Pages

Thursday, January 21, 2010

Kronologjia e James Joyce-it

1902- 1903: (mosha 20-21)
Shkon të studiojë për mjekësi në Paris. 

1903: (mosha 21)
Prill: Kthehet në Irlandë për shkak të nënës së sëmurë. 
Gusht: E ëma i vdes nga kanceri.

1904: (mosha 22)
Mars - Qeshor: jep mësim në shkollën “Clifton” në Dalkei.
Qeshor: takon Nora Barnacle.
9-15 Shtator: jeton me Gogarty-n and Trench-in në Kullën Martello.
Tetor: Niset nga Dublini për të jetuar në kontinent. 
Jep anglisht në Berlitz School në Pola (atëherë Itali, sot Jugosllavi). 

1905: (mosha 23)
Mars: transferohet në Berlitz School në Trieste.
27 Korrik: lind Giorgio, i biri.
Tetor: Stanislaus Joyce shkon të jetojë në Trieste.
Nëntor: I dorëzon dorëshkrimin Dublinasit, Grant Richards-it. 

1906: (mosha 24)
Korrik: transferohet në Romë ku kryen detyrën si korrespondent banke.
Rikthehet në Trieste rreth fundit të vitit. 
1907: (mosha 25)

Punon dhe një herë pranë Berlitz School, por mësimet private janë më frytdhënëse
Maj: botohet “Chamber Music” (“Muzikë Dhome”). 
Korrik-Gusht: Joyce-i sëmuret dhe shtrohet në spital. 
26 Korrik: lind e bija, Lucia Anna. 

1907-1908: (mosha 25-26)
Shkruan artikuj për revista, gazeta, mban leksione, jep mësim, ndjek si tutor nxënës dhe merr borxhe (veçanërisht nga Stanislaus-i), Joyce-i përpiqet të mbajë familjen dhe gjithashtu, shkruan.
Nis dialogjet e “Heroi Stiven” më pas “Portreti i Artistit në Rini”; "e përpunonon dhe e përmbledh punën në 5 kapituj, 253 faqe, të cilat dalin periodikisht 1914-1915 për t’u botuar më pas më 1916". 

1908 (mosha e Joyce-it 26)
Gusht: Nora aborton. 

1909: (mosha 27)
1Gusht: Joyce-i kthehet në Irlandë me Giorgio-n.
Shtator: Nënshkruan një kontratë për botimin e “Dublinasit” me Maunsel & Co. në Dublin.
9 Shtator: Rikthehet në Trieste me Giorgio-n dhe motrën e tij të vogël Evën.
21 Tetor: rikthehet në Dublin me mbështetjen e disa biznesmenëve triestinë për të hapur teatro në Irlandë.
20 Dhjetor: hapet kinemaja “Volta” në Dublin, me ndihmën e joyce-it.

1910: (mosha 28)
Janar: Rikthehet në Trieste dhe “Volta” shitet.
Korrik: Maunsel & Co. shtyn publikimin e “Dublinasit” për shkak të “sinqeritetit” të tij.

1911: (mosha 29) 
Eva Joyce-i rikthehet në Dublin.

1912: (mosha 30)
Korrik-Shtator: bën udhëtimin e fundit në Irlandë, viziton Galway-n po ashtu edhe Dublinin.
Nuk bind dot botuesin Maunsel & Co.për të botuar “Dublinasit” dhe botuesi gris dorëshkrimin.

1913: (mosha 31)
Joyce-i fillon punën për të vetmen pjesë teatrale që na ka mbetur prej tij: “Exiles”(“ Të mërguarit”) të cilën e përfundoi më 1915 dhe u botua më 1918. 

1914: (mosha 32) 
Janar: Grant Richards-i bie dakord të botojë “Dublinasit”.
2 Shkurt, 1914 deri më 1 Shtator, 1915 “Portreti i Artistit në Rini” botohet periodikisht tek “The Egoist”. 
Mars: fillon punën me “Uliksin”.
15 Qeshor: botohet “Dublinasit”. 

1915: (mosha 33) 
Qeshor: transferohet në Zyrih. 
Gusht: I jepet një çmim (financiar) nga Fondi Letrar Mbretëror.

1916: (mosha 34) 
Shtator: i jepet një grant nga Fondi i Thesarit Britanik.
29 Dhjetor: “Portreti i Artistit në Rini” botohet në New York nga B. W. Huebsch.

1917: (mosha 35)
“Portreti i Artistit” botohet më 12 Shkurt.
Joyce-i shkruan tri kapitujt e parë të “Uliksit”.
Joyce-i merr dhurimin e parë nga znjsh.Harriet Weaver, anonimisht.
Problemet me sytë përkeqësohen, duke e detyruar të bëjë operacionin e tij të parë.
Joyce-i me këshillë të mjekut shkon në Lusernë për shkak të klimës së lagësht.

