Pages

Tuesday, October 29, 2013

11 fjalë të papërkthyeshme nga kulturat e tjera


Marrëdhënia mes fjalëve dhe kuptimit të tyre është mjaft tërheqëse dhe gjuhëtarët kanë kaluar vite të panumërta duke u përpjekur ta shkodojnë atë, duke hequr gërmë pas gërme dhe duke u përpjekur të zbulojnë pse ka kaq shumë ndjenja dhe ide të cilat nuk mund t’i veshim me fjalë she se gjuhët tona nuk mund t’i identifikojnë.
Për idenë se fjalët nuk mund gjithmonë të thonë gjithçka është shkruar gjerësisht, siç ka thënë dhe Friedrich Nietzsche, "Fjalët s’janë veçse simbole për marrëdhëniet e gjërave me njëra-tjetrën dhe me ne; nuk prekin aspak të vërtetën absolute."
Një nga librat më interesantë të shkruar mbi temën është Through The Language Glass (Nëpërmjet xhamit të gjuhës) së Guy Deutscher-it, i cili përshkon një rrugë të gjatë duke shpjeguar dhe kuptuar këto boshllëqe, hapësira, të cilat nënkuptojnë fjalë të lëna pa u përkthyer dhe koncepte që nuk mund të shpjegohen plotësisht përmes kulturave.
Për ta sjellë dorësh disi, kemi 11 shembuj të mrekullueshëm papërkthyeshmërie, e paksa fjalësh bishtnuese.


1 | Gjermanisht: Waldeinsamkeit

Një ndjenjë vetmie, të qenurit vetëm në pyje dhe lidhja me natyrën. Madje Ralph Waldo Emerson ka shkruar një poezi për këtë.




2 | Italisht: Culaccino

Shenja që lë një gotë e ftohtë në tavolinë. Kujt ia merrte mendja që kondensimi do tingëllonte kaq poetik?



3 | Inuitët: Iktsuarpok

Ndjenja e parashikimit që të çon të dalësh jashtë të shohësh nëse dikush është duke ardhur dhe ndoshta, tregon gjithashtu një elemten padurimi.




4 | Japonisht: Komorebi

Kjo është fjala që japonezët kanë kur rrezet e diellit depërtojnë përmes pemëve, bashkëveprimi mes rrezeve dhe gjetheve.


5 | Rusisht: Pochemuchka

Dikush që bën shumë pyetje. Në të vërtetë, shumë pyetje. Të gjithë e njohim një të tillë.



6 | Spanjisht: Sobremesa

Spanjollët anojnë kah të qenit të shoqërueshëm dhe kjo fjalë përshkruan kohën pas një vakti kur bëni biseda mbi ushqimin me ata të cilët sapo keni konsumuar një vakt.


7 | Indonezisht: Jayus

Zhargon për dikë që nuk tregon bukur shaka dhe se është aq jo për të qeshur saqë s’mundet veçse të qeshni me të madhe.


8 | Hauajanase: Pana Poo

Kur e di se ke harruar ku i ke lënë çelësat dhe kruan kokën sepse disi të ndihmon të kujtohesh? Kjo është fjala për të.


9 | Frengjisht: Dépaysement

Ndjenja që vjen prej t’mos qenit në atdheun mëmë, të qenit një i huaj apo një emigrant, të qenit i zhvendosur prej origjinës suaj.


10 | Urdu: Goya

Urdu është gjuha kombëtare e Pakistanit por gjithashtu është gjuha zyrtare e 5 shteteve Indiane. Kjo fjalë e veçantë Urdu përçon një ëndërrim 'po sikur' që megjithatë përngjan si e vërtetë dhe përshkruan një  suspansë mosbesimi që mund të ndodhë, shpesh gjatë një rrëfimi të mirë.


11 | Suedisht: Mångata

Fjala për reflektimin vezëllues që krijon hëna mbi ujë. Fjala e papërkthyeshme mångata.


Rekomandoi dhe përktheu: Milli Bloom


Artikullin origjinal e gjeni këtu.

