Pages

Saturday, October 19, 2013

Dhuntia e Mezzonfanti-t

Hiperpoliglotët mund të flasin një duzinë gjuhësh por a i kanë rrënjët e aftësive të tyre në realitet apo në mit?

Atyre prej nesh aftësitë e gjuhëve të huaja të të cilëve shtrihen pak përtej  porositjes së një cerveza apo croque monsieur, poliglotët janë për t’u admiruar e patur zili. Por hiperpoliglotët, të përkufizuar këtu si dikush që njeh të paktën gjashtë gjuhë të huaja e ndoshta një duzinë, është një specimen i frikshëm dhe enigmatik, si një gjeni muzike apo kampion matematike. Munden vërtet disa individë të zhvillojnë një bollëk të njohjes së gjuhëve të huaja kur të tjerët mundohen me bazat e njërës? A janë arritjet e më të shkathtëve të botës të rrënjosura në mite apo realitet?




Kardinal Giuseppe Mezzofanti, thuhej se dinte 70 gjuhë. Foto: Universiteti i Bolonjës


I lindur në Bolonja më 1774, thuhej se Kardinali Giuseppe Mezzofanti njihte më shumë se 70 gjuhë dhe kishte aftësinë të kalonte nga njëra gjuhë në tjetrën pamundim madje krejt lehtësisht. Sipas një anekdode të famshme, Papa Gregori XVI kërkoi një takim mes Mezzofanti-t dhe një grupi studentësh të huaj, me qëllim ta hutonin kardinalin duke folur gjuhët e tyre por u lanë të habitur kur ai nisi t’u përgjigjej secilit student. Në një tjetër rast, një studiues rus, AV Starchevsky e ngatërroi Mezzofanti-n gjatë një takimi në Romë duke biseduar në gjuhën ukrainase; pasi u ftua dy javë më vonë nga bolonjezi, Starchevsky ishte i befasuar të dëgjonte Mezzofanti-n të bashkëbisedonte rrjedhshëm në gjuhën ukrainase në atë takim. [...]


Artikulli i plotë The Guardian  


Përktheu dhe rekomandoi: Milli Bloom

Friday, October 18, 2013

Estetika mbi të gjitha!


Sot, që pjesa më e madhe e shqiptarëve kanë internet e gjithçka të teknologjisë së fundit, ku Facebook-u, Twitter-i e Instagrami janë qendra e vëmendjes, mënyra më masive e komunikimit ose ndryshe, “sheshbeteja” e bukurisë, fortësisë a, pasurisë...sot, me anën e këtyre ndërmjetësve socialë ne kemi një tjetër imazh për Shqipërinë e shqiptarët, një imazh që nuk përputhet aspak me realitetin.

Dua të ndal veçanërisht në një fenomen të cilin do doja ta përshkruaja si të një dimensioni tjetër, si të shkëputur nga realiteti (me ose pa qëllim) dhe ai është Moda ose "gocat fashion" siç vetëquhen! Janë të shumta blogjet, qindra mijëra fotot në këto rrjete sociale të bukurosheve shqiptare kudo që jetojnë (edhe pse shumica janë o në Tiranë ose jashtë Shqipërisë, duhet theksuar s’kam parë ende as edhe një blog nga Rubiku apo Tepelena!).


Që të jemi të qartë që prej fillimit, nuk dua në as edhe një formë të jap përshtypjen e gabuar se kujdesi ndaj vetes nuk është i rëndësishëm por, përkundrazi!

