Pages

Friday, October 18, 2013

Estetika mbi të gjitha!


Sot, që pjesa më e madhe e shqiptarëve kanë internet e gjithçka të teknologjisë së fundit, ku Facebook-u, Twitter-i e Instagrami janë qendra e vëmendjes, mënyra më masive e komunikimit ose ndryshe, “sheshbeteja” e bukurisë, fortësisë a, pasurisë...sot, me anën e këtyre ndërmjetësve socialë ne kemi një tjetër imazh për Shqipërinë e shqiptarët, një imazh që nuk përputhet aspak me realitetin.

Dua të ndal veçanërisht në një fenomen të cilin do doja ta përshkruaja si të një dimensioni tjetër, si të shkëputur nga realiteti (me ose pa qëllim) dhe ai është Moda ose "gocat fashion" siç vetëquhen! Janë të shumta blogjet, qindra mijëra fotot në këto rrjete sociale të bukurosheve shqiptare kudo që jetojnë (edhe pse shumica janë o në Tiranë ose jashtë Shqipërisë, duhet theksuar s’kam parë ende as edhe një blog nga Rubiku apo Tepelena!).


Që të jemi të qartë që prej fillimit, nuk dua në as edhe një formë të jap përshtypjen e gabuar se kujdesi ndaj vetes nuk është i rëndësishëm por, përkundrazi!

Blogjet e femrave shqiptare nga mosha 16 deri në fund të ’30 janë fjalëpërfjalë marramendëse! I sheh, i risheh, i admiron, i pëlqen, me shije të jashtëzakonshme për të bukurën dhe prapë ... se ç’kanë. I gjithë rituali i këtyre fotove ditore të veshjes së rradhës është i përkujdesur deri në detaj. Çanta, syzet, këpucët madje dhe sfondi, rruga, ndriçimi, poza GJITHÇKA. Sheh fotot dhe po t’mos e dish që jetojnë në Tiranë, ose rëndom nga vetë përcaktimi i vendndodhjes së fotos nuk mundesh ta besosh që janë bërë këtu, që jetojnë në të njëjtin realitet. Gjithçka vishet me një aureolë perfeksioni, marramendës si historitë e Disney-t, plot ngjyra dhe prapë ... kaq zhgënjyese!
Fotot janë bërë po në ato rrugë ku ne ecim çdo ditë, ku ka plehra pa fund të hedhura në tokë, çamçakëzë, pështyma e rradhës, janë bërë në stolat “vintage” anash Lanës por të gjithë e dimë fare mirë erën krupëndjellëse të saj. Janë shkrepur po në të njëjtin vend ku takat 15cm zbresin shkallët e pallatëve shumëkatëshe ku ndoshta nuk ka as ashensor, ecin mbi 10 orë në ditë në rrugë krejt të papërshtatshme. (Për këpucët me takë të lartë do doja të hapja një tjetër parantezë e të diskutonim mënyrën se si NUK duhet të vishen që t'mos ngjajnë si prostituta!!! Por ky do jetë sukbjekti i një shkrimi tjetër.) Aty ku Channel 5 me snobizëm nuk do t’ia di e madje i bën karshillëk Lanës + infinit. Janë shkrepur pikërisht në vendin ku nuk ka ujë të rrjedhshëm 24 orë por ne, kemi iluzionin se e kemi. Ku as edhe një apartament a shtëpi në Shqipëri po t’mos ishte për thithësen motorike dhe përbindëshat disa qindra litërsh mbi tarraca nuk do kishin vërtet me se të laheshin. Janë shkrepur pikërisht në këtë vendin tonë që mjafton të hipësh një herë të vetme në urban, në cilëndo linjë, dhe do zbulosh një nga dëmet më të tmerrshme që diktatura i trashëgoi për shkak të skamjes shqiptarëve. Të larët një herë në javë, më saktë të dielën!
Të gjitha ata që e kanë përjetuar kohën e diktaturës e mbajnë mend fare mirë dushin me vajgur, sapunin 15 lekësh apo larjen me kovë/sapllake. Për ata që janë kuriozë e duan ta rifreskojnë kujtesën apo për ata që nuk e asociojnë dot si kohë i ftoj të hipin në një urban, aty ku populli thjeshtë dhe jo "gocat fashion", hipin çdo ditë, për të kuptuar se sa shumë në të vërtetë kujdeset populli shqiptar për veten, për estetikën dhe higjienën.
Unë, dyshoj se ka nga ata që lahen edhe një herë në javë!
Është varfëria apo thjesht të mos dhënit rëndësi të higjienës personale, kjo është çështja!
Mos t’më keqkuptojnë zonjat dhe zonjushat e blogjeve të modës, për hir t’Zotit, kujdesuni e duajeni veten por mua më shqetëson mos shqetësimi juaj për vendin ku jetoni. Dukeni se jetoni si të mbyllura në një fluskë luksi prej aromërash dehëse parfumesh të shtrenjtë, cohash mëndafshi e këpucësh mijëra euroshe. Thjesht gjithçka shfaqet është një frapuçino e mirë, rroba të koleksionit të fundit ...ku? në të tillë ambient!?
As edhe një këshillë, as një titull libri, as edhe një kontribut real veçse bombardim fasade dhe injektim si me shiringë drejtë e në damarë për 12-vjeçaret që ëndërrojnë të jenë një ditë si ju, të kenë ato që keni ju ...
Vendi ynë kaq i vogël, e sërish, i mbrujtur me kaq dukje, me një adhurim gati në kult për kiçin apo origjinalin ç’rëndësi ka, sikur pjesa më e madhe e përballon dot (!) dhe askush s’interesohet për thelbin... Më shqetëson fakti që jepet një imazh, sado personal të jetë, i një dukjeje që askujt s'i duhet prej teprisë që ka, shfaq një imazh që shumëpak, fare pak munden ekonomikisht ta përballojnë dhe, cili është thelbi, ç’është më e rëndësishme: të dukesh bukur, të japësh idenë se e di ç’është e bukura apo të ndjehesh i bukur duke qenë i pastër?


Duhet ala me e gjet!







Milli B.

No comments:

Post a Comment