Monday, October 28, 2013

Kisha e shek.XV e shndërruar në librari

Kisha Broerenkerk në qytetin Hollandez, Zwolle, ka qenë pjesë e një manastiri Domenikan të themeluar më 1465. Manastiri u mbyll më 1580 dhe murgjit u dëbuan. Prej 1640-ës deri më 1982-in, kisha është përdorur për shërbesa Protestante. Pas një restaurimi në vitet 1983-1988 është përdorur për ngjarje kulturore. Kisha Broerenkerk që tashmë quhet Waanders In der Broeren, është shndërruar në librari prej firmës arkitekturore hollandeze BK Architecten. Libraria, e cila hapi dyert për publikun në korrik të 2013, përfshin një dyqan, një biznes kateringu dhe një hapësirë ekspozitash. Sfida më e madhe për arkitektët ishte të shtonin rreth 700 metra katrorë sipërfaqe për dyqanin dhe njëkohësisht të ruanin tiparet arkitekturore si lartësia, akset e gjata, harqet e larta,  vetratat e pamata, pikturat në tavan si dhe organon të cilat, përbënin vlerën historike të kësaj strukture.

“Qëllimi ynë ishte të mbanim gjallë ndjesinë e parë historike edhe pse me gjithë metrat shtesë së dyshemesë. Kështu që ne donim që të gjitha shtesat e bëra në kishë të ishin të matura karshi kishës, modeste.” 

Në vend të shtonin tri kate në kishë, këto dysheme u vendosën anash, mes shtyllave origjinale të saj. Kështu që, në të ardhmen, dyshemetë e ndërtuara mund të hiqen pa dëmtuar ndërtesën. Aksi qendror u mbajt i paprekur, në mënyrë që kushdo të ndjejë hapësirën e pamatë. Në njërën anë aksi është një vetratë e përkohshme krijuar prej artistit norvegjez Kjell Nupen, duke i shtuar një dorë ngjyrash të forta ndërkohë që në anën tjetër është një organo e rinovuar – të dyja ndihmojnë në ngacmimin e klientëve për të parë krejt gjatësinë e kishës Broerenkerk. Arkitektët përdorën një paletë me ngjyra neutrale e cila plotësonte nuancën e ngrohtë të kishës dhe gjithashtu ndihmoi për të theksuar librat dhe produktet. Dizenjo e moblijeve, sërish shumë e matur, e detajuar mir dhe pjesa më e madhe e bërë prej druri u frymëzua nga punët e arkitektit hollandez Dom Hans van der Laan, i cili gjithashtu ka qenë një prift dhe ka krijuar për manastire të ndryshme. Arkitektët e BK Architecten, thjesht u munduan të përkthenin mënyrën e tij të të krijuarit në krijimin që i përshtatej më mirë arritjes së objektivit.

Rekomandoi dhe përktheu: Milli B.













Saturday, October 26, 2013

Qeni leh, se nuk kafshon dot!

                                       

            
          Siç thotë dhe populli ynë trim dhe liridashës “Qeni që leh s’të ha!” i përshtatet më së miri një lloj hibridi që qarkullon rëndom në vendin tonë. S’po e përshkruaj si “një lloj mashkulli” sepse nuk jam fort e bindur në janë të tillë!
Janë ekzaktësisht një lloj hibridi mes një të tredhuri, një të frustruari seksualisht, një të papërmbushuri seksualisht dhe një buçeje së cilës ia hipin shumë e në fund s’merr vesh se cilin këlysh e ka me kë.
Janë një lloj hibridi mes fantazive të shfrenuara të pornove të Hollywood-it dhe traditës së Sekretarëve të Partisë a Hetuesve komunistë. Janë hibridë pikërisht për faktin se edhe kur kanë vetë pasardhëse femra, kur kanë lindur prej një të tille, kur janë të martuar me një të tillë nuk munden kurrësesi, sado të mundohen, sforcohen, përpiqen a përpëliten të kenë një marrëdhënie normale me një femër.
Janë pikërisht të tillë individë, që kur i hasim çdo ditë në rrugë, urbanë, qendra tregtare a restorante, vetëm apo të shoqëruar na bëjnë të vrenjtim direkt vetullat e të ndjehemi të cënuara, të parespektuara!
Janë pikërisht këta hibridë të frikshëm, gjysmë sharlatanë për t’iu qarë hallin e gjysmë perversë kërcënues të cilët po e çojnë tatëpjetë marrëdhënien mashkull-femër, marrëdhënien njeri me njeri. Janë pikërisht këta që priren të gënjejnë, të lajkatojnë, të mohojnë madje jo pak herë të shpikin e të shantazhojnë pikërisht për të përmbushur mangësitë e tyre dhe janë pikërisht këta të cilët po shumohen duke sjellë në botë të tjerë “qënie” si ta. Që bartin ADN-në e tyre dhe mbi të gjitha, me shumë mundësi dhe hipokrizinë e tyre.
Sepse fjala bie, ç’vlera ka në një familje ku morali është i fundëm apo aspak i rëndësishëm? Në një familje le të themi prej 4 apo më shumë anëtarësh ku s’e merr vesh i pari të dytin, ku fëmijët mësohen t’i drejtohen me fjalë ofenduese prindërve (dhe kjo disa prindër i mallëngjen fare), kur shohin prindër të papërkushtuar, të paplotësuar mbi të gjitha të padashuruar ... me njëri-tjetrin?! Me ç’vlera rriten këto krijesa? Si do e trajtojnë shoq-shoqin nesër?
Ku janë ata burra namuzi që dikur në tavolina flisnin për të ardhmen e Shqipnis? Ku janë ata burra që diskutojnë për idetë? Ku janë ata burra që diskutojnë se ç’do bëjnë për një të ardhme më të mirë?
Në të kundërt shoh kafene me burra plot, duhma alkooli e shtullunga tymi cigaresh dhe buzë që përpëliten mbi histori të paqena, mbi një femër që kalon atypari apo “njërën” që njohin. Mbi femrat e suksesshme, mbi femrat që s’i arrijnë kurrë, mbi femrat që me seriozitet punojnë me ta ose për ta, mbi femrat, e të tjerëve ... dhe kjo është gjëja më e rëndomtë, më e trishtë e botës.
Kjo ndodh kudo, në çdo moment, tani që lexoni këtë shkrim një buçeburrë është duke përgojuar nderin e një femre që do donte ta kishte por në të vërtetë s’e ka patur kurrë... E rëndom këta rastisin të jenë shefat, drejtorët, politikanët, deputetët, pedagogët a njerëzit tanë të nderuar të "artit" ...
Ky fenomen nxjerr në pah dy të meta të mëdha të mentalitetit mashkullor në Shqipni. I pari nxjerr në pah mungesën e kulturës dhe respektit për femrën e cila është trajtuar, trajtohet dhe do vazhdojë të trajtohet si pronë. 

