Ata që më njohin e
dinë sa shumë e vlerësoj sinqeritetin dhe mendimin e hapur të dikujt. Prej
kohësh nuk kam dashur ta bëj publik këtë fakt por duke parë sesi asgjë
s’ndryshon e s’ka për të ndryshuar sa kohë ujku i veshur si dele propagandon
rishikimin e krimeve të bëra prej tij vetë e ndjej si detyrë të rrëfej, të
paktën atë që teorikisht quhet një gjysmë e vërtetë, të vërtetën time, nga
eksperienca ime.
Që të mirëkuptohem
prej të gjithëve dua që në fillim të sqaroj dy gjëra: së pari, unë jam njëqind
përqind pro hapjes së dosjeve dhe rishikimit të periudhës komuniste në
Shqipëri. Dhe së dyti, jam pasardhëse e një ish të përndjekuri politik, i cili
nuk ka famën apo bëmat e ca të tjerëve që rëndom hasim në shtyp, a thua se veç
ata kanë qenë “heronjtë” e asaj kohe, por e një njeriu që me thjeshtësinë e tij
më ka rrëfyer për vuajtjet e afro një dekade në burg (Spaç) dhe 5 vitesh
internim. E gjitha për akuzën e zakonshme të kohës, agjitacion dhe propagandë,
“element i rrezikshëm për shoqërinë komuniste”.
Marr shkas të shkruaj
pikërisht nisur nga hipokrizia, paftyrësia dhe fëlliqësia që përfaqësojnë në
vetvete disa individë të caktuar që i kanë dalë për avokatë kësaj çështjeje të
Djallit.
Para disa kohësh pata
fatin, të paktën kështu mendoja asokohe, të punojë në një Institut që do merrej
pikërisht me këtë periudhë të historisë dhe ç’pashë e ç’ndodhi ishte një makth.
E dija fort mirë se nuk do përmbushnim misionin e madh që kishim ndërmarrë por
pak prej motivimit të historisë familjare dhe pak për arsye se vërtet besoja në
këtë çështje, e pranova detyrën. Por nga kjo eksperiencë mora veç zhgënjim dhe
një tufë gënjeshtrash dhe, përfundimisht humba shpresën se në sipërfaqen e
kësaj republike, ka prej tyre që kanë lindur para të le të themi vitit 1975 apo
plus minus 2-3 vite që vërtetë, sinqerisht e kanë në zemër këtë çështje dhe që
mbi të gjitha NUK ka qënë të përfshirë në llumin e asaj që qe komunizmi në
Shqipëri. Më ngrihen qimet përpjetë teksa shoh njerëz që i kanë shërbyer atij
sistemi, që s’i ka hyrë sharra n’gozhdë, që aty-këtu mund të kenë bërë “noi
spiunllik” t’vogël por ama, rëndësi ka që të shkuara të harruara, e sot, janë
nismëtarë, luftëtarë, arë, arë, arë ... në mbrojtje të të përndjekurve politikë,
të vetëquajtur si shoqëri civile.
Për t’ju krijuar një
ide fare të vagullt sesi ishte të punoje për këtë nismë më duhet ta nis dhe
t’ju përshkruaj ata me dhe për të cilët punoja. Funksionarë të shtetit
shqiptarë. Për të ruajtur paak fare “etikën”, do përshkruaj si të ishin
personazhe edhe pse, pjesës së madhe të së cilëve, se ç’mendoj për ta ua kam
thënë në sy ndaj s’kam as edhe një vrarje ndërgjegjjeje por që shqiptarët,
gojëhidhur siç janë, të mos mendojnë se shkuan gjërat si shkuan po bëj një
“sulm” për shkak se më është prekur interesi, sqaroj se nga detyra i largva
pasi nuk munda dot më të bashkëjetoja në atë ambient dhe theksoj, kam patur
mundësi ta bëj publikisht këtë gjë dhe kam zgjedhur t’mos e bëj. Kam patur
mundësi t’i denoncoj pranë autoriteteve dhe s’e kam bërë e as që kam ndërmend
ta bëj. Në një gjë që më ka mësuar im at është se kurrë s’duhet e s’mund të
spiunioj!
