Pages

Monday, March 29, 2010

Portreti i Artistit në Rini – Një vështrim i shkurtër

“Portreti i Artistit në Rini” u botua për herë të parë në seri tek “The Egoist” gjatë viteve 1914-1915. Duke dhënë kronikën e jetës së Stiven Dedalusit nga fëmijëria deri në moshën madhore, ndryshimet në jetën e tij si dhe vendimi për të lënë Irlandën, romani është thellësisht autobiografik. Joyce-i, ashtu si Stiveni, ka patur eksperiencat e hershme me prostituta gjatë adoleshencës si dhe ka luftuar me çështjen e besimit. Ashtu si Joyce-i, Stiveni, ishte bir i një mamaje besimtare dhe një babai të ngathët për të fituar pará. Ashtu si Joyce-i, Stiveni, ishte më i madhi i dhjetë fëmijëve dhe u edukua në një shkollë jezuite. Joyce-i, si Stiveni, u largua nga Irlanda për të bërë jetën e një poeti dhe shkrimtari. Joyce-i nisi punën me historitë e shkurtra që më pas krijuan romanin, në fillim të vitit 1903, deri pas vdekjes së nënës së tij. Botimet e para të “Portretit”, Joyce-i i boti nën pseudonimin "Stephen Dedalus."

