U bënë ditë që kam patur ndërmend të ulem të shkruaj diçka për këtë çështje por sot, sapo pashë lajmin që një tjetër hero mbi dy rrota humbi jetën në bulevardin kryesor të kryeqytetit tonë ndjeva një trishtim të pamatë ... Sapo pashë foto nga pedalimin për nder të viktimës së rradhës mu në mes të Tiranës, përballë ish-Hotel Dajtit, të organizuar nga
Eco Bycycle Shop.
Një javë më parë im vëlla u aksidentua në njërën prej rrugëve më të populluara të Tiranës por fatmirësisht doli prej aksidentit vetëm me disa fraktura. Çdo ditë nëse sheh lajmet dikush, diku në rrugët e vendit tonë aksidentohet. Këmbësor, motorrist a përdorues biçikletash ç'rëndësi ka. Dje ai, sot unë, nesër ju ... Çdo ditë, duke pedaluar dhe vetë prej gati 4 vjetësh (që prej fëmijërisë por atëherë ishte ndryshe, se helebete 10 makina kishte gjithsej) shoh se si çdo sekond që jam në rrugë jam e rrezikuar. Sa shpejt harruan shqiptarët kohën kur biçikleta ishte mjet, qejf, shoqëri, aktivitet fizik. Sa shpejt harruan se ishim aq të varfër (dhe shumica ende janë) sa më s'bëhej. Sa shpejt harruan respektin, për këta katër rrotakë miliona lekësh. Sa shpejt harrojnë se edhe prindërit e tyre, edhe të afërmit e ndoshta dhe fëmijët e tyre kalojnë në këto rrugë dhe mund të aksidentohen nga një tjetër shofer idiot!
Oh, dhe ditët më të këqia, ato më skizofrenet janë ditët me shi! A mundet t'i thotë dikush shoferëve shqiptarë që po të jesh brenda në makinë me bythën butë në sedilje nga shiu, nuk lagesh, ndaj respekto ata që po presin semaforin e jo t'u hedhësh një grusht uj kanalesh me gomat e tua, ndaj respekto ata që pedalojnë e janë lagur deri në asht! Ti, i/e dashur shqiptar/e mos harro, nuk ke lindur me makinë në bythë! Prit, ndal, merr frymë e respekto se të gjithë në një vend do shkojmë e ca, kanë qëlluar t'mos e kenë me të "shpejtë" si ju.
Dhe m'u kujtua diçka tjetër! Për mendimin tim, me aq sa jam rrugëve në trafik, dhjetra e dhjetra situata, shoferEt janë specia më e rrezikshme! Po, po! Femër jam vetë dhe këtë e them pa doreza fare. I lëmë mënjanë pallavra seksi i dobët, barazia gjinore e leshit! Femrat në timon janë të rrezikshme dhe PIKË! Ose frikacake të mëdha me 20cm taka (që është totalisht e palejueshme mesa di, . E dashur! nqs je 1.50m, lëre më mirë X5 bëji nder dhjetra jetëve!). I shoh që kanë karakteristika mashkullore në ekstrem. I sheh të kamufluara pas syzeve, me celularë në dorë ndërkohë që ngasin, me thonjë më të gjata se ato vetë dhe mbi të gjitha duke ofenduar me një fjalor të denjë për shoferat e kamionëve! Kjo s'është aspak femërore, kjo s'ju bën aspak nder. Dhe për më tepër, arrogante, pordhace dhe frikacake siç janë nuk respektojnë, nuk hapin rrugë madje në atë budallallëkun e tyre të prishin punë.
Shoh çdo ditë njerëz të frustruar në makina, shoh njerëz me ankth, mërzi e mllef. Shajnë, turfullojnë, shtypin burinë mesa fuqi kanë, shahen reciprokisht e shtypin gazin me sa forcë të munden. Ç'lloj shoqërie është kjo e sotmja? Ku vallë mësuan shqiptarët të ngasin makinat kaq keq? Si nuk i vret ndërgjegjja për këtë?