I dyti nxjerr në pah mentalitetin “bëj si them unë por mos bëj si bëj unë” që me fjalë të tjera do të thotë: "unë mundem të përgojoj, të shpif e të shkoj me sa femra të mundem, të tradhëtoj etj.etj. POR amaaa kur vjen puna tek vajzat e mia, motra ime dhe gruaja ime ato “janë të shenjta”..."
Ç’mut mentaliteti është ky ëë? Ç’lloj gomari e thotë këtë? Jo, i dashur burrë modern shqiptar i 2013-ës. JO! Në qoftë se ju bëni vërtetë apo me imagjinatë gjëra me femrat e “botës” (po i quaj kështu) atëherë duhet ta keni të qartë se e njëjta gjë do i ndodhë grave, vajzave dhe motrave të tua, ekzaktësisht e njëjta gjë!
Ndaj, gjëja me e qytetëruar që mund të bëni për veten dhe për brezat që do pasojnë, madje dhe me vetë djemtë tuaj do ishte t’i mësonit respektin ndaj femrës. Se si duhet t’i drejtohen asaj, si duhet ta duan atë dhe mbi të gjitha sesi NUK duhet trajtuar ajo. Dhe kjo, besomëni është një nga hapat më të rëndësishëm të një shoqërie të qytetëruar.


Milli B.  




Tuesday, October 22, 2013

Shif e shkruaj edhe sot!

“Sot në Shqypni, nuk të pyetë kush shka je, po si dukesh, as nuk don të dijë kush sa pare të ban 

gjaku, po sa pare ke në Bankë. Nuk po lypet të jesh i dijshëm, as i aftë, mjaft të dijsh me u majtë 

dhe me u dukë i tillë. Ja, misioni i parë i një organi kulture shqiptare; me e vu në vendin e vet 

faktorin shpirtnuer”.



Patër Anton Harapi 




Ku shko me ato streçe ti mi?




Kët! Tamom kët m'vje me i ulërit atyne katnareve qi shof dit për dit m'xhade!

I them vetes si ka munci qi kalum ka gruja "n'ara e kantiere", ka gruja me bicepsin mo t'modh se t'burrit ... te kto?! Si?

Si ka munci qi s'e kqyrin iher veten n'pasqyn kto goca qi dalin rrugve kshu, ku i numro ene palat e bythve ene topat e celulitit? Ene mi t'gjitha thom PSE? Pse duhet i goc me kaltur ene me master  me i qit t'gjitha n'selamet? Ë?
M'kujtojn ate skeçin me Vathen. S'e mani men Vathen e? Vathen mi! Kët!