Blogjet e femrave shqiptare nga mosha 16 deri në fund të ’30 janë fjalëpërfjalë marramendëse! I sheh, i risheh, i admiron, i pëlqen, me shije të jashtëzakonshme për të bukurën dhe prapë ... se ç’kanë. I gjithë rituali i këtyre fotove ditore të veshjes së rradhës është i përkujdesur deri në detaj. Çanta, syzet, këpucët madje dhe sfondi, rruga, ndriçimi, poza GJITHÇKA. Sheh fotot dhe po t’mos e dish që jetojnë në Tiranë, ose rëndom nga vetë përcaktimi i vendndodhjes së fotos nuk mundesh ta besosh që janë bërë këtu, që jetojnë në të njëjtin realitet. Gjithçka vishet me një aureolë perfeksioni, marramendës si historitë e Disney-t, plot ngjyra dhe prapë ... kaq zhgënjyese!
Fotot janë bërë po në ato rrugë ku ne ecim çdo ditë, ku ka plehra pa fund të hedhura në tokë, çamçakëzë, pështyma e rradhës, janë bërë në stolat “vintage” anash Lanës por të gjithë e dimë fare mirë erën krupëndjellëse të saj. Janë shkrepur po në të njëjtin vend ku takat 15cm zbresin shkallët e pallatëve shumëkatëshe ku ndoshta nuk ka as ashensor, ecin mbi 10 orë në ditë në rrugë krejt të papërshtatshme. (Për këpucët me takë të lartë do doja të hapja një tjetër parantezë e të diskutonim mënyrën se si NUK duhet të vishen që t'mos ngjajnë si prostituta!!! Por ky do jetë sukbjekti i një shkrimi tjetër.) Aty ku Channel 5 me snobizëm nuk do t’ia di e madje i bën karshillëk Lanës + infinit. Janë shkrepur pikërisht në vendin ku nuk ka ujë të rrjedhshëm 24 orë por ne, kemi iluzionin se e kemi. Ku as edhe një apartament a shtëpi në Shqipëri po t’mos ishte për thithësen motorike dhe përbindëshat disa qindra litërsh mbi tarraca nuk do kishin vërtet me se të laheshin. Janë shkrepur pikërisht në këtë vendin tonë që mjafton të hipësh një herë të vetme në urban, në cilëndo linjë, dhe do zbulosh një nga dëmet më të tmerrshme që diktatura i trashëgoi për shkak të skamjes shqiptarëve. Të larët një herë në javë, më saktë të dielën!
Të gjitha ata që e kanë përjetuar kohën e diktaturës e mbajnë mend fare mirë dushin me vajgur, sapunin 15 lekësh apo larjen me kovë/sapllake. Për ata që janë kuriozë e duan ta rifreskojnë kujtesën apo për ata që nuk e asociojnë dot si kohë i ftoj të hipin në një urban, aty ku populli thjeshtë dhe jo "gocat fashion", hipin çdo ditë, për të kuptuar se sa shumë në të vërtetë kujdeset populli shqiptar për veten, për estetikën dhe higjienën.
Unë, dyshoj se ka nga ata që lahen edhe një herë në javë!
Është varfëria apo thjesht të mos dhënit rëndësi të higjienës personale, kjo është çështja!
Mos t’më keqkuptojnë zonjat dhe zonjushat e blogjeve të modës, për hir t’Zotit, kujdesuni e duajeni veten por mua më shqetëson mos shqetësimi juaj për vendin ku jetoni. Dukeni se jetoni si të mbyllura në një fluskë luksi prej aromërash dehëse parfumesh të shtrenjtë, cohash mëndafshi e këpucësh mijëra euroshe. Thjesht gjithçka shfaqet është një frapuçino e mirë, rroba të koleksionit të fundit ...ku? në të tillë ambient!?
As edhe një këshillë, as një titull libri, as edhe një kontribut real veçse bombardim fasade dhe injektim si me shiringë drejtë e në damarë për 12-vjeçaret që ëndërrojnë të jenë një ditë si ju, të kenë ato që keni ju ...
Vendi ynë kaq i vogël, e sërish, i mbrujtur me kaq dukje, me një adhurim gati në kult për kiçin apo origjinalin ç’rëndësi ka, sikur pjesa më e madhe e përballon dot (!) dhe askush s’interesohet për thelbin... Më shqetëson fakti që jepet një imazh, sado personal të jetë, i një dukjeje që askujt s'i duhet prej teprisë që ka, shfaq një imazh që shumëpak, fare pak munden ekonomikisht ta përballojnë dhe, cili është thelbi, ç’është më e rëndësishme: të dukesh bukur, të japësh idenë se e di ç’është e bukura apo të ndjehesh i bukur duke qenë i pastër?