Megjithatë, dy fjalë
do i shkruaj. Po nga t’ia nis...?
Po e nis nga komedia e
famshme e Prefektit (që duhet ta them
një shtrembërim komunist dhe ky, por i referohem detajeve). E keni parasysh
Qazim Mulletin? E pra, drejtor na ishte vu ky Qazimi. Nji barkmadh, katnar ka i
katun i hum i Shqipnis qi befas hypi n’ofiq t’nolt ene kur katnaria hyp n’pushtet
zor se zdryp prej anej. U bo ai ene tarafi vet, mikroborgjeza. Me shofera e
makina ku kosto mujore shkonte 400 litra n’muj që ene përshesh me i hongër
velesh ene deputetat me e pas zili. E fillun kshu udhtime e soj e sorollop
situatash që sot, quhen “konflikte të RËNDA interesi” por fundja, shteti ynë
rrumpallë këtë gjë është siguruar fort t’ua plotësojë pusht-etarëve të tij. E
në më lejohet ta shtoj diçka për ish-kryeministrin e vendit tonë, z. Berisha,
më duhet të them se ai ka pas nji veti të jashtëzakonsme me mledh rreth vetit
do plera t’pashoq! Nejse. E bukra e Qazimit qe qi e mate veten për rob me
kalturë ene kishte bo shkoll thoshte, laaaaarg nji vend n’fun t’botës. Por do
qi, edhe pse kish i cop shkoll ai s’qi i zoti me e reflektu at’ kaltur dhe veç
nji rast do ju dëftej. Në nji takim zyrtar me do funksionar t’nji instituti
serioz n’Gjermani, kit Qazimin na e zu i gjum, me t’gërrihtme aq t’forta se
gjermoni desh psoi krizë nervore. Po amaaa ishin t’gërrihtme drejtori! Kët s’e
moho dot kush prej 20 e kusur të pranishmëve në takim!
Po i lë me kaq, se do
t’më duhet të bëj një libër me vete me bëmat e drejtor Qazimit por i dua pemët
e s’ia vlen me harxhu kart e pen për pislliqet e dikujt i cili, krejt tjetër
thotë, krejt tjetër mendon dhe krejt tjetër bën! Një njeri që asnjëherë s’e
dëgjon të përgëzojë e të thotë faleminderit me zemër, as vartësve, kurrë! Një
njeri që gënjen rëndom për 90% të gjërave që thotë mirë që gënjen, po ka dhe
një të metë që ia ka dhënë Zoti dhuratë si për ta fundosur edhe më: s’mban mend
ato që thotë sot me nesër, por lavdi që s’jemi të gjithë njësoj e kështu na
jepet mundësia të qeshim me vete ndërkohë që njerëz si këta vjellin pallavrat e
rradhës.
Pastaj kemi zëvendësin
e Qazimit. Po e quajmë Çeço. Çeço që thoni ju miq të dashur ishte më kopil se
Qazimi, kuptohet jo fort larg tij sepse të dy ishin aty për interes të vet
personal. E kishte të kuptuar fare mirë që gjithçka ishte farsë dhe gjithçka e
vinte në funksion të vet. E kalonte kohën në kafe duke shtrydhur trutë e duke shkruar
artikuj për 2 çika leka dhe jo në apo për Institutin që përfaqësonte. S’e ka
bërë kurrë dhe meqë ra fjala si zëvendës nuk ka pranuar KURRË ta përfaqësojë
Qazon. Për interesa të ngushta, si ato që ekzistojnë vetëm në Shqipëri, Çeço i
thoshte derrit dajë. Kishte nënvete nëpunëse të cilat me t’i fal me t’dhon dhe
noi lek s’i merrte kush për gjë por amaaa Çeço i mbronte me mish e me shpirt
dhe, nëse e pyesje apo i kërkoje diçka, qotë edhe a e bëjmë dot një konferencë
nesër, një libër për 3 javë etj.etj., shprehja e tij e preferuar ishte “Po
bëhet or burr, ç’është ajo fjalë!” Nëpunëset e Çeços në më shumë se njëmijë e
ca ditë punë në zyrat e shtetit shqiptar nuk kanë lënë as edhe një shkresë
zyrtare hartueset e të cilave të ishin ato, asnjë raport dhe as famëmadhin
arkiv që raportohej të ishte shumë, shuuuumë i madh. Ha!