I lëmë mënjanë shakatë sepse e kam shumë, tej mase seriozisht!

Të kujdesesh për veten, të duash të dukesh bukur është mirë, është vetëvlerësim, është respekt për tjetrin POR këto ... këto kiçe kulturore që, të them të drejtën fjalën kulturë këtu në këtë togfjalësh më duket se e fyej rëndë, këto janë jashtë imagjinatës së shëmtisë. 
Ç'model kulturor është ky i sotmi? Nga i vjen vajzave shqiptare kjo mani zhveshjeje, ky imazh i deformuar i së bukurës? Nga i vjen kjo prirje gati, them gati sepse nuk është vërtet e natyrshme. 
I sheh që në mëngjes me një tualet të rëndë, suvatim mund ta quajmë përse jo dhe mos u përpiq të duash të njohësh “fytyrën e vërtetë” poshtë tij. Veshje të ngushta qamet, ngjyra të shëmtuara, dhe ta-ta-ta ta-taaaaaaa! Takat! Këto grataciela 15 cantimshe të marrin mendtë veç t’i shohësh e jo të jesh mbi to! Në total sheh imazhin e një prostitute në cilëndo rrugë me drita të kuqe kudo je nëpër Evropë. Por këtë, vajzat tona të stisura nuk kanë nga ta dinë. Ky imazh i deformuar i “së bukurës” apo siç quhet sot “seksi” për mendimin tim vjen nga shumë reklama, shumë TV, shumë video muzikore me të cilat truri i tyre bombardohet. Sheh adoleshente 13-15 vjeçare apo edhe pak më të vogla a të rritura që duken mbi 25 dhe kur e mendoj, nëse në Shqipëri do kishte ligje të forta kush e di sa djem e burra do ishin në burg për marrëdhënie seksuale me të mitura, për shkak se duken si të rritura por nuk janë. Japin një imazh për veten që nuk është i vërtetë e nuk ka sesi të jetë. Kjo është një tjetër nga fatkeqësitë tona si komb dhe botëkuptim. Gjithçka mësoi populli shqiptar prej kapitalizmit ishte sesi t’a çash rrugën me bythë! Me plotë kuptimet e fjalës!
Kjo verë, megjithatë, ishte një zbulesë më vete ... nuk ishte vera e streçeve porse e pantallonave të shkurtra, aq të shkurtra saqë më mbeti mister i madh përse e kishin marrë mundin t’i vishnin kur veç 5 cm gjë kishin mbuluar...
Deri diku, po pak fare, mund të justifikoj vajzat që vijnë nga fshati në jetën e bukur prrallore të Tiranës, mund të justifikoj "trendin" e Bllokut por prapë nuk mundem kurrësesi të kuptoj këto nëna të cilat i sheh krah për krah me vajzat e tyre 12-13 vjeçare me këto pantallona të shkurtra n’maj t’bythës ku s’ka aspak vend për imagjinatë. Vras mendjen ç’mesazh duan të përcjellin këto nëna përkrah vajzave të tyre të njoma teksa vërdallisen kudo rrugëve të Tiranës? Ky është “malli” i tyre? Po çmimi? Çmimi cili është? Një drekë? Një Hammer? Një apartament? E ardhmja? Burri? Cili është çmimi mori gra që i nxirrni vajzat ashtu? Kjo është të jesh “moderrne”, e bukur?

Moderne apo e bukur është t’i mësosh vajzës tënde të duajë veten e ta respektojë atë! E bukur është t’i mësosh vajzës tënde të dojë librat, dijen, kulturën. E bukur është t’i mësosh vajzës tënde thjeshtësinë dhe t’i mësosh se e bukura e botës, e bukura tek njerëzit qëndron tek shpirti, tek karakteri, tek vlerat që ne bartim e jo tek lakuriqësia!