Duhet ala me e gjet!







Milli B.

Saturday, October 12, 2013

Virginia Woolf - Londër 25 Janar 1882 – Rodmell 28 Mars 1941

"Cili është kuptimi i jetës? Kaq qe – një pyetje e thjeshtë; pyetje që mbahet mbyllur brenda vetes për vite, zbulesa e madhe që kurrë nuk vjen. Zbulesa e madhe që ndoshta kurrë s’ka ardhur. Në vend të saj, ka mrekulli të vogla ditore, iluminime, shkrepëse që ndizen papritmas në errësirë, ja një."

— Virginia Woolf “Për tek fari”


Milli B.


Friday, October 11, 2013

Një lule dhuruar vajzës sime

I brishtë trëndafili e t'brishta janë
duart e saj q'e dhanë
Shpirti i saj më i thatë e i zbehtë
se kreshta e kohës 'vranë.


Trëndafilazbehtë e t'bukur - ende t'brishtë
Mrekulli e egër
fsheh sytë e trishtë
vajza ime venablu.

Trieste 1913

J.A.J


Përktheu: Milli Bloom

Wednesday, August 14, 2013

1 3 1 8 2

Dhe këtë vit, si mot, jam sërish këtu. Këtë herë koha u tregua më e mëshirshme. Nuk bie shi por fryn një erë që të fut të ngjethurat. Dhe njerëzit ankohen...!Për çfarë? Për 19 gradë celcius?Teksa qëndroj në këmbë për të nderuar meshën, vë re një zotëri që çan turmën mes përmes për të gjetur vend diku në të majtën time. Ulet në një stol të vogël të sajuar aty për aty nga dikush. Tri rreshta para meje. Fare pranë hyrjes së Bllokut 9. Rreth qafës dhe pas shpine i rri lidhur një flamur bardheblu me vija vertikale në formë trekëndëshi të përmbysur. Si trekëndëshi i pionierëve të kohës së komunizmit tek ne, por, është trekëndëshi i unformave bardheblu me vija horizontale të uniformave të kampit të Auschwitz-it. Ai është një prej të mbijetuarve...

1 3 1 8 2

Mund të jetë tek të 70-at apo 80-at e tij, mbahet tek një grua fare pak më pak e re se ai. Vetëm një pyetje më vjen ndërmend. Si? Si e gjen kurajon të rikthehet në këtë vend? Kam kaluar disa javë në gjithsej në Auschwitz dhe përpiqem ta imagjinoj veten si do isha sjellë po të kisha qenë atëherë, aty? Ç'lloj e burgosure do kisha qenë në Auschwitz? Cili do kishte qenë roli im por dhe fundi im? Dhe mbi të gjitha, a do kisha gjetur kurajon pas gjithë vuajtjeve, pasbekimit (apo jo?) të mbijetesës pas disa dekadash, të kthehesha këtu? Gjeta kurajon t’i kërkoja mikeshës sime polake në mund t’më përkthente mua dhe zotërisë sepse nuk mund mos e njihja! Dhe ashtu bëmë. Miroslaw Firkowski. Ky qe emri i tij. Ai u arrestua më 12 dhjetor 1940 dhe u dërgua në një burg në Kielce, sëbashku me disa shokë të tjerë klase asokohe vetëm 17 vjeç. Kacet, Kazet që do të thoshte kamp përqendrimi gjerman, vende ku mbaheshin “armiqtë” apo njerëzit e konsideruar të rrezikshëm prej Reich-ut. Mesnatën e 4-5 prillit, 1941 Firkowski sëbashku me disa të dënuar të tjerë të Kielce-s u dërguan me tren për në Auschwitz.“Ajo ka qenë një prej netëve me të gjata të jetës sime”, rrëfen ai. Miroslaw Firkowski qendroi në Auschwitz deri më 10 Mars 1943. Pas Auschwitz-it, dy ditë udhëtim në kamionë dërguan qindra polakë në një tjetër kamp përqendrimi, atë të Neuengamme-t. Në shkurt 1945, i sëmurë shumë rëndë, ai (në mes të 1017 të sëmurësh të tjerë) transferohen në Bergen-Belsen. Kampi u lirua nga britanikët më 15 prill të vitit 1945. Pas pesë vitesh, në tri kampe përqendrimi... ai peshonte vetëm 35kg. 