1918 (mosha 36)
Joyce-i kthehet në Zyrih.
Tri kapitujt e parë të “Uliksit” botohen periodikisht tek “Little Review” (New York).
Joyce-it i jepet një rrogë mujore në mënyrë që të vazhdojë të shkruajë nga zonja e Harold McCormick.
Sëbashku me Claud W. Sykes-in, Joyce-i mbështet trupën “Interpretuesit Anglezë”.
“Interpretuesit Anglezë” shfaqin prodhimin e tyre të parë, “Rëndësia e të qenit i ndershëm” të O.Wilde-it, më 29 Prill.
Një zënkë mbi rrogën e aktorit kryesor i çon në gjyq.
Botohet “Të Mërguarit” (Exiles) në Londër më 25 Maj.
Joyce-i njihet më Frank Budgen.

1919 (mosha 37)
Joyce-i me familjen kthehet në Trieste, ku jep mësime anglishteje në një shkollë Tregtare.
Joyce-i refuzon të vëzhgohet nga psikanalisti Carl Jung, gjë që shkakton ndërprerjen e mbështetjes nga znj.McCormick.
Joyce-i vazhdon punën me “Uliksin”, i cili botohet periodikisht nga Janari në Dhjetor tek revista “The Egoist”. “Little Review” vazhdon botimin periodik të romanit.
Znjsh.Weaver e vazhdon mbështetjen e saj për Joyce-in.

1920 (mosha 38)
Joyce-i takohet në Itali me Ezra Pound-in.
Në Korrik Joyce-i me familjen transferohet për të jetuar në Paris, me sugjerimin e Ezra Pound-it.
Joyce-i njihet me Sylvia Beach, pronare e librarisë Shakespeare & Co. Ajo bie dakord të ndërmarrë botimin e “Uliksit”. 

1921 (mosha 39) 
Joyce-i përfundon “Uliksin”.
Joyce-i bie dakord që Beach ta botojë në Prill në Paris.
Joyce-i njihet me Arthur Power dhe Stuart Gilbert. 

1922 (mosha 40) 
Më 2 Shkurt, “Uliksi” botohet nga “Shakespeare & Co” e Beach-it dhe Joyce-it i jepet një kopje advancë në ditëlindjen e tij të 40-të.
Kundër dëshirës së Joyce-it, Nora merr fëmijët dhe shkon për të vizituar Galway-n gjatë Luftës Civile Irlandeze dhe treni me të cilin ata udhëtonin merr papritmas flakë. 
Joyce-i planifikon në Maj një udhëtim për në Londër por e anullon për shkak të irritimit të vazhdueshëm të syve. 
Joyce-i udhëton në Gusht për në Londër dhe qëndron në Hotelin Huston, ku dikur kishte qëndruar edhe Parnell-i, gjithashtu aty takon znjsh.Weaver. 
Joyce-i kthehet në Paris në fund të Shtatorit. 
Joyce-i udhëton drejt Nicës me qëllimin për ta kaluar aty dimrin por është i detyruar të kthehet në Paris. 
Në Nëntor Joyce-i i trajton sytë e tij me shushunja. 

1923 (mosha 41) 
Joyce-i nis të shkruajë “Zgjimi i Fineganëve” (Finnegans Wake), të cilit nuk i jep një titull por e quan “Work in Progress”.
Joyce-i me familjen e viziton Londrën dy herë. 
Joyce-i heq në Prill të gjithë dhëmbët. 
Joyce-i merr më shumë para nga znjsh. Weaver. 

1924 (mosha 42)
Botohet në New York “James Joyce: His First Forty Years” Herbert e Gorman-it. Fragmenti i parë i “Work in Progress” botohet tek “The Transatlantic Review”.
Joyce-i indinjohet për shitjen e dorëshkrimit të “Uliksit” W.B.Rosenbach-ut.
Një pjesë e “Ulliksit” botohet në frengjisht tek “Commerce” gjatë verës.
Joyce-i kryen të tjera operacione për sytë.
Joyce-i paguan Patrick Tuohy-n për t’i bërë një portret.
Joyce-i me familjen qëndrojnë në Britani prej Korrikut deri në mes të Gushtit.
Joyce-i me familjen shkojnë në Londër për tri javë në Shtator.

1925 (age 43) 
Pjesë të “Work in Progress” botohen tek “Criterion” në Korrik dhe tek “Navire d’Argent” në Tetor.
Në fund të Korrikut Joyce-i shkon në Fikamp.
Në Gusht Joyce-i shkon në Arkaçon.
Kthehet në Paris në Shtator.
Joyce-i udhëton për në Normandi.
Giorgio, i biri, nis një marrëdhënie me Helen Kastor Fleischmann-in, një amerikane njëzet vjet më e madhe se ai.

1926 (mosha 44)
Stanislaus-i viziton Parisin dhe nuk i lë shumë mbresa “Work in Progress”.
Joyce-i udhëton drejt Antuerpit, Brukselit dhe Vaterlosë.
Joyce-i organizon një fushatë kundër Samuel Roth-it, i cili botoi në mënyrë pirate “Uliksin” në Amerikë.

1927 (mosha 45)
Më 5 Korrik botohet nga Shakespeare & Co libri i dytë me poezi, “Pomes Penyeach”. 
Joyce-i, i mërzitur dhe i depresuar nga komentet e miqve për “Work in Progress”, konsideron idenë që ta braktisë këtë projekt.
Më 2 Shkurt, bën bujë ndërkombëtare protesta kundër botimit pirat të “Uliksit” në Shtetet e Bashkuara.
Në Prill, Eugene Jolas nis botimin e “Work in Progress”.
Gjithashtu në Prill, Joyce-i shkon në Londër ku është i ftuar nderi në darkën e Klubit të Shkrimtarëve.
Joyce-i kalon Majin dhe Qeshorin në Hagë dhe Amsterdam.

