Së pari, është e drejtë të theksojmë se Freud-i pati një ndikim të madh tek shkrimtarët dhe artistët në përgjithësi. Kjo ndodhi për shkak se Freud-i sugjeroi mënyra me të cilat psikanaliza mund të aplikohej, duke nisur që nga krijimet më të hershme të njerëzimit. Ai gjithashtu udhëzoi shkrimtarët dhe artistët në rrugët ku psikologjia mund të përdorej për të kuptuar më mirë njerëzit në skutat e tyre më të thella, dëshirat, motivimet si dhe shqetësimet e tyre.
Ka mjaft shembuj sesi Freud-i, madje dhe Jung-u ndikuan me teoritë e tyre në krijimtarinë e artistëve, sidomos në letërsi, por një tjetër shembull me vlerë për ne është teoria e psikologut amerikan William James (1842-1910), i cili përdori i parë termin “përroi i ndërgjegjes” duke iu referuar ndërthurjes së një ideje më nuancat e shumë të tjerave. Kjo teknikë mjaf interesante u përdor më tej nga shumë autorë përfshirë këtu edhe James Joyce-in. Në romanet e tij, veçanërisht tek “Uliksi” dhe më pas “Zgjimi i Fineganëve”, u përdor kjo teknikë rrëfimi, e cila shpaloste rrjedhën e ideve, ndjesive dhe imazheve të cilat i jepeshin lexuesit duke i dhënë mundësi atij të njihte e të eksploronte mendjen e personazhit, një mënyrë kjo jo fort e largët nga metoda analizuese e psikologut me pacientin e tij.
Në romanet e tij Joyce-i paraqet një seri të shpejtë të mendimeve, përshtypjeve, emocioneve dhe reminishencave të personazheve të tij shpesh duke mos marrë në konsideratë përvijimin logjik apo sintaksën. Kjo ka për qëllim paqsyrimin dhe kompleksitetin e nënvetëdijes së mendjes. Shkrimtarë të si Joyce-i, Franz Kafka, Thomas Mann, Henry Richardson, Albert Camus etj., po të analizohen me motivet frojdiane, ata i kanë përdorur ato për të eksploruar xhelozinë mes të dashuruarve, neurozat, marrëdhënien fëmijë-prind si dhe tëhujazimin e artstëve nga shoqëria. Ndikimi i Jung-ut është gjithashtu i konsiderueshëm. Për shembull, Herman Hesse teksa shkruante “Ujku i stepave” (1927), ishte i ndikuar nga konceptet e Jung-ut, veçanërisht për konceptin e “të huajit”. Vetë Jung-u thelloi kërkimet e tij duke lexuar “Uliksin” e Joyce-it, për të cilin shkroi edhe një ese të gjatë. Në një letër drejtuar Joyce-it, lidhur me “Uliksin”, Jung-u i komenton vetë autorit “turravrapi i 40 faqet e fundit, pa asnjë shenjë pikësimi, kallëzojnë një të vërtetë të madhe psikologjike'.(1) Kjo tregon se romani i Joyce-it i ishte dukur intrigues për të mos thënë enigmatik.
Është e qartë se të dy bashkë, Freud-i dhe Jung-u, ishin të interesuar për letërsinë sepse synonin të zbulonin elementët të botës së brendshme. Në një plan të parë, në thelb të botës së brendshme qëndron një ndjenjë e vetëdijshme dhe rrjedhja e së vetëdijshmes është e kufizuar nga dimensioned e kohës, hapësirës dhe gjendjes emocionale. Në eksperiencat tona të ndryshme lidhur me botën që na rrethon, vetëdija jonë është e lidhur me dhe lëviz, nga një imazh në tjetrin. Në thelb, 'përroi i ndërgjegjes' i përdorur nga shkrimtarët, veçanërisht nga Joyce-i, e ka origjinën nga këto veçori të botës së brendshme. Tek “Uliksi” dhe tek “Zgjimi i Fineganëve” Joyce-i, eksploron me detaje të çdo minute botën e brendshme të personazheve të tij dhe çështjet madhore të jetës si: ekzistenca, jeta, vdekja, atësia, tradhëtia, mes shumë të tjerave, janë rikrijuar me mjeshtëri dhe saktësi të madhe. Mund të themi se në veprat e tij, Joyce-i, nënvizon asosacionet e ndërlikuara mes nënvetëdijes dhe lidhjes, ende komplekse mes realitetit. “Uliksi” është vërtetë një vepër epike me një gamë të gjerë temash, e cila karakterizohet nga nje shkathtësi e rrallë e mendjes. Personazhet kryesorë, Stephen Daedalus, Leopold Bloom dhe bashkëshortja e tij Molly, janë të gjithë objekte të ndërprerjeve, ndrydhjeve dhe kontradiktave të mendimeve të pavetëdijshme.(2)
“Përroi i ndërgjegjes”, të cilit i referohen edhe si monolog i brendshëm, ndihmon duke i dhënë personazheve individualitet si dhe na tregon se si e pavetëdijshmja “punon” në mendjen e tyre duke na rrëfyer sesi në të ndryshon reagimi ndaj tingujve, aromërave, pamjeve dhe ndërveprimet me vendet. Në këtë kuptim, procesi i të menduarit dhe asosacionet e mendimit të paraqitura nga Joyce-i pasqyrojnë në një shkallë të caktuar teknikën e propozuar dhe përpunuar nga psikanaliza e Freud-it e më pas e modifikuar nga Jung-u.
