Personi i parë që më rrëfeu takimin mitik mes Marcel Proust-it dhe James Joyce-it qe Nélida Gardell, profesorja e frengjishtes në Shkollën e Letrave të fakultetit Tucumàn. Nélida na përshkroi dialogun mes dy shkrimtarëve më të mëdhenj të 1900-ës, si një pasim gjestesh të kota e shpërfillës, si fluturimi i dy zogjve madhështorë, të dënuar për t’mos u kuptuar.
Sipas versionit të saj, të dy ishin ftuar në një darkë në hotelin Ritz, Place Vendôme në Paris, nga baroni Edmond de Rothschild, i cili ishte i gatshëm të paguante gjithçka kish, vetëm të dëgjonte dy gjenitë në akrobacitë e tyre verbale. “E çfarë thanë?”, e pyetëm të gjithë. Profesorja Gardell u përgjigj me ton enigmatik: “Proust-i e pyeti Joyce-in, në i kishin pëlqyer tartufët e servirur. Joyce-i i ishte përgjigjur thatë, jo.”
Kjo skenë patetike e letërsisë botërore më ka përndjekur prej vitesh si një fantazmë dhe, sadoqë kam shfletuar biografitë e shumta dhe të jashtëzakonshme të të dy autorëve, versionet e atij episodi më janë dukur gjithnjë të pakënaqshëm.
Jean-Yves Tadié, që më 1966 botoi biografinë monumentale të Proust-it, ndoshta më të mirën në qarkullim, e likuidon këtë episod me më pak se një faqe, duke nënvizuar se të dy nuk u simpatizuan. Kur Proust-i i ofroi Joyce-it ta shoqëronte me një taksi por u falenderua me gjeste shumë harbute: Joyce-i nisi të tymoste pa ngurim dhe hapi tërësisht xhamin dhe pse e dinte se kolegu i tij astmatik nuk mund të duronte dot as tymin as korrentet e ajrit.
Richard Ellmann, biografi i madh i Joyce-it, jep detaje më të mira. Ai ka mbledhur të paktën katër versione të dialogut mes dy shkrimtarëve, përfshirë atë të tartufëve dhe rrëfen se, më vonë, Joyce-i u pendua që nuk e shfrytëzoi atë mundësi: “Do më kishte pëlqyer ta takoja Proust-in diku tjetër, vteëm, për të biseduar në qetësi. Edhe pse nuk di të them se për çfarë.”
Isha dorëzuar për të zbuluar diçka mbi argumentin, deri kur një ditë, lexova një libër të bukur prej 360 faqesh të titulluar “Proust-i në Majestic”, i shkruar nga anglezi Richard Davenport-Hines, ndër të tjera, autori i një biografie të poetit W.H.Auden. Në fillim të shekullit të kaluar, hoteli Majestic i Parisit nuk ishte si sot. Kur Proust-i dhe Joyce-i u njohën, pak pas mesnatës së 18 majit 1922, ishte një vend në modë. Sallat e tij të zhurmshme frekuentoheshin nga njerëz të rëndësishëm që jetonin në Paris apo që kalonin andej parí. Secila prej 450 dhomave kishte pamje nga bulevardi Kléber, pranë Harkut të Triumfit. Të gjitha ishin të pajisura me tualet, një luks vërtetë ekcentrik për ato kohëra, sidomos në Paris.
Krejt të kundërtën se çfarë besonte profesoresha Gardell, pra, takimi nuk u bë në Ritz dhe nuk qe as meritë e baronit Rothschild por, e Violet dhe Sydney Schiff. Ajo, s’ishte gjë tjetër veçse një rrufiane, ai, një shkrimtar me të drejtë i harruar nga historia, të dy me një pasion të pandalshëm për thashethemet. Dy personazhe perfekt prustianë. Ata dhanë një darkë për të festuar premierën e “Reinard”, baleti komik i Igor Stravinskij-t që po atë natë, baleti rus i Sergej Djagilev-it kishin vënë në skenë në Operën e Parisit.