1928 (mosha 46)
Në Mars Joyce-i shkon në Ruen.
Në Prill shkon në Tulon dhe kthehet në shtëpi në Maj.
Joyce-i është në Salzburg nga Korriku deri në mes të Shtatorit.
“Anna Livia Plurabelle” botohet më vete në 20 Tetor në New York.
Joyce-i boton pjesë të “Work in Progress” në New York, në mënyrë që të mbrojë të drejtat e tij si autor.
Nora kryen një operacion të vështirë por të suksesshëm në Nëntor, pasi familja kthehet në Paris.
Joyce-i vuan nga inflamacioni i stomakut gjithashtu mjekohet me injeksione arseniku dhe fosfori në sy.
Joyce-i shpreh dëshirën që ta përfundojë James Stephens “Work in Progress” nëse ai do të verbohej.

1929 (mosha 47)
Nora pëson një histerektomi.
Në Shkurt botohet përkthimi i “Uliksit” në frengjisht, të cilin Joyce-i e ndoqi personalisht.
Joyce-i kryen operacione të shumta tek sytë.
“Tales Told of Shem and Shaun” (“Rrëfenja për Shemin dhe Shaunin”) botohet në Gusht.
Joyce-i kalon disa ditë në Londër gjatë Korrikut dhe Gushtit, një muaj në Torkuej, dhe disa të tjera në Bristol.
Në Londër Joyce-i regjistron në gramafon “Anna Livia Plurabelle”.

1930 (mosha 48)
Stuart Gilbert boton analizën e parë mbi “Uliksin”, i titulluar “Uliksi i Xhejms Xhojsit” (“James Joyce's Ulysses”).
Në Janar Joyce-i nis një fushatë për të mbështetur tenorin francezo-irlandez John Sullivan-in.
Joyce-i refuzon parathënien e shkruar nga Carl Jung-u në përkthimin gjerman të “Uliksit”.
Në Maj dhe Qeshor, Dr. Alfred Vogt nis operacionet në sytë e Joyce-it në Zyrih.
Në Korrik dhe Gusht Joyce-i kalon kohë në Londër, Oksford dhe Llandudno (Uells).
Në Shtator, Joyce-i aksidentohet nga një motor në Etretat.
Më 10 Dhjetor, i biri, Giorgio, martohet me amerikanen Helen Kastor Fleischmann.
Joyce-i miqësohet me Paul Leon-in.
Herbert Gorman-i nis të shkruajë një biografi mbi jetën e Joyce-it.
Me urdhër të Joyce-it, Beach i jep të gjitha të drejtat mbi “Uliksin”.

1931 (mosha 49)
Joyce-i kalon disa ditë Prilli në Vesbaden.
Në fund të Prillit Joyce-i me familjen e lënë apartamentin e tyre në Paris për t’u vendosur në një rezidencë në Londër në Maj.
Joyce-i dhe Nora martohen zyrtarisht në Londër në mënyrë që Giorgio dhe Lucia të mund të trashëgojnë të pasurinë tyre.
Në Shtator familja sërish largohet nga Londra për të shkuar në Paris ku do të kalonin dimrin.
Lucia, vajza e Joyce-it, shfaq shenja të sëmurjes mendore.
Më 29 Dhjetor, në moshën 82-vjeçare, babai i Joyce-it, John Stanislaus Joyce, vdes në Dublin.

1932 (mosha 50)
Më 15 Shkurt, lind nipi i tij, Stephen James Joyce, nga djali Giorgio dhe gruaja e tij Helen.
Lucia fejohet me Alex Ponisovsky-n por në Mars e kap një krizë mendore dhe diagnostikohet si “hebefrenike”.
Joyce-i i blen së bijës një peliçe si terapi për sëmundjen e saj.
Joyce-i and Nora planifikojnë për të shkuar në Prill në Londër por protestat e dhunshme të Lucia-s bëjnë që të anullojnë udhëtimin.
Joyce-ët kalojnë Korrikun deri në Shtator në Zyrih.
Gjatë kësaj periudhe, Joyce-i dhe Nora shkojnë për të vizituar Lucia-n në Feldkirsh, Austri. Ajo po qëndronte tek znj.Eugene Jolas.
Në mes të Shtatorit ato udhëtojnë për në Nisë dhe Lucia i shoqëron.
Paul Leon-i bëhet sekretari i Joyce-it.
Joyce-i shkruan “Ecce Puer,” me të ciliën feston dhe ditëlindjen e të atit dhe i bën homazh atij.
Në Tetor, Joyce-i refuzon ftesën e Yeats-it për t’iu bashkuar Akademisë Irlandezë të Letrave.