14 gushti është një ditë e veçantë në Auschwitz. I këndohen lavde Zotit në polonisht e latinisht. Bashkë në një meshë, Kryeipeshkvi i Polonisë dhe ai i Gjermanisë. Bashkë në vendin ku gjermanët kanë qenë xhelatët e polakëve. Mbajnë meshë përshpirtjeje për Maksimilian Maria Kolben.Po kush ishte Maksimilian Maria Kolbe?


Maximilian Maria Kolbe (8 janar 1894 - 14 gusht 1941)
Shenjt Maximilian Maria Kolbe, O.F.M., (8 janar 1894 – 14 gusht 1941) ishte një frat françeskan polak, i cili vullnetarisht pranoi të vdiste në vend të një personi tjetër nëkampin gjerman të vdekjes, Auschwitz. Kolbe u kanonizua më 10 tetor 1982 nga Papa Gjon Pali i II dhe u deklarua martir i bamirësisë. Gjon Pali i II e shpalli "Shenjti Mbrojtës i Shekullit tonë të Vështirë". Për shkak të përpjekjeve të Kolbes për të mbështetur devocionin dhe mbështetjen tek Maria, ai është i njohur edhe si Apostulli i Devocionit ndaj Marisë. Pasi Lufta e Dytë Botërore kish nisur dhe Gjermania naziste pushtoi Poloninë, Kolbe strehonte refugjatë nga Polonia e Madhe përfshirë këtu dhe mbi 2.000 çifutë në manastirin e Niepokalanów-it. Më 17 shkurt të 1941, ai arrestohet nga Gestapo dhe burgoset në burgun Pawiak. Më 28 maj, ai transferohet në Auschwitz si i burgosuri nr. 16670. fundkorrikun e vitit 1941, tri të burgosur u zhdukën nga kampi, duke shtyrë kështu SS Karl Fritzsch, zëvendës komandantin e kampit, të zgjidhte 10 burra dhe t’i vdiste urie në bunkerin e nëndheshëm të Bllojut nr.10 në mënyrë që të ndalonte tentativa të mëtejshme arratisjeje. Kur njëri prej burrave të zgjedhur, Franciszek Gajowniczek,  qau  "Gruaja ime! Fëmijët e mi!", Kolbe doli vullnetar të merrte vendin e tij.  Në qeli, Kolbe celebronte çdo ditë meshë dhe u këndonte të burgosurve himne. Ai i printe tëburgosurit në kënge e lutje e duke i dhënë kurajo. Pas dy javësh dehidratim dhe uri, vetëm Kolbe mbeti gjallë. Rojet donin ta zbraznin qelinë dhe kështu ata i bënë Kolbes një injeksion acidi karbonik vdekjeprurës. Ata që ishin të pranishëm gjatë injeksionit thanë se ai qetësisht ngriti lart krahun e majtë gati për të. Eshtrat e tij u dogjën më 15 gusht.


Auschwitz,14 gusht 2013

Milli B.

Thursday, June 27, 2013

Një klithmë dhimbjeje


Martesa e shkrimtares së njohur angleze VitaSackville-West me Sir Harold Nicolson ishte e njohur për përkufizimin si “e hapur” që gëzonte, të dy bashkëshortët shijonin lumturisht lidhje jashtëmartesore gjatë 49 viteve që kaluan sëbashku.
Në fillim të viteve ‘20, Vita nisi marrëdhënien e saj të famshme me Virginia Woolf, autorja me ndikim të madh që ka shkruar "Mrs.Dalloway" dhe "Orlando", ky i fundit bazuar, pjesërisht, në jetën e Vitës.

Në janar të 1926,Vita me gjysmëzemër iu bashkua të shoqit në Londër, atëherë diplomat në Iran, për katër muaj të gjatë; më datë 21, ajo udhëtoi me tren dhe shkroi një letër të përmalluar për çfarë kish lënë pas.