Më 1900, Freud-i botoi “Interpretimin e ëndrrave”, e cila eksploronte dhe nënvizonte natyrën e ëndrrave dhe ku del në pah teoria e tij mbi të pavetëdijshmen dhe ndrydhjen.Ai rrok të sqarojë se si një fenomen mendor si ëndrrat dhe neurozat janë rezultat i konfliktit mes proceseve të ndryshme mendore. Më 1939, Joyce-i boton “Zgjimi i Fineganëve”, një roman eksperimental, me një formë të veçantë e të mirë studiuar në formën e ëndrrës. Në të vërtetë, aty eksplorohen ëndrrat dhe makthet e H. C. Earwicker, personazhit kryesor, duke paraqitur një kaleidoskop të ngadalësuar të lidhjeve dhe asosacioneve me ekzistencën e tij amorfe në dukje. Romani përfshin lojë fjalësh, si dhe lapsuse frojdjane në disa gjuhë, të reja e të vjetra. Këtu ka pak vend për dyshim, në këto vepra përfshijnë a jo një njohje dhe përfshirje të thellë e bashkëkohore të kuptimit të psikologjisë së ëndrrave dhe lidhjes së tyre me mitet.
Megjithëse Joyce-i furishëm mohonte ndikimin nga idetë e Freud-it dhe Jung-ut, shkrimet e tij na rrëfejnë se ai jo vetëm që i njihte idetë dhe teoritë e tyre por edhe se ai mund t’i aplikonte ato në mendjet e personazheve të tij. Më 1951, Lionel Trilling, shkruante se: 'James Joyce me interesimin e tij mbi gjendjet e shumta të ndërgjegjes, me përdorimin e tij të fjalëve duke përcaktuar më shumë se një të shenjuar, me ndjenjën e tij pushtuese për t’u futur në brendësi të të gjitha dukurive, dhe, së fundmi por jo më pak e rëndësishmja, trajtimi i tij i temave familjare, janë përdorimi më i plotë dhe i vetëdijshëm i ideve të Freud-it.(3)
Joyce-i, nëpërmjet eksplorimit të ëndrrave dhe nënvetëdijes tregon ndikime të Freud-it dhe Jung-ut. Në të vërtetë, të gjithë ne kemi kureshtje të kuptojmë se si mendjet tona reagojnë dhe çkodojnë botën komplekse reale me të cilën përballemi çdo ditë. Këto ishin gjithashtu shqetësimet e Freud-it dhe Jung-ut.
Është e qartë se idetë dhe konceptet psikologjike, veçanërisht ato lidhur me psikanalizën, botët personale dhe “puna” e vetëdijes së brendshme, janë përdorur prej shkrimtarëve për të zhvilluar rrëfimet e tyre dhe për të nënvijëzuar personazhet brenda këtyre rrëfimeve. Joyce-i i detyrohet punës së Freud-it dhe Jung-ut, ai dhe shkrimet e tij e tregojnë se postulatet e këtyre psikologëve gjetën vend të konsiderueshëm në shkrimet e tij. Vetë Jung-u, pasi lexoi “Uliksin”, iu referua Joyce-it si një profet dhe tha: “Si çdo profet i vërtetë, artisti është një transportues i pavullnetshëm i sekreteve të kohës së ti dhe është shpesh i pavetëdijshëm si dikush që ecën në gjumë. Ai supozon se është ai që po flet, por shpirti i epokës së tij është sufleri dhe gjithçka që ai shpirt do të thotë është i vërtetë me të gjitha efektet.”
Në përfundim, mund të sugjerojmë se shkrimtari si vëzhgues, përballet me realitetin e eksperiencave dhe të farkëtojë në kudhrën e shpirtit të tij vetëdijen e pakrijuar të llojittë tij.(4) Këtë kishte dhe Joyce-i qëllim të bënte. Psikanalisti, i cili si vëzhgues, analist dhe shkencëtar, gjithashtu kërkon të rrisë dijen tonë përballë botës si dhe përgjigjet tona ndaj saj. Përzierja e mendimit shkencor me atë letrar, i arritur me apo pa vetëdije, është një proces dinamik, i pasur dhe i domosdoshëm, nëse të kuptuarit tonë të mendjes dhe të asosacioneve e lidhjeve të saj me realitetin do të realizohen.
No comments:
Post a Comment