1933 (mosha 51)
Në Maj kthehen në Zyrih.
Syrit të djathtë të Joyce-it i përcaktohet diagnoza si “i kalcifikuar dhe me retinë të atrofizuar”.
Në Korrik, Lucia vizitohet nga një psikiatër i Spitali Mendor i Zyrihut dhe shtrohet në një shtëpi rehabilitimi.
Joyce-i dhe Nora kalojnë verën në Evian për të qënë më pranë Lucia-s.
Më 6 Dhjetor, Max L. Ernst sfidon dekretin amerikan për “Uliksin” i cili akuzohej si pornografik, gjykatësi John M. Woolsey nxjerr një tjetër dekret duke deklaruar se ai nuk është pornografik dhe duke i dhënë kështu mundësinë romanit të botohej edhe në Amerikë.

1934 (mosha 52)
Në Shkurt, “Uliksi” botohet në New York. 33.000 kopje shiten në dy muaj.
Në Mars, Joyce-i bën një udhëtim me miq në Grënoblë, Zyrih dhe Monte Karlo.
Në Prill, Joyce-i shkon në Zyrih për t’u konsultuar me Dr.Vogt-in.
Giorgio dhe familja e tij shkojnë në Shtetet e Bashkuara në Maj, në mënyrë që ai të vazhdojë karrierën si këngëtar. Ata do të qëndrojnë deri në Nëntor të 1935-ës.
Lucia sulmon fizikisht të ëmën dhe rikthehet në qendrën e rehabilitimit, ku i vë flakën dhomës. Ajo dërgohet në spital dhe më pas në një tjetër qendër rehabilitimi të drejtuar nga Carl Jung-u.
Në fund të Gushtit, Joyce-i shkon në një qendër Spa në Belgjikë.
Në Shtator ai udhëton për në Zyrih dhe Gjenevë, do të qëndronte në Zyrih deri në fund të vitit për t’i qëndruar pranë Lucia-s.
“Uliksi” botohet ne New York nga Random House.
Botohet “James Joyce and the Making of Ulysses” i Frank Budgen-it.

1935 (mosha 53)
Joyce-i kthehet në Paris nga Zyrihu rreth fundit të Janarit.
Në Shkurt Lucia-n e dërgon në Londër.
Lucia qëndron nga Marsi deri në Korrik në Irlandë duke u përkeqësuar shumë mendërisht. Më pas ajo dërgohet në Paris tek Maria Jolas. Ajo kalon Gushtin deri në Dhjetor nën kujdesin e znjsh.Weaver. Spitali e konsideron si të rrezikshme dhe ajo dërgohet në një manastir ku do të qëndrojë deri në fund të jetës.
Në Shtator Joyce-i kalon disa ditë në Fontainebleau.

1936 (mosha 54)
Në Dhjetor botohet në New York “Collected Poems” (“Poezi të zgjedhura”).
Në Korrik, tek “Chaucer ABC” botohet një korrespondencë e plotë mes tij dhe Lucia-s si mënyrë për ta mbështetur Joyce-in dhe për ta bërë atë (Lucia-n) të ndjehej mirë.
Joyce-ët e kalojnë Gushtin dhe Shtatorin në Danimarkë, gjithashtu vizitojnë Kalvadosin, Kopenhagenin, Bonin dhe Zyrihun.
John Lane boton “Uliksin” në Londër.
Stanislaus-i dëbohet zyrtarisht nga Trieste.
Stanislaus-i dhe Joyce-i takohen në Zyrih.

1937 (mosha 55)
Joyce-i punon për përkthimin në italisht të “Anna Livia Plurabelle” me Nino Frank.
Joyce-ët kalojnë Gushtin në Zyrih dhe Shtatorin në Dipe.
Punon mbi fragmentin e fundit të “Work in Progress” duke u titulluar përfundimisht “Finnegans Wake” (“Zgjimi i Fineganëve”).
Në Korrik Joyce-i ftohet për një darkë nga Klubi i Shkrimtarëve për të mbajtur një fjalim mbi të drejtat e autorit.
Joyce-i i bën vizita të përjavshme Lucia-s.

1938 (mosha 56)
Joyce-i përfundon “Finnegans Wake”, por me shumë vështirësi për shkak të shikimit të tij. Do të botohet në New York dhe Londër.
Joyce-i merr masa për të evakuuar Lucia-n në rast se niste lufta.
Helena, gruaja e Giorgio-s, pëson një dobësim nervor, duke paralajmëruar fundin e martesës së tyre.
Joyce-ët Gushtin dhe Shatorin në Zyrih dhe Luzanë.

1939 (mosha 57)
Më 4 Maj, “Finnegans Wake” botohet. Një kopje në advancë i jepet Joyce-it në përvjetorin e 57-të.
Joyce shkon për të vendosur kurorë në funeralin e Yeats-it.
Joyce-i kalon Korrikun në Etretat.
Në Gusht, Joyce-ët shkojnë në Bernë.
Në Shtator, ndërkohë që Joyce-i ishte në Zyrih duke kuruar sytë, shpallet lufta. 
Joyce-ët shkojnë të kalojnë Krishtlindjet në St. Gerand-le-Puy pranë Vishisë, aty ku qëndronte Lucia.

1940 (mosha 58)
Një version i përpunuar i “James Joyce” i Herbert Gorman-it botohet në New York.
Francaebie nën pushtimit nazist në Maj. 
Më 14 Dhjetor, pas bisedimeve të shumta e të gjata për të siguruar një leje për të hyrë në Zvicër, Joyce-ët kthehen në Zyrih. Po rata s’mundën dot të nxirrnin të njëjtën leje për Lucia-n.