Pastaj, e fundit por
jo më pak e rëndësishme kemi Drejtoricën. Kjo zonja mu fiks si dhelpër kishte
prejardhje nga familje ish të persekutuarish, familje të nderuara por që ...
ajo s’i bëri nder mbiemrave që mbante. Drejtorica herë-herë ishte i qengj e
urtë, nga ata qengja që kapën për flokësh kapitalizmin dhe mësuan të pinin jo 2
por më shumë nëna. Piu te Qazimi sa u nginj, mbaroi gjithë punët në Europë e
përtej Atlantikut ku dhe kur të donte dhe s’la shkruar për be asnjë rresht në
vendin e punës jo për gjë, po ku i dihet mos lëmë gjurmë e t’na kapë armiku!
Dhelpra s’u besonte as fëmijëve të saj e lëre më pastaj Qazimit e Qazimrave të
tjerë. E vetëdijshme që ai i kishte ofruar punën vetëm për ta përdorur për
synimin e tij për t’u “promovuar” si thonë sot, përtej vatanit por ah, dhelpra
s’ishte budallaqe! Mori ç’desh dhe kurrë nuk i dha asgjë. Më thoshte gjithnjë,
“maro punët e tuja, qar sa jemi ktu marrim lekët!”.
E kështu “qyfyret” nga
shtëpia e luftës së betuar kundër komunizmit...
Këto tri karaktere nuk
i përshkrova pa qëllim. Për mua ata s’janë gjë tjetër veçse Njeriu i Ri që socializmi prodhoi. Po,
po! Sado që ata pretendojnë se janë antikomunistë janë pashmangshmërisht pjellë
e komunizmit. Ata janë njeriu i ri i cili mësoi të bishtnonte, i cili s’i beson
kurrkujt (atëherë i besonte Partisë, sot i beson VETËM parasë), mostra pa
shtyllë kurrizore që janë mbrujtur me urrejte dhe vuajnë nga komplekse të
ndryshme inferioriteti. Të lindur e rritur në atë kohë, të detyruar ndoshta në
fillim por më pas thonë se të hyn në qejf dhe madje është njëri mes tyre që
thonë se ka dy emra. Njërin Qazim e tjetrin Plepi!
Por sa të vërteta ka në mes duhet që të hapjen dosjet e ta marrim vesh.
Më duhet të ndal edhe
tek kryetarët/drejtorët e Instituteve a Shoqatave të kësaj shtrese, të gjithë
ata, prej 23 vitesh nuk kanë bërë gjë tjetër veçse të përdoren si marioneta për
qëllime politike nga X apo Y parti në pushtet dhe, një tjetër karakteristikë e
trashëguar dhe kjo nga komunizmi, e famshmja luftë brenda llojit. Një nga
habitë më të mëdha që më ka ndodhur të përjetoj ndërkohë që punoja me ta ishte
mënyra sesi thuajse të gjithë akuzonin bashkëvuajtësit si bashkëpunëtorë. Ku me vend e ku pa vend këto akuza për gjendjen e
tyre kanë qenë fatale! Edhe ky problem është i lidhur pashmangshmërisht me
hapjen e dosjeve, ato do të sqaronin gjithçka. Cili thotë të vërtetën e cili
jo! Dhe rrjedhimisht nuk do drejtonin Shoqata e Institute njerëz që moralisht
nuk u takon të jenë aty dhe as që e kryejnë detyrat për të cilat thonë se japin
shpirtin e janë kanë punuar pafund, pafund... Ka prej tyre siç është Insituti i
Integrimit i cili varet nga Ministria e Drejtësisë dhe pa përfaqësuar
denjësisht anëtarët e tij nuk ka humbur shansin t’i turpërojë dhe t’i përçajë
ata apo Instituti i lartëpërmendur por, veçanërisht do doja të ndalesha tek
Qendra për Rehabilitimin e Traumës dhe Torturës e cila s’ka bërë as edhe një
gjë për rehabilitimin e personave që kanë qenë në burgje dhe internime. Kam
vetëm nja dy broshura në shtëpi, të botuara me financim të ndërkombëtarëve e që
janë artikuj (ndoshta dhe thjesht të përkthyer) pa kurrëfarë vlere KONKRETE për
këtë shtresë. Kam patur fatin të takoj e të bisedoj me shumë ish të persekutuar
dhe më rezulton që kanë nevojë për psiokologë dhe trajtim psiko-emocional për
shkak të traumave pësuar gjatë viteve të vuajtjeve. Ata vuajnë nga makthet dhe
pagjumësia e deri në rastet më të vështira, ku shumë prej tyre kanë humbur
ekuilibrin mendor apo kanë kryer vetëvrasje. Çfarë është bërë për ta?! ASGJË!
