Pages

Thursday, March 7, 2013

Si t'i themi NDAL mizorisë?!

Ky shkrim merr shkas nga ajo që më panë sytë në Kopshtin Zoologjik të kryeqytetit tonë të dashur, më datën 7 mars 2013.  Të them sa shumë qava, sa shumë u indinjova dhe sa shumë u trondita është e pamundur, e ndoshta as që ju hyn në punë shumë prej jush. Ajo që kërkoj unë është t'ju rrëfej e të shpresoj se të gjithë bashkë mund të reagojmë një herë e mirë ndaj gjithçkaje të shëmtuar e çnjerëzore që na shohin sytë!
E di, që në këtë vend çdo ditë e më shumë po vlen kaq pak jeta e njeriut lind pyetja kush do e vrasë mendjen për jetën e kafshëve...?! Uroj të ketë ende të tillë njerëz!
Në aq vende sa kam parë, Kopshtet Zoologjike janë vendet më shplodhëse, janë burim qetësie, harmonie e lumturie sidomos për familjarët e të vegjëlit e tyre. Kushtet e mirëmbajtjes dhe trajtimit të tyre janë ku e ku shumë më të mira sesa trajtohen njerëzit në Shqipëri. Se pse gjendja e Kopshtit Zoologjik është e tillë prej mëse 20 vjetësh kush më thotë? Taksat tona ku shkojnë? Kush janë njerëzit përgjegjës për të? Si munden prindërit t'i çojnë fëmijët e tyre aty dhe t'u tregojnë çfarë???
Që prej fëmijërisë sime, atij Kopshti atje në atë cep të Tiranës nuk i është vënë më dorë. Mirë sot i mbytur e i zhytur mes pallateve sa që të vjen të ulërasësh se ç'qenie pa tru e shpirt kanë mundur të japin gjithë ato leje ndërtimi e ta shndërrojnë të vetmen hapësirë publike e të gjelbërt në atë katrahurë urbane? Përgjigjen as që dua ta di sepse ç'është bërë aty nuk zhbëhet më! Kurrë! Por, shqetësimi im nuk është ky. Shqetësimi im është mënyra sesi trajtohen ato pak, të gjora kafshë që janë aty. Pas një xhiroje fort fare të shkurtër: luanët ishin tërhequr për të fjetur a ngrënë, dhelpra mbështjellë kruspull duke fjetur, dy shqiponja të trembura deri n'asht, dhoma bosh, bosh, bosh ... një fazan, një gjel deti dhe ... pëllumba, po, po, pëllumba nga ato që tironcit akoma i mbajnë nëpër ballkone dhe në fund fare ... tre mace ... po, po, MACE. Mace shtëpie.
Jo mace të egra, jo! Sigurisht shteti ynë s'mund t'i lejojë vetes kafshë ekzotike (kemi dy lama, dy luanë e dy struca dhe më mirë mos flasim për gjendjen e tyre estetike dhe psikologjike). Nuk ishin Cheetah, Caracal, Asian Golden apo leopard. Jo, jo! Nuk ishin tigra dhe as Bobcat, nuk ishin puma apo jaguarë ishin mace, të thjeshta nga ato që kemi të gjithë nëpër shtëpi. Ne shohim çdo ditë sesi mace pafund keqtrajtohen e me mizori vriten rrugëve të vendit tonë. Shohim përpjekjen humane e shumë të lodhshme të disa kafshëdashësëve që përpiqen t'u gjejnë shtëpi e të bëjnë të mundur adoptimin nga njerëz që mund t'u ofrojnë një jetë më të mirë POR t'i shohësh të mbyllura në atë kafaz, në kushte skandaloze është e papërshkrueshme. U kishin hedhur një varg mëlçish të gjalla a thuajse ishin bisha që mund të të shqyenin të gjalla krijesa të tjera. Ishin tre prej tyre, dy femra dhe një mashkull (ky i fundit më i ri). Njëra prej femrave mund të ishte shtatzënë dhe ishte tejet e keqtrajtuar (ndoshta dhe që prej më parë), mustaqet e saj ishin të djegura dhe bisht nuk kishte thuajse fare qime ... ishin të trembura aq shumë, saqë edhe kur unë mora vendimin dhe arrita të çaja rrethimin e parë me rrjetë teli, asnjëra prej tyre nuk jepte e merrte për të dalë. Pas ishin dhe hekurat e kafazit por isha e bindur që ndonjëra prej tyre mund dhe duhej të dilte. Të gjorat kafshë i kishin humbur aq shumë instinktet saqë nuk e kuptonin atë hapësirë që mund të ishte arratisja e tyre. Pas më shumë se 40 minutash ika, nuk mund të qëndroja më por u ula të rrëfej këtë histori me shpresën e madhe që ato të jenë "arratisur" sonte dhe mbi të gjitha që kushdo që do lexojë këto rreshta të reagojë. Të reagojmë të gjithë që i duam kafshët e buta e ato të egra që të mos treajtohen më në mënyrën sesi trajtohen në Kopshtin Zoologjik të Tiranës. Është më shumë se mizore gjendja e tyre e kushdo që e konsideron veten qenie njerëzore, ta tregojë njerzillikun e tij/saj duket e shpërndarë këtë shënim e le të bëjmë diçka!  


Milli Bloom