Pages

Monday, October 21, 2013

Shoqëri "autike"

Prej vitesh tashmë lëviz me biçikletë nëpër Tiranë dhe rrallë, shumë rrallë si sot, më duhet të marr urbanin.
S’e mohoj dot se krahasuar me disa vite më parë ku nëpër Tiranë lëviznim me furgona, situata është “ku ma gjen!” por prapë, shumë pis, sheh fatorino obezë, njerëz të lodhur, të mërzitur, të palarë, që shtyhen, fërkohen, vidhen me njëri-tjetrin, shkurt, eksperiencë më vete në Tiranë.
Sot në linjën Kombinat-Kinostudio më ndodhi diçka që thashë ta ndajë me ju. Po shkruaj për këtë sepse nuk më ndodh përditë, thuajse asnjëherë, të jem në kontakt aq të afërt me një fëmijë që nuk e njoh. Por mbi të gjitha po e ndaj për t’i kujtuar vetes dhe ju me kokrra që po lexoni këtë artikull se heronjtë e vërtetë janë njerëzit e thjeshtë, ata të përditshmërisë, problemeve, luftës me fatin dhe sikur t’mos mjaftojë, e gjitha kjo, në Shqipni!
Në urbanin-kuti sardelesh vjen thuajse me vrap drejt meje e më ulet direkt në prehër një fëmijë rreth 5-6 vjeç dhe i buzëqesh dhe i them si quhesh? Ai sheh nga dritarja, aspak i frikësuar dhe nuk më përgjigjet. Si ndodh shpesh me fëmijët shqiptarë nuk janë miqësorë, janë të turpshëm e nuk të përgjigjen kur i flet por shohin nga prindërit. Ky, ishte i çuditshëm sepse bëri një kontakt fizik të menjëhershëm, aspak normal nëse mund të shprehem kështu por sërish nuk u përgjigj. Fill u afrua e ëma duke u lehtësuar që ishte në prehërin tim dhe kërkoi ndjesë për shqetësimin. Normal, nuk ishte aspak shqetësim për mua ... deri në atë moment! Vazhdova t’i bëja edhe disa pyetje të tjera djalit por pa përgjigje. Në fakt, po i pëshpërisja në të djathtën e tij dhe e ëma në të majtë duke parë se po i pëshpërisja më drejtohet, gati e pa zë, veçse me hapje-mbyllje buzësh më thotë: “Nuk flet, është autik!”
Dhe mua gati sa s’mu ça zemra ... Në do të të mallkojnë, ai është mallkimi më i tmerrshëm ndonjëherë! Mbeta dhe s’dija ç’ti thoja asaj nëne që më buzëqeshte. Përkëdhela flokët e djalit dhe i shtrëngova me dorën tjetër dorën nënës.
 Fola gjithë udhëtimin me të, deri në stacionin e fundëm dhe më mahniti forca e saj shpirtërore! Ajo fliste, e kujdesshme se ç’thoshte për shkak se djali sigurisht që kuptonte dhe herë pas here vidhte shikime prej meje e më buzëqeshte. Ajo duhej të kujdesej për një fëmijë autik, me nevoja të veçanta, i pagjumë, dhe pa komunikim me botën e, në të njëjtën kohë për binjaken e tij një vajzë 5-vjeçare totalisht të shëndetshme... "Kam zgjidhje tjetër" tha, "veçse të jem e fortë? Kam zgjidhje tjetër veçse të luftojë çdo ditë që ai të jetë mirë, që një ditë të thotë mami?" [...]
 
Ka shumë e shumë lloje autizmi, kjo sëmundje që fatkeqësisht por merr miliona fëmijë në gjithë botën. Larg prej dashurisë së krijesës që i solli në këtë botë, larg prej realitetit, larg prej çdo gjëje. Nga rrëfimi i saj ajo që më tronditi më shumë ishte fakti se kishte më shumë se një vit që kishte lënë punën për t’iu përkushtuar totalisht djalit të saj 5-vjeçar autik për shkak se ndihma profesionale është si ujët e pakët! Prej kopshtit të parë e kishte hequr sepse edukatorja përgjegjëse, me harbutërinë karakterizuese të disa femrave shqiptare i ksih thënë se ti, nëna pra, paguhesh nga shteti (për ato dy çika lekë që shteti jepkërka për këta fëmijë të veçantë!) dhe nëse do kujdes të veçantë merru vetë me të! A mund të jetë një njeri, nëse mund ta quajmë të tillë, më mizor se kaq e për më tepër grua, për më tepër edukatore?!
Kemi probleme të mëdha sociale dhe nuk i referohem para dhe tetraplegjikëve, nuk i referohem autikëve dhe as atyre me sindromën Down. I referohem atyre që e quajnë veten "normalë", që kanë funksione shërbimi dhe nuk kanë as minimumin e duhur për të qenë në marrëdhënie shërbimi a përkujdesi për tjetrin! Dhe kjo ndodh kaq shumë, kaq hapur, kaq rëndomë në Shqipni saqë është thuajse e pamundur të vetëpërmbahesh!
Kudo personat me nevoja të veçanta trajtohen si të tillë jo vetëm në ofrimin e kushteve por mbi të gjitha përkujdesin që marrin nga njerëz të veçantë e të specializuar. Diplomohen me mijëra të rinj çdo vit dhe sa pak lexojnë e dinë ata në të vërtetë mbi të gjitha për fushën e tyre e lëre më pastaj për një kulturë të përgjithshme. Gjithë ç’do doja është një qasje tjetër ndaj njeriut! Mund të na ndodhë të gjithëve, mund t’i ndodhë miqve tanë të ngushtë a familjarëve e ç’duhet të bëjmë? Si duhet të sillemi? Sa mundemi realisht t’i ndihmojmë nesër ata që kanë nevojë për ne? Kam veç një përgjigje: LEXIM! Vetëm duke u informuar, vetëm duke hapur mendjen do jemi në gjendje të jemi njerëz më të mirë e të shkojmë një jetë të denjë në marrëdhënie me tjetrin.
Ajo ç’ka i them vetes dhe do doja t’ia thoja kujtdo shpirti në këtë botë është se duhet të jemi më të dashur, më të dhimbsur me njëri-tjetrin ...



Milli B. 

P.S: Rekomandime për lexime të mëtejshme:

www.autism.com




No comments:

Post a Comment