Milli Bloom

 



Monday, October 21, 2013

Shoqëri "autike"

Prej vitesh tashmë lëviz me biçikletë nëpër Tiranë dhe rrallë, shumë rrallë si sot, më duhet të marr urbanin.
S’e mohoj dot se krahasuar me disa vite më parë ku nëpër Tiranë lëviznim me furgona, situata është “ku ma gjen!” por prapë, shumë pis, sheh fatorino obezë, njerëz të lodhur, të mërzitur, të palarë, që shtyhen, fërkohen, vidhen me njëri-tjetrin, shkurt, eksperiencë më vete në Tiranë.
Sot në linjën Kombinat-Kinostudio më ndodhi diçka që thashë ta ndajë me ju. Po shkruaj për këtë sepse nuk më ndodh përditë, thuajse asnjëherë, të jem në kontakt aq të afërt me një fëmijë që nuk e njoh. Por mbi të gjitha po e ndaj për t’i kujtuar vetes dhe ju me kokrra që po lexoni këtë artikull se heronjtë e vërtetë janë njerëzit e thjeshtë, ata të përditshmërisë, problemeve, luftës me fatin dhe sikur t’mos mjaftojë, e gjitha kjo, në Shqipni!
Në urbanin-kuti sardelesh vjen thuajse me vrap drejt meje e më ulet direkt në prehër një fëmijë rreth 5-6 vjeç dhe i buzëqesh dhe i them si quhesh? Ai sheh nga dritarja, aspak i frikësuar dhe nuk më përgjigjet. Si ndodh shpesh me fëmijët shqiptarë nuk janë miqësorë, janë të turpshëm e nuk të përgjigjen kur i flet por shohin nga prindërit. Ky, ishte i çuditshëm sepse bëri një kontakt fizik të menjëhershëm, aspak normal nëse mund të shprehem kështu por sërish nuk u përgjigj. Fill u afrua e ëma duke u lehtësuar që ishte në prehërin tim dhe kërkoi ndjesë për shqetësimin. Normal, nuk ishte aspak shqetësim për mua ... deri në atë moment! Vazhdova t’i bëja edhe disa pyetje të tjera djalit por pa përgjigje. Në fakt, po i pëshpërisja në të djathtën e tij dhe e ëma në të majtë duke parë se po i pëshpërisja më drejtohet, gati e pa zë, veçse me hapje-mbyllje buzësh më thotë: “Nuk flet, është autik!”
Dhe mua gati sa s’mu ça zemra ... Në do të të mallkojnë, ai është mallkimi më i tmerrshëm ndonjëherë! Mbeta dhe s’dija ç’ti thoja asaj nëne që më buzëqeshte. Përkëdhela flokët e djalit dhe i shtrëngova me dorën tjetër dorën nënës.
 Fola gjithë udhëtimin me të, deri në stacionin e fundëm dhe më mahniti forca e saj shpirtërore! Ajo fliste, e kujdesshme se ç’thoshte për shkak se djali sigurisht që kuptonte dhe herë pas here vidhte shikime prej meje e më buzëqeshte. Ajo duhej të kujdesej për një fëmijë autik, me nevoja të veçanta, i pagjumë, dhe pa komunikim me botën e, në të njëjtën kohë për binjaken e tij një vajzë 5-vjeçare totalisht të shëndetshme... "Kam zgjidhje tjetër" tha, "veçse të jem e fortë? Kam zgjidhje tjetër veçse të luftojë çdo ditë që ai të jetë mirë, që një ditë të thotë mami?" [...]
 
Ka shumë e shumë lloje autizmi, kjo sëmundje që fatkeqësisht por merr miliona fëmijë në gjithë botën. Larg prej dashurisë së krijesës që i solli në këtë botë, larg prej realitetit, larg prej çdo gjëje. Nga rrëfimi i saj ajo që më tronditi më shumë ishte fakti se kishte më shumë se një vit që kishte lënë punën për t’iu përkushtuar totalisht djalit të saj 5-vjeçar autik për shkak se ndihma profesionale është si ujët e pakët! Prej kopshtit të parë e kishte hequr sepse edukatorja përgjegjëse, me harbutërinë karakterizuese të disa femrave shqiptare i ksih thënë se ti, nëna pra, paguhesh nga shteti (për ato dy çika lekë që shteti jepkërka për këta fëmijë të veçantë!) dhe nëse do kujdes të veçantë merru vetë me të! A mund të jetë një njeri, nëse mund ta quajmë të tillë, më mizor se kaq e për më tepër grua, për më tepër edukatore?!
Kemi probleme të mëdha sociale dhe nuk i referohem para dhe tetraplegjikëve, nuk i referohem autikëve dhe as atyre me sindromën Down. I referohem atyre që e quajnë veten "normalë", që kanë funksione shërbimi dhe nuk kanë as minimumin e duhur për të qenë në marrëdhënie shërbimi a përkujdesi për tjetrin! Dhe kjo ndodh kaq shumë, kaq hapur, kaq rëndomë në Shqipni saqë është thuajse e pamundur të vetëpërmbahesh!
Kudo personat me nevoja të veçanta trajtohen si të tillë jo vetëm në ofrimin e kushteve por mbi të gjitha përkujdesin që marrin nga njerëz të veçantë e të specializuar. Diplomohen me mijëra të rinj çdo vit dhe sa pak lexojnë e dinë ata në të vërtetë mbi të gjitha për fushën e tyre e lëre më pastaj për një kulturë të përgjithshme. Gjithë ç’do doja është një qasje tjetër ndaj njeriut! Mund të na ndodhë të gjithëve, mund t’i ndodhë miqve tanë të ngushtë a familjarëve e ç’duhet të bëjmë? Si duhet të sillemi? Sa mundemi realisht t’i ndihmojmë nesër ata që kanë nevojë për ne? Kam veç një përgjigje: LEXIM! Vetëm duke u informuar, vetëm duke hapur mendjen do jemi në gjendje të jemi njerëz më të mirë e të shkojmë një jetë të denjë në marrëdhënie me tjetrin.
Ajo ç’ka i them vetes dhe do doja t’ia thoja kujtdo shpirti në këtë botë është se duhet të jemi më të dashur, më të dhimbsur me njëri-tjetrin ...