Por, atë natë të famshme në Majestic nuk morën pjesë vetëm Stravinskij dhe Djagilev-i; ishin edhe dirigjenti i orkestrës Ernest Ansermet dhe Pablo Picasso, i cili u paraqit me një shirit të kuq në kokë. Mungonte vetëm Victoria Ocampo për të kompletuar tablonë. Por qëllimi kryesor Schiff-ëve, siç e pranuan më vonë, ishte të prezantonin Proust-in dhe Joyce-in në të njëjtin kafaz të artë për të parë se çdo të ndodhte, e për ta treguar më pas në të katër anët. Por mbrëmja qe kaq e parëndësishme saqë nuk shërbeu si argument bisedash në sallone atë javë. Ja pse historia qarkullon si mit, deri kur, Davenport-Hines ia ktheu historinë realitetit. Nuk dihet ç’darkuan, ndoshta, pjatat tipike të një darke tek Majestic: antipastë haviari, fazan me shparg si dhe akullore me fruta tropikale. Dihet me siguri se Djagilev, Stravinskij dhe Anserment ikën pak pas mesnate nga stresi i asaj dite të gjatë. Picasso qëndroi të pinte derisa u shemb i dehur mbi tryezë. Joyce-i pinte në heshtje shampanjën e tij dhe gromësinte zhurmshëm. Kur erdhi, kishte kërkuar ndjesë që nuk ishte veshur si duhej. “Nuk kam parà për këto budallallëqe”, kishte shpjeguar. I vetmi argument për bisedë që i interesonte, ishte romani i tij Uliksi, i botuar vetëm 3 muaj më parë dhe tashmë në gojët e të gjithëve, mbi të gjitha të atyre që e lexonin pa e kuptuar. Kamarierët filluan të pastronin nga ora një pas mesnate. Joyce-i, rrëfen kritiku Clive Bell, i cili ka dëgjuar historinë nga Sydney Schiff, qëndroi i ulur, pa thënë asgjë, me njërën dorë nën mjekër dhe tjetrën të zënë nga gota e shampanjës. Në orën dy, ishte tërësisht i dehur dhe herë pas here gulçiste zhurmshëm. Pesëmbëdhjetë apo njëzet minuta më vonë, Schiff-ët panë të hynte një njeri trupvogël, i mbështjellë me një peliçe, i cili lëvizte, sipas Clive Bell-it, si një mi. Nga larg dukej i neveritshëm dhe ngjitës. Ishte autori i “Në kërkim të kohës së humbur”. Kishte mbaruar së shkruari romanin e tij të madh por ende po korrigjonte dhe shtonte pjesë. Atëherë, ishte shumë më i njohur se Joyce-i dhe fjalitë e tij të gjata i bashkoheshin një melodie të pangatërrueshme dhe përsëriteshin nëpër sallone me një besim të devotshëm.
Edhe pse Joyce-i nuk pati përshtypjen se kolegu i tij ishte i sëmurë (përkundrazi tha: “Ai është më i shëndetshëm se unë”), drogërat që Proust-i injektonte apo pinte me një shpeshti vrasëse, po i merrnin jetën. Ekzaktësisht pas gjashtë muajsh nga takimi i Majestic-ut, një septicemi (helmim gjaku, shën.përkth.) do e linte të vdekur në vend. Pavarsisht skepticizmit të Joyce-it, Proust-i po luftonte me vdekjen.
Devenport-Hines, rrëfen se të dy ishin ulur krah njëri-tjetrit. Ka gjashtë versione të bashkëbisedimit, përfshirë këtu edhe atë mbi tartufin, të gjitha përmblidhen me “pakuptueshmërinë”. Vite më vonë, Joyce-i rrëfeu se e vetmja fjalë e paharrueshme e atij takimi ishte fjala njësilabike: jo. “Proust-i më pyeti në njihja njëfarë duke. Iu përgjigja: “Jo”. Madam Schiff dëshironte të dinte nëse Proust-i, kishte lexuar ndonjë kapitull të Uliksit . Ai u përgjigj: “Jo”. Situata ishte e padurueshme.
Më vonë, në vitet e tij të lavdisë, Joyce-i do t’ia shpërblente Proust-it indiferencën ndaj veprës së tij me një sarkazëm helmuese. Në ditarin e tij gjendet një shënim domethënës: “Kur lexuesit arrijnë në fund të fjalive të tij, Proust-i është ende duke shkruar.”
Më pas, në një letër shkruar botueses së tij, Sylvia Beach, pronarja e librarisë “Shakespeare & CO”, Joyce-i rrëfen ngjarjen me një lojë fjalësh të vështirë për t’u kuptuar: “Sapo lexova në kërkimin të çadrave të humbura nga disa vajza të reja të përvëluara nga zjarri sëbashku me Swann-in në Gomorhee dhe Cie, shkruar nga Marcella Proyst dhe James Joust.”
Dy burrat e mëdhenj nuk u panë kurrë më. Ishin zogj me pendë kaq të ndryshme saqë vetëm mund të plagoseshin me njëri-tjetrin.
Tomàs Eloy Martinez
(16.07.1934-31.01.2010) Gazetar dhe shkrimtar argjentinas.
Përktheu: Milli Bloom
No comments:
Post a Comment