1941 (mosha 59)
Më 10 Janar, Joyce-i pëson dhimbje të shumta në abdominale, për të cilat dërgohet në spital. Aty zbulohet se ka një ulcer të përparuar dhe operohet më 12 Janar. Para se të binte në koma ai kërkon gruan dhe djalin. Ai ndërron jetë në 2:15 pasdreke më 13 Janar, ai varroset në varrezën Fluntern në Zyrih, pa ritet e fundit kishtare.

1951
Nora vdes dhe varroset veçmas, në varrezën Fluntern.

1966
Trupat e Norës dhe Joyce-it rivarrosen sëbashku.




Përktheu: Milli Bloom

Wednesday, January 13, 2010

Dekonstruksion* i tregimit “Të vdekurit” të James Joyce-it



James Joyce ka lënë shumë hapësirë për interpretim teksa endte tregimin e tij të shkurtër, “Të vdekurit”, duke krijuar karakterin e dykuptimtë të Gabrielit – një emër i huazuar nga një roman i hershëm i Bret Harte-it – qëllimet e tij duken të veçanta, të mirëmenduara e të vështira për t’u hedhur poshtë. 
Kjo, si rrjedhim, lë hapësirë që vepra të shihet nën vështrimin post-strukturalist. Duke dekonstruktuar skenaret e përcaktuara e të papërcaktuara me nënkuptimet e shumëfishta, dikush mund ta “lexojë” tekstin në një pafundësi mënyrash. Duke përdorur qasjen dekonstruktiviste, vetë rrëfimi, me protagonistët dhe autorin, ndryshojnë shpejt dhe vazhdimisht, duke mos lënë një interpretim më poshtë se tjetri, por vetëm si përfundim.
Ndërkohë që qëllimet e vërteta të Gabriel Conroy-it fshihen gjatë rrëfimit nga një narrator i gjithëdijshëm, veprimet e tij kërkojnë pasoja dhe mënyra e tij e të sjellurit i hap rrugë emocioneve të papërpunuara. Joyce-i gjithashtu realizon futjen e veprimeve të mëvonshme si: rrëfimi i hollë, historitë e së kaluarës, antagonistët dhe Nënën Natyrë. Këto karakteristika, të kombinuara me interpretimin e kujdesshëm të nëntekstit, ndihmojnë lexuesin me ballafaqimin e konceptit që Joyce-i kishte për Gabrielin tek “Të vdekurit”. 
Ross Murfin-i, në esenë e tij “Deconstruction and "The Dead", përcakton termin “dekonstruksion” si dy entitete të veçanta të cilat nuk janë reciprokisht përjashtues, megjithëse të kundërta në natyrë. Ai përdor filozofinë e Derrida-s, i cili e shpiku termin dekonstruksion, për ta çuar më tej besimin e tij se një tekst mund të ketë një shumësi interpretimi duke përdorur faktorët kontekstualë dhe motivimet karakteriale si bazë provash për këtë. Lexues të ndryshëm, me përgatitje të ndryshme mund ta kuptojnë ndryshe veprën; dikush që njeh biografinë e Joyce-it mund të gjejë një pjesë thelbësore të vetë Joyce-it tek Gabrieli. Sipas esesë së Daniel R.Schawrz-it “A Critical History”, Joyce-i u martua me Nora Barnacle, e cila kish qenë më parë e dashuruar me një djalë të quajtur Michael "Sonny" Bodkin. Bodkin-i lindi shëndetlig dhe shpejt zuri shtratin, por me të marrë vesh që Nora po bëhej gati të linte Dublinin, qëndroi jashtë, në shi duke pritur që ta shihte të ikte. Lajme të mëvonshme treguan se Bodkin-i kishte vdekur. Ata që nuk i njohin këto fakte të jetës së Joyce-it mund ta lexojnë tekstin në një tjetër hulli sesa ata të cilët shohin të rrëfyer aty një histori të komplikuar dashurie. Megjithatë, fundi i rrëfimit ofron një kthjelltësi më të madhe sesa pjesë të ndryshme të tij; Gabrieli mediton mbi jetën e tij ashtu si edhe një herë nis të bjerë bora në udhën ku ai qëndron. Dija që tashmë martesa e tij me Gretën ishte bërë nën pretendime të rreme, lexuesi sheh një anë të errët të Gabrielit, atë që i lejon (lexuesit) të kuptojë shpejt dhe shkurt veprimet e tij të kaluara, por njëkohësisht duke mos ofruar ndonjë shpresë për të ardhmen.
Dikush mund të diskutojë qëndrimin e rrëfyesit se Gabrieli është duke parë vdekjen me sy që të ketë paqe me veten. Është e mundur që ai, gjithashtu, të jetë duke u shuar nga thyerja e zemrës, jo vetëm prej Gretës, por për veten e tij. Ndërkohë që shkaku i vdekjes së Michael Furey-t është pneumonia, shkak për motivimin që veproi kështu qe thyerja e zemrës. Gabrielit mund t’i vijë vdekja përballë apo mund të jetë një i vdekur për së gjalli në atë natë të acartë. 

