Pages

Wednesday, August 14, 2013

1 3 1 8 2

Dhe këtë vit, si mot, jam sërish këtu. Këtë herë koha u tregua më e mëshirshme. Nuk bie shi por fryn një erë që të fut të ngjethurat. Dhe njerëzit ankohen...!Për çfarë? Për 19 gradë celcius?Teksa qëndroj në këmbë për të nderuar meshën, vë re një zotëri që çan turmën mes përmes për të gjetur vend diku në të majtën time. Ulet në një stol të vogël të sajuar aty për aty nga dikush. Tri rreshta para meje. Fare pranë hyrjes së Bllokut 9. Rreth qafës dhe pas shpine i rri lidhur një flamur bardheblu me vija vertikale në formë trekëndëshi të përmbysur. Si trekëndëshi i pionierëve të kohës së komunizmit tek ne, por, është trekëndëshi i unformave bardheblu me vija horizontale të uniformave të kampit të Auschwitz-it. Ai është një prej të mbijetuarve...

1 3 1 8 2

Mund të jetë tek të 70-at apo 80-at e tij, mbahet tek një grua fare pak më pak e re se ai. Vetëm një pyetje më vjen ndërmend. Si? Si e gjen kurajon të rikthehet në këtë vend? Kam kaluar disa javë në gjithsej në Auschwitz dhe përpiqem ta imagjinoj veten si do isha sjellë po të kisha qenë atëherë, aty? Ç'lloj e burgosure do kisha qenë në Auschwitz? Cili do kishte qenë roli im por dhe fundi im? Dhe mbi të gjitha, a do kisha gjetur kurajon pas gjithë vuajtjeve, pasbekimit (apo jo?) të mbijetesës pas disa dekadash, të kthehesha këtu? Gjeta kurajon t’i kërkoja mikeshës sime polake në mund t’më përkthente mua dhe zotërisë sepse nuk mund mos e njihja! Dhe ashtu bëmë. Miroslaw Firkowski. Ky qe emri i tij. Ai u arrestua më 12 dhjetor 1940 dhe u dërgua në një burg në Kielce, sëbashku me disa shokë të tjerë klase asokohe vetëm 17 vjeç. Kacet, Kazet që do të thoshte kamp përqendrimi gjerman, vende ku mbaheshin “armiqtë” apo njerëzit e konsideruar të rrezikshëm prej Reich-ut. Mesnatën e 4-5 prillit, 1941 Firkowski sëbashku me disa të dënuar të tjerë të Kielce-s u dërguan me tren për në Auschwitz.“Ajo ka qenë një prej netëve me të gjata të jetës sime”, rrëfen ai. Miroslaw Firkowski qendroi në Auschwitz deri më 10 Mars 1943. Pas Auschwitz-it, dy ditë udhëtim në kamionë dërguan qindra polakë në një tjetër kamp përqendrimi, atë të Neuengamme-t. Në shkurt 1945, i sëmurë shumë rëndë, ai (në mes të 1017 të sëmurësh të tjerë) transferohen në Bergen-Belsen. Kampi u lirua nga britanikët më 15 prill të vitit 1945. Pas pesë vitesh, në tri kampe përqendrimi... ai peshonte vetëm 35kg. 






14 gushti është një ditë e veçantë në Auschwitz. I këndohen lavde Zotit në polonisht e latinisht. Bashkë në një meshë, Kryeipeshkvi i Polonisë dhe ai i Gjermanisë. Bashkë në vendin ku gjermanët kanë qenë xhelatët e polakëve. Mbajnë meshë përshpirtjeje për Maksimilian Maria Kolben.Po kush ishte Maksimilian Maria Kolbe?


Maximilian Maria Kolbe (8 janar 1894 - 14 gusht 1941)
Shenjt Maximilian Maria Kolbe, O.F.M., (8 janar 1894 – 14 gusht 1941) ishte një frat françeskan polak, i cili vullnetarisht pranoi të vdiste në vend të një personi tjetër nëkampin gjerman të vdekjes, Auschwitz. Kolbe u kanonizua më 10 tetor 1982 nga Papa Gjon Pali i II dhe u deklarua martir i bamirësisë. Gjon Pali i II e shpalli "Shenjti Mbrojtës i Shekullit tonë të Vështirë". Për shkak të përpjekjeve të Kolbes për të mbështetur devocionin dhe mbështetjen tek Maria, ai është i njohur edhe si Apostulli i Devocionit ndaj Marisë. Pasi Lufta e Dytë Botërore kish nisur dhe Gjermania naziste pushtoi Poloninë, Kolbe strehonte refugjatë nga Polonia e Madhe përfshirë këtu dhe mbi 2.000 çifutë në manastirin e Niepokalanów-it. Më 17 shkurt të 1941, ai arrestohet nga Gestapo dhe burgoset në burgun Pawiak. Më 28 maj, ai transferohet në Auschwitz si i burgosuri nr. 16670. fundkorrikun e vitit 1941, tri të burgosur u zhdukën nga kampi, duke shtyrë kështu SS Karl Fritzsch, zëvendës komandantin e kampit, të zgjidhte 10 burra dhe t’i vdiste urie në bunkerin e nëndheshëm të Bllojut nr.10 në mënyrë që të ndalonte tentativa të mëtejshme arratisjeje. Kur njëri prej burrave të zgjedhur, Franciszek Gajowniczek,  qau  "Gruaja ime! Fëmijët e mi!", Kolbe doli vullnetar të merrte vendin e tij.  Në qeli, Kolbe celebronte çdo ditë meshë dhe u këndonte të burgosurve himne. Ai i printe tëburgosurit në kënge e lutje e duke i dhënë kurajo. Pas dy javësh dehidratim dhe uri, vetëm Kolbe mbeti gjallë. Rojet donin ta zbraznin qelinë dhe kështu ata i bënë Kolbes një injeksion acidi karbonik vdekjeprurës. Ata që ishin të pranishëm gjatë injeksionit thanë se ai qetësisht ngriti lart krahun e majtë gati për të. Eshtrat e tij u dogjën më 15 gusht.


Auschwitz,14 gusht 2013

Milli B.