinovuar – të dyja ndihmojnë në ngacmimin e klientëve për të parë krejt gjatësinë e kishës Broerenkerk. Arkitektët përdorën një paletë me ngjyra neutrale e cila plotësonte nuancën e ngrohtë të kishës dhe gjithashtu ndihmoi për të theksuar librat dhe produktet. Dizenjo e moblijeve, sërish shumë e matur, e detajuar mir dhe pjesa më e madhe e bërë prej druri u frymëzua nga punët e arkitektit hollandez Dom Hans van der Laan, i cili gjithashtu ka qenë një prift dhe ka krijuar për manastire të ndryshme. Arkitektët e BK Architecten, thjesht u munduan të përkthenin mënyrën e tij të të krijuarit në krijimin që i përshtatej më mirë arritjes së objektivit.

Rekomandoi dhe përktheu: Milli B.













Saturday, October 26, 2013

Qeni leh, se nuk kafshon dot!

                                       

            
          Siç thotë dhe populli ynë trim dhe liridashës “Qeni që leh s’të ha!” i përshtatet më së miri një lloj hibridi që qarkullon rëndom në vendin tonë. S’po e përshkruaj si “një lloj mashkulli” sepse nuk jam fort e bindur në janë të tillë!
Janë ekzaktësisht një lloj hibridi mes një të tredhuri, një të frustruari seksualisht, një të papërmbushuri seksualisht dhe një buçeje së cilës ia hipin shumë e në fund s’merr vesh se cilin këlysh e ka me kë.
Janë një lloj hibridi mes fantazive të shfrenuara të pornove të Hollywood-it dhe traditës së Sekretarëve të Partisë a Hetuesve komunistë. Janë hibridë pikërisht për faktin se edhe kur kanë vetë pasardhëse femra, kur kanë lindur prej një të tille, kur janë të martuar me një të tillë nuk munden kurrësesi, sado të mundohen, sforcohen, përpiqen a përpëliten të kenë një marrëdhënie normale me një femër.
Janë pikërisht të tillë individë, që kur i hasim çdo ditë në rrugë, urbanë, qendra tregtare a restorante, vetëm apo të shoqëruar na bëjnë të vrenjtim direkt vetullat e të ndjehemi të cënuara, të parespektuara!
Janë pikërisht këta hibridë të frikshëm, gjysmë sharlatanë për t’iu qarë hallin e gjysmë perversë kërcënues të cilët po e çojnë tatëpjetë marrëdhënien mashkull-femër, marrëdhënien njeri me njeri. Janë pikërisht këta që priren të gënjejnë, të lajkatojnë, të mohojnë madje jo pak herë të shpikin e të shantazhojnë pikërisht për të përmbushur mangësitë e tyre dhe janë pikërisht këta të cilët po shumohen duke sjellë në botë të tjerë “qënie” si ta. Që bartin ADN-në e tyre dhe mbi të gjitha, me shumë mundësi dhe hipokrizinë e tyre.
Sepse fjala bie, ç’vlera ka në një familje ku morali është i fundëm apo aspak i rëndësishëm? Në një familje le të themi prej 4 apo më shumë anëtarësh ku s’e merr vesh i pari të dytin, ku fëmijët mësohen t’i drejtohen me fjalë ofenduese prindërve (dhe kjo disa prindër i mallëngjen fare), kur shohin prindër të papërkushtuar, të paplotësuar mbi të gjitha të padashuruar ... me njëri-tjetrin?! Me ç’vlera rriten këto krijesa? Si do e trajtojnë shoq-shoqin nesër?
Ku janë ata burra namuzi që dikur në tavolina flisnin për të ardhmen e Shqipnis? Ku janë ata burra që diskutojnë për idetë? Ku janë ata burra që diskutojnë se ç’do bëjnë për një të ardhme më të mirë?
Në të kundërt shoh kafene me burra plot, duhma alkooli e shtullunga tymi cigaresh dhe buzë që përpëliten mbi histori të paqena, mbi një femër që kalon atypari apo “njërën” që njohin. Mbi femrat e suksesshme, mbi femrat që s’i arrijnë kurrë, mbi femrat që me seriozitet punojnë me ta ose për ta, mbi femrat, e të tjerëve ... dhe kjo është gjëja më e rëndomtë, më e trishtë e botës.
Kjo ndodh kudo, në çdo moment, tani që lexoni këtë shkrim një buçeburrë është duke përgojuar nderin e një femre që do donte ta kishte por në të vërtetë s’e ka patur kurrë... E rëndom këta rastisin të jenë shefat, drejtorët, politikanët, deputetët, pedagogët a njerëzit tanë të nderuar të "artit" ...
Ky fenomen nxjerr në pah dy të meta të mëdha të mentalitetit mashkullor në Shqipni. I pari nxjerr në pah mungesën e kulturës dhe respektit për femrën e cila është trajtuar, trajtohet dhe do vazhdojë të trajtohet si pronë. 

I dyti nxjerr në pah mentalitetin “bëj si them unë por mos bëj si bëj unë” që me fjalë të tjera do të thotë: "unë mundem të përgojoj, të shpif e të shkoj me sa femra të mundem, të tradhëtoj etj.etj. POR amaaa kur vjen puna tek vajzat e mia, motra ime dhe gruaja ime ato “janë të shenjta”..."
Ç’mut mentaliteti është ky ëë? Ç’lloj gomari e thotë këtë? Jo, i dashur burrë modern shqiptar i 2013-ës. JO! Në qoftë se ju bëni vërtetë apo me imagjinatë gjëra me femrat e “botës” (po i quaj kështu) atëherë duhet ta keni të qartë se e njëjta gjë do i ndodhë grave, vajzave dhe motrave të tua, ekzaktësisht e njëjta gjë!
Ndaj, gjëja me e qytetëruar që mund të bëni për veten dhe për brezat që do pasojnë, madje dhe me vetë djemtë tuaj do ishte t’i mësonit respektin ndaj femrës. Se si duhet t’i drejtohen asaj, si duhet ta duan atë dhe mbi të gjitha sesi NUK duhet trajtuar ajo. Dhe kjo, besomëni është një nga hapat më të rëndësishëm të një shoqërie të qytetëruar.


Milli B.  




Tuesday, October 22, 2013

Shif e shkruaj edhe sot!

“Sot në Shqypni, nuk të pyetë kush shka je, po si dukesh, as nuk don të dijë kush sa pare të ban 

gjaku, po sa pare ke në Bankë. Nuk po lypet të jesh i dijshëm, as i aftë, mjaft të dijsh me u majtë 

dhe me u dukë i tillë. Ja, misioni i parë i një organi kulture shqiptare; me e vu në vendin e vet 

faktorin shpirtnuer”.



Patër Anton Harapi