“21 Janar 1926

Milano

Jam katandisur në një gjë që dëshiron Virginia-n. Shkrova një letër të bukur për ty gjatë natës së pagjumë e me makthe dhe tashmë s’është më: thjesht më ka marrë malli, në një formë krejt të dëshpëruar e njerëzore. Ti, me gjithë pirgun e letrave s’do mundje kurrë të shkruaje një frazë si kjo; ndoshta as nuk do ta ndjeje.

Unë ende besoj se do jesh e ndjeshme sado pak.

Por ti do t’i vishje frazës një vel të hollë saqë ajo do të humbte pak nga realiteti. Megjithatë, në mua është mjaft e zymtë: Më ka marrë malli për ty më shumë se ç’mund të mendoja; dhe isha e pregatitur se do t’më merrte malli një copë herë të mirë. Ndaj kjo letër është vërtetë një klithmë dhimbjeje. Është e pabesueshme sa e rëndësishme je bërë për mua. Kam përshtypje se je mësuar me njerëzit që ta thonë këtë. Dreqi e marrtë, krijesë e llastuar; nuk do të bëj t’më duash më shumë duke t’u dorëzuar kështu — Por e dashur, nuk mundem kurrë të distancohem prej teje: të dua shumë për ta bërë këtë. Sinqerisht shumë. Ti nuk e ke idenë sesa e tërhequr mund të jem me njerzit që nuk i dua. E kam përsosur në cilësinë e arteve të bukura. Por ti m’i ke shembur muret mbrojtëse. Dhe as që më vjen keq për këtë.

Gjithsesi nuk do të të mërzis më.

Jemi nisur sërish dhe treni lëkundet prapë. Duhet t’i shkruaj stacioneve – të cilët fatmirësisht janë të shumtë përgjatë luginës së Lombardisë.

Venecie. Shumë stacione, por nuk bëra ujdi me “Orient Express” për t’mos ndaluar tek ata. Dhe ja tek jemi në Venecie vetëm përdhjetë minuta,— kohë e pashpresë ku unë përpiqem të shkruaj diçka. S’kam kohë as të blej një pullë italiane, ndaj kjo do niset nga Trieste.

Ujvarat këtu në Zvicër kanë ngrirë në një masë të ylbertë perdesh të akullta, që varen prej gurëve; sa të bukura. Dhe Italia krejt e mbështjellë në borë.
Do të nisemi sërish. Duhet të pres deri nesër në mëngjes për në Trieste. Të lutem më fal që kam shkruar një letër kaq të mjerë.

V.”

                                     Foto Virginia dhe Vita në 1933, bërë nga Leonard Woolf


Përktheu: Milli Bloom

The Lettersof Vita Sackville-West to Virginia Woolf

Thursday, March 7, 2013

Si t'i themi NDAL mizorisë?!