Kritiku John Paul Riquelme gjithashtu mban një qëndrim dekonstruktiv për skenarin e lartpërmendur, në esenë e tij “For Whom the Snow Taps: Style and Repetition in "The Dead." Ai shqyrton dy interpretime të mundshme: Gabrieli do të heqë dorë nga veprimet e tij të gurta dhe të pranojë natyrën e gabimeve të tij apo thjesht do të heqë dorë - “…ai kalon diçka të ngjashme me vdekjen, e përfaqësuar me vendimin e tij për të udhëtuar drejt Perëndimit, prej të cilit s’do të ketë kthim prapa.” Këtu, Riquelme-i paraqet dy interpretime të mundshme të skenarit të cilat figurativisht e vendosin Gabriel-in sferën e të gjallëve apo edhe të të vdekurve. Provat e përshtatshme duket se rrethojnë i bëjnë të vlefshme të dyja interpretimet; qëllimet e Joyce-it ngjasojnë bindëse në të dy sfondet ndërkohë që mbetët i hapur ndaj ideve të reja. Gabriel-i bëhet një mik i dashur për lexuesin; dikush dëshiorn të shohë djallin që fle brenda tij. 
Në defektet e tij, dikush sheh shpresë, në fajet e tij, të tjerë shohin dorëzimin.
Sa më shumë të shihet teksti, leximi ndryshon. Duke patur parasysh qasjen dokonstruktiviste aspekte të ndryshme të tekstit dalin në sipërfaqe; pavetëdijshëm duke mbledhur shumë aluzione dhe duke i kombinuar ato me faktorë të mëtejshëm kontekstualë, po ashtu edhe me motivimet realiste të jetës së Joyce-it, konceptet e Murfin-it dhe Riquelme-it mbesin të vërteta. 
Detaji i borës ka kuptim më të thellë ndërsa ai i shiut çon në një lidhje të drejtpërdrejtë. Dekosntruksioni pozitiv lejon një interpretim më plotësues dhe gjithëpërfshirës duke kaluar me tangente të ëmbla dhe kurrë duke përfshirë prova të forta. Një tekst thuret për t’u lexuar në mënyra të ndryshme; shumë lexues janë dekonstruktivistë pa qenë në dijeni se janë të tillë.
Eseja e Riquelme-it hap dyert për shumë interpretime dokonstruktiviste të historisë së shkurtër “Të vdekurit”. Megjithse jo të gjithë lexuesit mund të jenë dakord me formulimet e tij, vlen për t’u theksuar se ekzistojnë qasje të tjera ndaj tekstit dhe gjithkush është i lirë të formulojë atë që mundet. Dekonstruksioni i kërkon lexuesit të vërë vetën e tij apo saj brenda tekstit për të interpretuar vendet që autori ka lënë të hapura. Kishte qëllim Joyce-i që Gabriel-i në fund të vdistë fizikisht? Zhvarrosi ai nga varri i akullt një zemër që pikonte gjak? A udhëtoi vërtet ai drejt Perëndimit për një jetë më të mirë apo të fillontë një tjetër krejt të re? Apo thjesht vazhdoi jetën si një burrë me zemër të thyer? 
Këto pyetje me fund të hapur i lejojnë kritikët, profesorët, studentët dhe lexuesit e zakonshëm të mishërohen nën hapat e Gabriel-it, ta nxjerrin atë jashtë e ta risjellin në shtëpi. Këtu, lexuesi përfshihet tërësisht, ashtu siç shpresoj që të kem bërë unë në këtë shkrim.


Përktheu: Milli Bloom


*Termi “dekonstruksion” (kam preferuar mos ta përkthej duke qenë se përfaqëson një term i cili është i njohur si i tillë në fushën studimore) haset në historinë e filozofisë, në tentativën e Jacques Derrida-s, për të përkthyer nga ana gjuhësore dhe semantike ftesën hajdegeriane të Destruktion të koncepteve metafizikës. Dekonstruksioni ka disa pamje por asnjë hierarkike: është zbërthimi i kuptimit të nevojshëm dhe jo polisemia. Që në fillim të herës ajo konsolidohet si një strategji e leximit të teksteve të traditës metafizike, përpiqet të nxjerrë në dukje skarcitetet, boshllëqet, fragmentarizimet, pavazhdimësinë, strukturat ideologjike, së pari, tërësinë e përfaqësuar nga këto.

James Joyce (1882 - 13 Janar 1941) Vdekja e Joyce-it dhe Zgjimi…




Sot e 69 vjet më parë, më 1941 James Joyce mbylli sytë në Zyrih, në moshën 58- vjeçare, prej peritonitit të shkaktuar nga një ulçër e përparuar. Vitet e fundit të jetës së tij ishin jo pak të vështira – skizofrenia e së bijës, fundosja e karrierës së të birit si dhe fundi i martesës së tij, vetë shëndeti i tij i lig, vështirësitë financiare, betejat e gjata për “Uliksin” dhe të tjera që priteshin për “Zgjimi i Fineganëve”. “Megjithëse jo aq i verbër sa Homeri dhe jo aq i mërguar sa Dante”, shkruan biografi i tij Richard Ellmann, “ ai kishte arritur nadirin e jetës së tij”.