Në të kundërt të veteranëve që shtohen çdo vit e duket se s’vdesin kurrë (do
jetë veti e shpirtit komunist!), të përndjekurit politik të diktaturës komuniste,
ata, ata po vdesin çdo ditë...
Për dosjet është folur
e vazhdohet të flitet pafund. Shoh dhe se hapja e dosjeve, lustracioni dhe
vënia e drejtësisë në vend nuk shihet si çështje thelbësisht e rëndësishme për
vetëdijen e shoqërisë shqiptare, në nderim të atyre që padrejtësisht kanë
humbur jetën dhe atyre pak që ende janë gjallë, në emër të brezave që do të
vijnë që t’mos jemi një komb me kujtesë të deformuar apo në skenarin më të keq
të mundshëm, pa kujtesë fare. Por shoh që shoqëria civile është shumë e
shqetësuar për integrimin europian, për Europën. Kjo është e neveritshme dhe patetike!
Për të ardhur keq, shumë keq! Në thelb është edhe kjo trashëgimi e komunizmit
ku, aman mos marrin vesh fqinjët se spiunojnë, pra ta bëjmë për të tjerët, vetë
le t’na marrë lumi! Edhe pse duhet të rikujtoj se po të mos ishte për presionin
që ushtruan disa europarlamentarë, gjerman veçnërisht, qeveria shqiptare s’do
kishte ngritur një institut fiktiv si ai që ka marrë përsipër zbardhjen e
krimeve apo për mënyrën sesi nuk janë dëmshpërblyer apo sesi nuk ka kaluar në
parlament ligji për lustracionin plotë tri herë.
Nëse do duhet që
patjetër të artikuloj një përfundim të këtij shkrimi s’jam fort e sigurt a mund
ta bëj me pika, pastër, bukur dhe pa
tepri por ama, jam e sigurt për diçka: nuk ka patur deri më sot dhe as nuk do
ketë një pastrim të vërtetë shpirtëror të shoqërisë shqiptare, as hapje dosjesh,
as lustracion dhe as drejtësi para ligjit për sa kohë individë të lindur e
brumosur në komunizëm nuk heqin dorë një herë e përgjithmonë nga gësnjeshtrat,
të bëhen BURRA e të dalin haptazi e publikisht me mea culpa-n e tyre ose të tërhiqen MENJËHERË nga detyra e avokatit
të Djallit që është edhe më e dëmshme dhe më ofenduese për të gjithë ata që
dhanë shpirt në tortura e akuza absurde, të gjithë ata që janë zhytur e
varrosur të gjallë në këneta, gjithë ata që e ndërtuan me duart e tyre
Shqipërinë dhe pa turp konsideroheshin armiq të popullit!
O dorëzoni “armët” ose
qepeni gojën njëherë e përgjithmonë!
Detyrën, unë mendoj në
mënyrë organike do e bëj një brez i ri, si unë dhe si shumë miq të mi të lindur
në vitet ’80 e pas të cilët VËRTETË e kanë përzemër kujtimin e gjyshërve që s’i
njohën kurrë apo të baballarëve që fatmirësisht janë ende gjallë për të rrëfyer,
të cilët nuk mund të akuzohen si bashkëpunëtorë e që janë të papërlyer në afera
pushtetarësh.
No comments:
Post a Comment