Milli B. 

P.S: Rekomandime për lexime të mëtejshme:

www.autism.com




Sunday, October 20, 2013

Bar-Librari

E dini ç’është më mirë se një natë jashtë? Një natë jashtë me një libër. Apo, në këtë rast me shumë, një mur i tërë me libra. [...] Ky artikull bën një udhërrëfim nëpër baret-librari më të mira në botë, nga Los Anxhelesi në Londër e nga Dallasi në Tibet.
Edhe pse aspak e krahasueshme me Los Anxhelosin apo Londrën edhe Tirana jonë ka dy strehëza të vogla e të këndshme për këtë gjë. E Përshtatshme dhe Friend's Book House. Megjithatë me keqardhje të madhe më duhet ta them se janë shndërruar paksa në vende "trend" ku të rinjtë preferojnë të takohen sepse janë “ndryshe”, të bëjnë dy poza për Instagram dhe kaq! Zor se i sheh t'i shfrytëzojnë këto vende, në kuptimin e mirë të fjalës, për misionin e tyre të vërtetë, një çaj a kafe dhe ... një libër ...
Ndërkohë, shijoni bare-librari të botës në galerinë poshtë.


Rekomandoi: Milli B.

Swan & Edgar në Marleybone, London

The Wellesbourne në West Los Angeles 

The Library Bar në Dallas

The Library Bar në New York

Hyperion Tavern në Silver Lake, Los Angeles

The Laundromat Café në Reykjavik, Iceland

Two Sisters Bar and Books në Hayes Valley, San Francisco

Hemingway’s Lounge në Hollywood

Book Bar në Lhasa, Tibet

The Cedars Social në Dallas

Library Bar, Los Angeles

Spotty Dog Books and Ale në Hudson, NY

E Përshtatshme Kafe-Librari, Tiranë

Friend's Book House, Tiranë




Saturday, October 19, 2013

Përdore mendjen!

Ne duhet ta krijojmë kulturën, mos shihni TV, mos lexoni revista, mos dëgjoni MP3. Krijo vetë spektaklin tënd. Kombinimi i kohës dhe hapësirës ku je tani është pjesa më e drejtpërdrejtë e universit tënd, dhe nëse merakosesh për Michael Jackson-in apo Bill Clinton-in apo dikë tjetër, atëherë je i pafuqishëm, ti po jep gjithçka ikonave, ikona që mbështeten nga media elektronike në mënyrë që ti të duash të vishesh si X apo të kesh buzë si Y. Ky lloj i të menduarit është i dhier. Kjo është e gjitha devijim kulturor dhe jo që është e vërtetë je ti dhe miqtë e tu, lidhjet e tua, fitoret e tua, orgazmat e tua, shpresat e tua, planet e tua, frikërat e tua. Na thuhet 'jo', jemi të parëndësishëm , jemi periferik. 'Diplomohu, gjej një punë, merr këtë, merr atë.' Dhe atëherë ti je një lojtar në lojën që as që do ta luash. Duhet ta përdorësh mendjen tënde dhe të dalësh prej duarve të inxhiniervë kulturorë të cilët duan të të kthejnë një gjysmë-hajvan që konsumon gjithë këto mbeturina të prodhohen prej eshtrave të një bote që po vdes.


Rekomandoi: Milli B.