Shqetësimi më i madh në këto kohë për Joyce-in ishte Lucia. Ai e kishte çuar atë nga doktori në doktor dhe nga klinika në klinikë duke pritur një lloj shprese apo mbështetjeje për refuzimin që Joyce-i kishte për të pranuar përfundimin e hidhur e të pakthim të shërimit të saj. Më vonë në listën e doktorëve u shtua edhe Carl Jung-u, i cili e ndoqi Lucian në mes të vitëve ‘30 dhe që përfundoi me diagnozën e dyfishtë se ajo dhe i ati ishin dy njerëz që po preknin fundin e një lumi, njëri duke u kredhur (Lucia) e tjetri duke rënë. Joyce-i kishte një stil psikologjik i cili ishte “përfundimisht skizofrenik” dhe megjithëse e përdori apo e transformoi në gjenialitet në veprat e tij letrare. Në një tjetër epokë, veprat e Joyce-it nuk do të ishin botuar kurrë, por në shekullin tonë të bekuar XX, ajo (vepra) është ende e pakuptuar.
Joyce-i qëndronte në shtëpi në vitin e shtatëmbëdhjetë të shkrimit të “Work in Progress” çmendurinë që më pas do ta quante “Zgjimi i Fineganëve”. Vetë Joyce-i citohet të ketë thënë: 

“Kam shkruar Uliksin për ditën dhe doja të shkruaja një libër për natën…
Që prej 1922-I libri im ka qenë një realitet më i madh për mua sesa vetë
realiteti. Çdo gjë i hap rrugë atij. Gjithçka jashtë librit kanë qenë 
vështirësi të pakapërcyeshme si për shembull nga realiteti më i vogël:
të rruhesha në mëngjes.”

Teksa Luftës së Dytë Botërore po i vinte fundi, Joyce mes problemeve shëbdetësore, financiare por megjithatë një durimi të madh, mes endjeve san ë një hotel në tjetrin arriti, nëpërmjet rrethit të miqve të tij të arratisej në Zyrih.
Shpesh ndihma e vetmja ka qenë shoqëria meqe ditët e tij u bënë pafund të gjata, po ashtu edhe nata të cilat ai i shoqëronte më muzikë dhe alkool.
Një mik i vjetër, psikiatër, rrëfen se si e këshilloi se çfarë mund të bënte me të bijën e sëmurë dhe më pas mori të atin për një lloj “terapie”; të dy bashkë shkuan në një restorant me një holl të madh ku mblidheshin për të kërcyer trupat franceze e britanike. Kur ushtarët filluan të këndonin "Marseillaise-n" Joyce-i iu bashkua dhe zëri i tij i mahnitshëm prej tenori i mrekulloi aq shumë ushtarët saqë e ftuan në tryezën e tyre për ta kënduar sërish këngën: "Asnjëherë nuk ishte parë një burrë I vetëm të dominonte publikun në atë lloj mënyre. Ai qëndroi aty, këndoi "Marseillaise-n" dhe të gjithë e këndonin në kor pas tij, sikur gjithë regjimenti gjerman të kishte sulmuar në ato moment ata nuk do të rreshtinin kurrë…”

Zgjodha, për të kujtuar të madhin Joyce, bërjen e një paralelizmi mes tij dhe veprës së fundit, fatkeqësisht të pa mbaruar si për të kujtuar se gjenia e këtij shkrimtari është ende në fletët e librave të tij edhe pse kaluan 69 vite nga vdekja e tij ai mbeten dhe ka për të mbetur ende një sfidë tepër e madhe mes studiuesve.
Joyce-i "detyroi” letërsinë moderne të pranonte stilet e reja, subjekte të reja, fabula dhe karakterizime të reja... një mënyrë të re të të qenit dhe një gjuhë të re."
James Joyce fatkeqësisht u shkëput nga jeta ende në një kohë kur veprat e tij nuk pranoheshin të botoheshin, me kalvare gjyqesh e paragjykimesh edhe sot ne fillesën e një shekulli të ri qindra studiues, profesorë e student mblidhen për të diskutuar mbi atë që mund të konsiderohet pa kursim kontributi më i madh e më gjenial në letërsinë e shek.XX e pse jo një nga më të spikaturit e të gjitha kohërave.

Përktheu: Milli Bloom

Thursday, January 7, 2010

"I vdekuri": Të dashurosh dhe të humbasësh...