“Portreti i Artistit në Rini” është një nga shembujt e hershëm në letërsinë angleze i romanit që ka në përdorim të gjerë përroin e ndërgjegjes. Përroi i ndërgjegjes, është një teknikë narrative, ku autori synon të paraqesë rrjedhshmërinë dhe shpërthimin e natyrshëm të mendimit njerëzor. Narrativa përqëndrohet në jetën e brendshme të personazhit sesa nën perspektivën e një narratori objektiv të vetës së tretë.
Ndërkohë që “Portreti” tregon ambicien dhe qëllimin e kryeveprës së mëvonshme të Joyce-it, “Uliksit”, në shumë mënyra ai mbetet një roman revolucionar. Hapja është e rrëfyer me anë të përroit të ndërgjegjes së djalit të vogël protagonist, romani karakterizohet nga një rrëfim i sofistikuar, i zërit të narratorit, cili sa vjen e rritet bashkë me të. Megjithëse shumë pjesë të romanit janë rrëfyer me me një stil relativisht të drejtpërdrejtë, Joyce-i ka shkruar pasazhe të gjata të cilat përmbajnë një gjuhë komplekse e të vështirë duke u orvatur t’i përngjajë mekanizmave të mendimit njerëzor. Madje edhe kur çështja rrëfehet në një mënyrë të drejtpërdrejtë, zëri rrëfimtar nuk humbet kurrë në jetën e brendshme të Stiven Dedalusit. Ne i shohim ngjarjet sikur ato filtrohen nëpërmjet Stivenit. Vepra na shpërfaq një mori stilesh narrative. Ka pjesë të ndërlikuara e me një stil të zbukuruar, pjesë të rrëfyera me një stil direkt, e të tjera me një eksperimentim të madh. Varietetet e stileve të përdorura tek “Portreti i Artistit në Rini” e bëjnë këtë roman të këndshëm për t’u lexuar. 
“Portreti i Artistit në Rini” zhvillohet në Irlandë në fillim shekullin e XX. I riu Stiven Dedalus vjen nga një familje katolike irlandeze. Kudo në roman, familja Dedalus pëson rënie të vazhdueshme duke bërë një sërë lëvizjesh nëpër banesa të ndryshme, teksa gjithçka kanë venitet. Nëna e Stivenit është një katolike e devotshme. Kur Stiveni është ende një fëmijë, sëbashku për motrat e vëllëzërit e tij kujdesej guvernantja Dante, një grua katolike fanatike. Xhaxhai i tyre Charles-i gjithashtu jetonte me familjen. Libri hapet me rrëfimin në stilin e përroit të ndërgjegjes, parë nga perspektiva e një fëmije; dhe fjalët janë të përaftërta me të folurën e një fëmije (babytalk). Ne kapërcejmë pas në kohë teksa shohim të voglin Stiven që braktis shkollën Clongowes. Ai është i vogël, shëndetlig, aspak sportiv dhe i ngathët për të zënë miqësi. Ai është një shenjestër e lehtë për talljet dhe një ditë e shtyjnë madje dhe në gropën e ujërave të zeza. Ai sëmuretn nga uji i pisët, por atij i kujtohet se çfarë i ka thënë babai (shën.përkth. Stivenin shpesh babai e këshillonte të mos i spiunonte shokët) dhe nuk tregon gjë për këtë rreng. Për Krishtlindje, ai ulet në tryezë me të rriturit për herë të parë. Befas një debat i ashpër nis mbi politikën mes John Casey-it dhe babait të Stivenit nga njëra anë dhe Dantes nga ana tjetër. Më vonë në atë vit, Stiveni është i detyruar të largohet nga kolegji Clongowes për shkak se familja nuk e përballonte dot më arsimin e tij aty. Familja transferohet në Blackrock, ku Stiveni bën shëtitje të gjata me xhaxha Charles-in dhe ndërmerr aventura imagjinare me djemtë e lagjes. Kur Stiveni rritet dhe ca, familja zhvendoset në Dublin, sërish për shkaqe financiare. Ai takohen me një vajzë të quajtur Emma Clere, e cila bëhet burim i adhurimit të tij deri në fund të veprës. Babai, me ca truke, arrin ta fus Stivenin sërish në një shkollë private. Ai do të shkojë në Belvedere College, një tjetër institucion të drejtuar nga jezuitët.
Në Belvedere, Stiveni shndërrohet në një lider ngurues por ka shumë sukses në aktrim dhe në shkrimin e eseve. Pavarsisht nga pozita e tij si drejtues, ai ndjehet shpesh i izoluar. Ai vazhdon të bëhet një djalosh i ndjeshëm dhe me shumë imagjinatë, aktron në shfaqjet e shkollës dhe fiton në konkurset e eseve. Ai gjithashtu fillon të fiksohet pas seksit; fantasia e tij rritet gjithnjë e më shumë e përflakur. Më në fund, një natë ai shkon me një prostitutë. Ajo qe eksperienca e tij e parë seksuale. 
Të shkonte me prostituta i kthehet në zakon. Më pas, Stiveni hyn në një periudhë të rrëfimit shpirtëror. Fillon ta konsiderojë sjelljen e tij mëkatare, por ndjehet çuditërisht indiferent përballë kësaj. Duket sikur ai nuk ndalet dot së shkuari me prostituta dhe duket se as nuk e do një gjë të tillë. Por gjatë tërheqjes së përvitshme shpirtërore në Belvedere, ai dëgjon tri predikime të zjarrta për torturat në Ferr. Stiveni tmerrohet dhe pendohet për sjelljen e mëparshme. Ai gati shndërrohet në besimtar fanatik.
Pas disa kohësh, kjo ndjenjë i kalon. Ai ndjehet i irrituar prej doktrinës Katolike. Kur rektori i sugjeron të bëhet prift, Stiveni kupton se ajo jetë nuk bën për të. Një ditë, teksa ecte në bregdet, ai sheh një vajzë të bukur. Bukuria e saj e goditi atë me forcën e një zbulimi shpirtëror, dhe s’kalon shumë ai ndjehet i turpëruar që po sodiste trupin e saj të mrekullueshëm. Ai dëshiron ta jetojë jetën plotësisht! 
Herën tjetër që na shfaqet Stiveni, ai është një student në universitet. Universiteti i ka ofruar Stivenit ide të reja: në veçanti, ai ka patur kohë të merret me veprat e Aquinas-it dhe mbi çështjen e së bukurës tek Aristoteli. Stiveni ka zhvilluar teorinë e tij mbi estetikën. Ai është shumë i dhënë pas së bukurës dhe artit. Edhe pse ka shumë miq, ai ndjehet i vetmuar. Ai ka nisur ta shohë Irlanën si kurth, dhe del në përfundimin se ai sa më parë duhet të largohet nga shtrëngimi i kombit, familjes dhe besimit. Ai s’mund veçse të ikë larg. Stiveni e imagjinon arratisjen e tij diçka paralele me fluturimin e Dedalusit, ai u arratis nga burgu me krahët e punuar nga gjenia e vet. Libri përfundon me Stivenin që largohet nga Irlanda për të bërë jetën e një shkrimtari.

Përktheu: Milli Bloom



No comments:

Post a Comment