Në këtë tregim, Joyce-i përshkruan nëpërmjet dilemave të Marias, evoluimin e festimeve të Krishtera prej rrënjëve të tyre pagane. Personazhi kryesor, Maria, mund të lidhet si me figurën e Virgjëreshës Mari ashtu edhe me figurën arketip të shtrigës. Marrëdhënia e saj më Virgjëreshën Mari e lidh atë më Kishën Katolike të Dublinit modern. Ndërsa në anën tjetër, asocimi i saj me arketipin e shtrigës e lidh atë me besimet e lashta Kelte të Irlandës. Për shkak se ngjarjet e tregimit ndodhin në prag të festës së Gjithë Shenjtorëve, tek Maria mishërohen të dyja, si karakteristikat pagane edhe ato kristiane; ajo përfaqëson ndikimet e dyfishta të Krishtërimit dhe paganizmit në festimet fetare të Irlandës moderne.
Shumë nga karakteristikat e saj e lidhin me atë me Virgjëreshën Mari. Së pari, emri Maria është një trajtë e emrit Mari. Së dyti, Maria nuk u besonte protestantëve: "Dikur ushqente mendim të keq për protestantët, por tashmë thoshte se ishin njerëz të mirë, ca të qetë e seriozë, por prapë njerëz me të cilët ia vlente të jetoje."(fq.144). Në Irlandë, beteja mes Protestantëve dhe Katolikëve është një pjesë e rëndësishme e historisë së vendit. Teksa na rrëfehet se Maria nuk përzihet dhe nuk u beson Protestantëve, merret me mend se ajo është Katolike. Së treti, statusi i saj si e pamartuar dhe supozimi për virgjërinë e saj e lidhin me Virgjëreshën. Është qartësisht e dukshme që Maria nuk ka patur më parë të bëjë me meshkuj, në fakt, kur një zotëri në tramvaj tregohet i sjellshëm me të, ajo shqetësohet aq shumë saqë harron kekun që sapo kishte blerë për Xhoin dhe gruan e tij, meqë do t’i bënte vizitë për festën. Ajo turpërohet kur e kupton çka bërë: "Ndërkaq, teksa sillte ndërmen hutimin para atij zotnisë me mustaqe bojëhiri, Marian, e kaploi turpi, një lloj inati e zhgënjimi" (fq.146). Virgjëria e saj sugjerohet nëpërmjet reagimit të saj nervoz ndaj kujdesit të zotërisë. Njëkohësisht, statusi i saj prej nëne të virgjër për Xhoin bën një tjetër lidhje me Virgjëreshën. Që Maria është përgjegjëse për rritjen e Xhoit dhe vëllait të tij Alfi, qartësohet kur Xhoi thotë: "Nëna është nëna, por Maria është saktë nëna për mua" (fq.144).
Së fundmi, aftësia e Marias si paqeruajtëse e lidh atë edhe më shumë me Marinë dhe Krishtërimin. Duke u nisur nga ky pohim: në Krishtërim, Maria shihet si ndërmjetëse mes Zotit dhe njerëzimit. Të Krishterët i luten Zotit nëpërmjet Marisë, në mënyrë që ajo të ndërmjetësojë tek Ai për ata, duke patur statusin e rëndësishëm si nëna e Krishtit. Me fjalë të tjera, ata besojnë se një lutje e Marisë do të ketë më shumë rëndësi tek Zoti. Me tej, Krishti quhet edhe Princi i Paqes, sepse nëpërmjet tij paqja u vendos mes Zotit dhe njerëzimit. Në të njëjtën mënyrë, Maria vepron si ndërmjetësuese paqeje mes grave me të cilat ajo shërbente: "Gjithmonë e dërgonin të paqtonte gjakrat kur gratë ziheshin për govatat, dhe ia dilte vërtet" (fq.143). Qartësisht Marian e duan të gjitha gratë. Rrëfyesi na rrëfen: "Të gjithë e donin Marian" (fq.143). Si rrjedhojë mendimi i saj vlerësohet nga të gjithë.