Në pamje të parë, “I vdekuri” ngjan si një rrëfim mbi festën e përvitshme të Krishtlindjes, e organizuar nga motrat Morkan dhe mbesa e tyre Mary Jane. Përshkruhen detaje të të ftuarve të ndryshëm dhe mbrëmjen e mrekullueshme që ato kanë, përfshirë këndimin, kërcimin dhe gjithçka e denjë si për mbretër. Por teksa vështrohet historia nga më afër, ajo ka më shumë nën sipërfaqe. “I vdekuri” është një rrëfim mbi dashurinë, dashuritë e humbura dhe mbi paaftësinë për të falur ata që i kemi dashur dhe humbur… Edhe pse dikush mund të mendojë se tregimi ka në qendër motrat Morkan dhe mbledhjen e tyre të përvitshme, “I vdekuri” është një rrëfim mbi Gabriel dhe Greta Conroy-n. Në fillim të tregimit Gabrieli dhe Greta ngjasojnë me një çift të lumtur, qeshin e bëjnë shaka së bashku. Ai e dashuron Gretën dhe kjo faktohet kur ai merr me qira një dhomë hoteli pas festës dhe arsyeja është frika e tij se po të udhëtojnë me karrocë gjithë natën në kthim, Greta mund të merrte të ftohtë… Gjatë darkës edhe Greta ia tregon dashurinë atij, deri kur, diçka ndryshon në sjelljen e saj gjatë mbrëmjes.
Ndërsa festa pështjellohet, Gabrieli priste me padurim një mbrëmje romantike me të shoqen. Ndërsa përgatiteshin për të ikur, ai vuri re atë të mbështetur tek parmaku i shkallëve, e depërtuar tejpërtej nga kënga që zoti Darcy-i po këndonte nga dhoma përkarshi. Kënga, Vajza e Augrimit, ia hoqi asaj pamjen e gëzuar dhe e la atë në një gjendje solemne. Gabrieli e vëren ndryshimin e sjelljes së gruas së tij por nuk mund të zbulojë ku qëndron problemi. Gabrieli tashmë i sigurt se diçka e shqetëson të shoqen, me të arritur në dhomën e hotelin e nxit t’i tregojë se çfarë e shqetëson. Ajo më në fund i rrëfen se kënga që zoti Darcy-i këndoi e trishtoi atë sepse i kujtoi një djalë nga e kaluara e saj, Michael Furey-n. Ai kish qënë dashuria e parë e saj dhe kishte vdekur për të kur ishte vetëm shtatëmbëdhjetë vjeç. Është e qartë nga ngashërimi i saj histerik se ajo ende nuk e ka pranuar humbjen e dashurisë së parë.
Gjatë fjalimit të tij në tryezën e darkës, Gabrieli deklaroi që edhe pse secili mund të ketë kujtime të këqia nga e kaluara e tij, ato duhet të kapërcehen dhe jeta të vazhdojë duke i lënë vend të sotmes dhe së ardhmes. Ai thotë:
“Gjithmonë në mbledhje si kjo, kujtimet e këqia do të na pushtojnë mendjen: kujtime mbi të shkuarën, mbi rininë, ndryshimet, fytyrave që na mungojnë sot këtu. Rruga jonë nëpër këtë jetë është shtruar me shumë nga këto kujtime të trishta: dhe sikur ne gjithe kohën të mendonim për to, nuk do të gjenim zemër për të vazhduar punën tonë mes të gjallëve. Ne të gjithë kemi detyrime si të gjallë si dhe ndjenja të cilat kërkojnë, duhet thënë me të drejtë, përpjekjet tona të zellshme.” 
Por reagimi i Gretës mbi kujtimin e Michael-it atë mbrëmje i tregoi Gabrielit të kundërtën. Gabrieli kuptoi se nuk mundesh kurrë të harrosh humbjen e atij që ke dashur dhe kjo gjë e trishtoi. Ai zbuloi se nuk ishte dashuria e parë e Gretës dhe se ajo gjithmonë do të mbante kujtimin e një burri tjetër në zemrën e saj. Ai gjithashtu u vetëdijësua se ai kurrë nuk kishte ndjerë një dashuri të vërtetë e të thellë; si ajo që Greta pa në sytë e Michael-it teksa ai po vdiste për të. Ai kurrë nuk kishte ndjerë një dashuri si ajo dhe jeta e tij dukej befas bosh pa të.
Gabrieli kuptoi gjithashtu se nuk e njihte gruan e tij aspak, kishte katër vjet i martuar me të dhe s’kishte dëgjuar kurrë të flitej për Michael Furey-n, më parë. Gjithë jetën ai kishte qenë egoist duke u kujdesur vetëm për veten, duke u vënë në qendër të vëmendjes. Kjo sjellje mund të shihet në fillim të historisë, kur Gabrieli e mërzit Lily-n me pyetjet se kur do të martohej. Ai nuk mendohet dy herë para se flasë dhe për faktin se fjalët e tij mund ta lëndojnë Lily-n. Ai e lëndon atë dhe as që e vë re një gjë të tillë. Por këtë egoizëm ai e bart edhe në martesën e tij. Gjatë viteve të jetës me Gretën as që i ka shkuar ndër mend ta pyes atë për ndonjë dashuri të shkuar. Prandaj më pas, ai habitet tek zbulon përfshirjen e saj me një tjetër djalosh para tij.
Gabrieli duhet të fokusohej edhe tek të tjerët e jo vetëm tek vetja e tij. Ai tashmë e kupton këtë – por iu desh Michael Furey-t të vdekur t’ia jepte këtë mësim. Nëse diçka do të nxirrej nga ky rrëfim, duhet të jetë se dashuria është vështirë të fitohet. Kur dy njerëz janë sinqerisht, thellësisht e çmendurisht në dashuri ata duhet të mbajnë fort për sa kohë e kanë mundësinë. Nëse mundësia kalon, mund të mos vij më kurrë. Edhe nëse ajo zëvendësohet, dashuria e parë nuk do të harrohet kurrë. 




Përktheu: Milli Bloom