Ky shkrim merr shkas nga ajo që më panë sytë në Kopshtin Zoologjik të kryeqytetit tonë të dashur, më datën 7 mars 2013.  Të them sa shumë qava, sa shumë u indinjova dhe sa shumë u trondita është e pamundur, e ndoshta as që ju hyn në punë shumë prej jush. Ajo që kërkoj unë është t'ju rrëfej e të shpresoj se të gjithë bashkë mund të reagojmë një herë e mirë ndaj gjithçkaje të shëmtuar e çnjerëzore që na shohin sytë!
E di, që në këtë vend çdo ditë e më shumë po vlen kaq pak jeta e njeriut lind pyetja kush do e vrasë mendjen për jetën e kafshëve...?! Uroj të ketë ende të tillë njerëz!
Në aq vende sa kam parë, Kopshtet Zoologjike janë vendet më shplodhëse, janë burim qetësie, harmonie e lumturie sidomos për familjarët e të vegjëlit e tyre. Kushtet e mirëmbajtjes dhe trajtimit të tyre janë ku e ku shumë më të mira sesa trajtohen njerëzit në Shqipëri. Se pse gjendja e Kopshtit Zoologjik është e tillë prej mëse 20 vjetësh kush më thotë? Taksat tona ku shkojnë? Kush janë njerëzit përgjegjës për të? Si munden prindërit t'i çojnë fëmijët e tyre aty dhe t'u tregojnë çfarë???
Që prej fëmijërisë sime, atij Kopshti atje në atë cep të Tiranës nuk i është vënë më dorë. Mirë sot i mbytur e i zhytur mes pallateve sa që të vjen të ulërasësh se ç'qenie pa tru e shpirt kanë mundur të japin gjithë ato leje ndërtimi e ta shndërrojnë të vetmen hapësirë publike e të gjelbërt në atë katrahurë urbane? Përgjigjen as që dua ta di sepse ç'është bërë aty nuk zhbëhet më! Kurrë! Por, shqetësimi im nuk është ky. Shqetësimi im është mënyra sesi trajtohen ato pak, të gjora kafshë që janë aty. Pas një xhiroje fort fare të shkurtër: luanët ishin tërhequr për të fjetur a ngrënë, dhelpra mbështjellë kruspull duke fjetur, dy shqiponja të trembura deri n'asht, dhoma bosh, bosh, bosh ... një fazan, një gjel deti dhe ... pëllumba, po, po, pëllumba nga ato që tironcit akoma i mbajnë nëpër ballkone dhe në fund fare ... tre mace ... po, po, MACE. Mace shtëpie.
Jo mace të egra, jo! Sigurisht shteti ynë s'mund t'i lejojë vetes kafshë ekzotike (kemi dy lama, dy luanë e dy struca dhe më mirë mos flasim për gjendjen e tyre estetike dhe psikologjike). Nuk ishin Cheetah, Caracal, Asian Golden apo leopard. Jo, jo! Nuk ishin tigra dhe as Bobcat, nuk ishin puma apo jaguarë ishin mace, të thjeshta nga ato që kemi të gjithë nëpër shtëpi. Ne shohim çdo ditë sesi mace pafund keqtrajtohen e me mizori vriten rrugëve të vendit tonë. Shohim përpjekjen humane e shumë të lodhshme të disa kafshëdashësëve që përpiqen t'u gjejnë shtëpi e të bëjnë të mundur adoptimin nga njerëz që mund t'u ofrojnë një jetë më të mirë POR t'i shohësh të mbyllura në atë kafaz, në kushte skandaloze është e papërshkrueshme. U kishin hedhur një varg mëlçish të gjalla a thuajse ishin bisha që mund të të shqyenin të gjalla krijesa të tjera. Ishin tre prej tyre, dy femra dhe një mashkull (ky i fundit më i ri). Njëra prej femrave mund të ishte shtatzënë dhe ishte tejet e keqtrajtuar (ndoshta dhe që prej më parë), mustaqet e saj ishin të djegura dhe bisht nuk kishte thuajse fare qime ... ishin të trembura aq shumë, saqë edhe kur unë mora vendimin dhe arrita të çaja rrethimin e parë me rrjetë teli, asnjëra prej tyre nuk jepte e merrte për të dalë. Pas ishin dhe hekurat e kafazit por isha e bindur që ndonjëra prej tyre mund dhe duhej të dilte. Të gjorat kafshë i kishin humbur aq shumë instinktet saqë nuk e kuptonin atë hapësirë që mund të ishte arratisja e tyre. Pas më shumë se 40 minutash ika, nuk mund të qëndroja më por u ula të rrëfej këtë histori me shpresën e madhe që ato të jenë "arratisur" sonte dhe mbi të gjitha që kushdo që do lexojë këto rreshta të reagojë. Të reagojmë të gjithë që i duam kafshët e buta e ato të egra që të mos treajtohen më në mënyrën sesi trajtohen në Kopshtin Zoologjik të Tiranës. Është më shumë se mizore gjendja e tyre e kushdo që e konsideron veten qenie njerëzore, ta tregojë njerzillikun e tij/saj duket e shpërndarë këtë shënim e le të bëjmë diçka!  


Milli Bloom