Megjithëse Maria lidhet me Marinë dhe Krishtërimin, ajo ka karakteristika kontradiktore të cilat e lidhin me arketipin e shtrigës dhe paganizmin. Për shembull, karakteristikat fizike të Marias janë ato të një shtrige. Siç thotë dhe rrëfyesi: "Maria ishte grua shtatvogël, por me një hundë të zgjatur dhe kockën e mjekrës të dalë" (fq.143). Vogëlsia e shtatit të saj dhe karakteristikat e ekzagjeruara qartësisht e lidhin atë me arketipin e vjetër të shtrigës. Po kështu dhe e qeshura e saj të sjell ndër mend stereotipin e shtrigës së Halloween-it: "Dhe prapë Maria qeshte aq sa maja e hundës për pak sa s’i prekte mjekrën, po sakaq shtati iu drodh [...]" (fq.144). Asocimet e çuditshme imagjinare të shtatit të saj e lidhin me arketipin e shtrigës.
Më tej, Maria lidhet me arketipin e shtrigës edhe për shkak të pasionit të saj për të rritur lule. Maria kujdesej për lulet dhe kishte zakon t’i jepte nga një vizitorëve të saj: "Pastaj mbante dhe lulet, i ruante dhe i pëlqente të kujdesej për to. Rriste fiere të mrekullueshëm e bimë të mëdha dhe kujtdo që i vinte për vizitë, i falte nja dy degëza nga serra e saj" (fq.144). Bimët dhe barërat janë substanca të rëndësishme të përdorura dhe të shqiptuara në formulat magjike; kështu që, serra e saj e lidh me herbaristikën pagane dhe shtrigat. Fakti që Maria mishëron si Marinë dhe arketipin e shtrigës, rrëfen fytyrën e ndryshimeve të festimeve fetare në Irlandë. Për më tepër, fakti që vetë Maria është e lëkundur (për shembull, ajo ndryshon mendim për protestantët) e përforcon këtë interpretim.
Titulli i tregimit, "argjili," përforcon lidhjen e Marias me ndryshimin. Ashtu si Maria dhe festimet featre, argjili është i ndryshueshën dhe përpunueshëm. Për shembull, dikush mund të punojë mbi një copë argjili duke i dhënë formën që dëshiron; e megjithatë, pasi të ketë mbaruar, puna mund t’i duket e pakënaqshme dhe e riformëson argjilin në një formë të re dhe të ndryshme. Duke u nisur nga vetitë e argjilit, cilido mund të kuptojë pse tituli i tregimit të Joyce-it lidhet me historinë e festimeve fetare në Irlandë, veçanërisht, sesi festimet e Krishtera kanë evoluar apo kanë pësuar modifikime nga rrënjët e tyre pagane. Ashtu si Krishtërimi u përhap në botën e Keltëve, ashtu edhe Kisha rizgjoi ritualet pagane, festimet dhe doktrinën duke i përshtatur për nevojat e saj. Për shembull, Samhain (festivali antik i Keltëve kushtuar të vdekurve) evoluoi në festimin e krishterë të të Gjithë Shenjtorëve apo siç njihet ndryshe Halloween-i. Veç kësaj, rëndësia e Virgjëreshës Mari në Kishën Katolike është një tjetër dëshmi sesi rrënjët pagane kanë evoluar në doktrinën e krishterë. Duke ditur se shumë besime pagane i japin rëndësi dyzimit (adhurimit të Zotit dhe Perëndive); si rrjedhim, dyzimi mes aspektit femëror dhe atij mashkullor është pasqyruar në Kishën Katolike nëpërmjet rëndësisë së Krishtit (mashkullor) dhe Marisë (femërore) si elemente të doktrinës kishtare. Tek "Argjili", James Joyce sheh dhe vë në kontrast Krishtërimin dhe Paganizmin duke u përpjekur të nxjerrë në pah sesi festimet pagane të Irlandës u modifikuan nga Kisha Katolike dhe e bëri me kast këtë gjë për t’ua vënë para syve bashkëkohësve të tij.
No comments:
Post a Comment