Dakord, kjo ndoshta nuk është puna e gjithësecilit prej nesh por e keqfunksionimit ose e mosfunksionimit të shtetit. Por ajo që na takon të gjithëve është siguria e jetës sonë. Dhe është gjëja e fundit që mund të kesh të sigurtë në rrugët e Shqipnis.
Ndoshta ajo që s'e dinë por që duhet t'i hapin sytë e t'i bëjnë katër është fakti se: dy anët e bulevardit "Dëshmorët e Kombit", nga sheshi "Nënë Tereza" deri tek Stacioni i Trenit është e sinjalizuar si vendkalim biçikletash. Për mendimin tim është sa absurd aq edhe shumë i rrezikshëm. Vendkalimi i biçikletave është gjith e gjithë 1 metër dhe qëndron fiks pas vendparkimit të makinave. Pra, ne jemi së pari të rrezikuar nga makinat që na vijnë respektivisht nga e majta ose e djathta jonë, jemi të rrezikuar nga ata që parkojnë apo duan të dalin nga parkimi, nga ata që dalin nga makina pa parë në pasqyrë më parë dhe sigurisht, si munden vallë të mungojnë parkimet dyshe?! E pra ai, është vendi më skandaloz për pedalim!
Një tjetër zgjidhje "gjeniale" fare është dhënë prej kohës së Ramës si bashkiak i Tiranës. Mund të ndajmë atë 1 metër trotuar me këmbësorët, koshat e plehrave, stolat dhe pemët përgjatë dy anëve të Lanës. Jam kurioze kujt i ka ardhur ndër mend kjo ide dhe mbi të gjitha a e ka provuar ta bëjë vetë këtë shfaqje cirku? Çdo ditë? Duket aq tmerrësisht tallëse!!!
Më pas një tjetër mundësi për ne është pedalimi në anën e djathtë të çdo rruge, sigurisht në drejtim me trafikun por ama duhet ta provosh që të besosh se hyn në një nga sportet ekstreme.
Dhe, duke qenë se jemi vendi i paradokseve dua të ndaj dhe diçka tjetër që shumë prej jush e dinë por mua ende më duket absurde të paktën mos gjetja e një zgjidhjeje për këtë. Prej gati 2 vitesh ka një dhe VETËM një ligj të qarkullimit rrugor që ÇUDITËRISHT po respektohet ende sot. Dhe ai është ndalimi i qarkullimit të biçikletave në parkun e vetëm kombëtar që ka qyteti i Tiranës, atë të Liqenit Artificial. Me vetëdije e them se pati një kohë të shkurtër ku disa të rinj e të reja të papërgjegjshme, nën euforinë e biçikletave me qira u kthyen një lloj bezdie e në mos rreziku në rruginat e parkut duke pedaluar shkujdesur por kjo. Kjo është si të thuash të "digjet i njomi me të thatin".
Dua të them vendos gjoba, vendos rregull, vendos një orar (!) sepse ne që pedalojmë kemi po aq të drejta sa këmbësorët dhe ndoshta shumë më shumë sesa shoferët të dalim shëtitje me biçikletat tona e të shijojmë të VETMEN hapësirë të gjelbër, të vetmin park që ka Tirana.
Zgjidhje ende nuk ka. Thuuuuhet se do bëhen disa rrugëkalime të reja vetëm për biçikletat por javët bëhen muaj e sigurisht kjo është gjëja e fundit që u intereson shtetarëve tanë.
S'e di si do zgjidhet, ose më sakët në do zgjidhet ndonjëherë qarkullimi rrugor dhe respektimi i tij në Shqipni. Ndoshta asnjëherë. Ne jemi gjithmonë me parimin kalova lumin të dhjefsha kalin. Të ndodh ty po unë kris e iki që mos shkoj në burg për ty! Ja, kjo është Shqipnia...
Milli Bloom