2 Shkurti, ditëlindja e Joyce-it rastis të jetë gjithashtu dita e “Candlemas Day” apo Candelora[1] dhe “GroundHog Day”[2], duke e bërë ditëlindjen e tij pjesërisht një festë fetare e pjesërisht një festë popullore. Joyce-i pohonte se kishte lindur në të njëjtën ditë me autorin dhe mikun irlandez James Stephens. Megjithatë, Stephens-i kishte lindur më 1880 edhe pse ai deklaronte se kishte lindur më 2 Shkurt 1882. Koinçidenca e emrave kishte një rëndësi të madhe për Joyce-in i cili besonte se emrat janë shenja e atyre që i kanë (nomen est omen[3]). Joyce-i zgjodhi Stephen, emrin e martirit kristian për alter egon e tij dhe personazhin Stephen Dedalus, dhe fakti që James Stephens i kishte të dy emrat dhe James dhe Stephen e bëntë veçanërisht një njeri të mirë.
Joyce ka lindur në të njëtin vit si Wyndham Lewis, Frank Budgen dhe Eamon de Valera. Si Joyce-i, de Valera kishte shikim të dobët dhe Joyce-i ishte i ngazëllyer kur mori vesh që ata kishin të njëjtin specialist sysh, Dr. Vogt në Zyrih. Joyce-it i dukej argëtuese sesi Vogt, i cili kurrë s’i kishte marrë para Joyce-it për mjekimet apo konsultat e tij, i merrte shuma të majme de Valera-s.
Kur u regjistruan në certifikatën e lindjes emrat e Joyce-it, emri i pagëzimit u keqkuptua dhe kështu ai u regjistrua si James Augusta Joyce (në vend të James Augustine Joyce). Joyce-i më vonë bën një “gafë” të tillë me emrin e Bloom-it tek “Uliksi”: emri i Bloom-it në certifikatën e lindjes shkruhet si Leopold Paula Bloom në vend të Leopold Paul Bloom. Kur Joyce-i takoi Paul Léon-in më 1920, ai e konsideroi si një ogur të mirë që ai mbante emrat e Bloom-it për së prapthi. Léon ishte Paul Leopoldovitch Léon.
Gjatë jetës së tij, Joyce-i e ka konsideruar ditëlindjen e tij një ditë të mbarë dhe ai shpesh përpiqej ta bënte atë ditë sa më të veçantë. Më 1904, për shembull, ai e kaloi gjithë ditën i sëmurë në shtrat por nisi të punonte për esenë “Portreti i Artistit” në tentativat e tij të para për një roman. Më pas, romanet e tij “Portreti i Artistit në Rini” dhe “Uliksi” u botuan të dyja më 2 Shkurt. “Portreti i Artistit në Rini” filloi të botohej periodikisht tek revista “Egoist” që prej 2 Shkurtit 1914. Më 15 Qeshor 1914, Grant Richards përfundimisht botoi përmbledhjen me tregime të shkurtra “Dublinasit”, dhe një ditë më pas, më 16 Qeshor 1914, Joyce-i i shkroi vëllait të tij Stanislaus-it se ai kishte filluar tashmë të shkruante kapitullin e parë të “Uliksit”.
Ndërkohë që ende punonte për “Uliksin”, qëllimi i Joyce-it ishte që libri të dilte në vjeshtën e 1921. 1 + 9 + 2 + 1 = 13 të cilin Joyce-i e konsideronte numër me fat por nuk ishte i sigurt dhe sidoqoftë redaktimet e tij të stërzgjatura e shtynë botimin e tij. Veç kësaj, ditëlindja e tij e 40-të dukej një datë me e mbarë: 2 Shkurt 1922 (2.2.22)!
Një tjetër emër domethënës për Joyce-in ishte ai i Harriet Weaver, botuese e revistës “Egoist” dhe një nga përkrahëset e Joyce-it. Fakti që Penelopa në “Odisenë” e Homerit ishte gjithashtu një endëse (pëlhurash) ishte për Joyce-in një shenjë e mbarë. Në një letër të datës 1 Nëntor 1921, Joyce-i i shkruante Weaver-it se kishte një koinçidencë ditëlindjesh në librat e tij. Ai përmend se botimi në seri i “Portretit” në revistën e saj kishte nisur në ditëlindjen e tij të 32-të dhe përfundoi 25 seritë e tij me numrin e datës 1 Shtator, ditëlindjen e Harriet Weaver-it. Ai më pas pohonte se kishte nisur të shkruante “Uliksin” me 1 Mars 1914, në ditëlindjen e Frank Budgen-it, dhe e përfundoi atë më 30 Tetor 1921, ditëlindjen e Ezra Pound-it. Disi ironikisht, ai hamendësonte në ditëlindjen e cilit do të mund të botohej. Megjithatë, Joyce-i kishte deklaruar tashmë përfundimin e librit më 29 dhe jo 30 Tetor në një letër për Robert McAlmon dhe një tjetër Valery Larbaud-së, mesa duket ai po mundohej t’i bënte faktet të dukeshin patjetër si koinçidenca.
Kur më në fund bocat e korrigjuara të “Uliksit” të Joyce-it shkuan për botim, Maurice Danartiere, më 31 Janar, dhe Darantiere arritën të merrnin dy kopje, numrat 901 dhe 902, të botuara më 1 Shkurt. Ato u dërguan me tren nga Dijon për në Paris ku ato arritën në orët e para të mëngjesin e datës 2. Sylvia Beach që priste trenin mori dy kopjet dhe me një taksi shkoi në apartamentin e Joyce-it për t’i çuar dhuratën e ditëlindjes. Ajo i dha një kopje atij dhe kopjen tjetër e vendosi në raftin e librarisë së saj duke e përdorur si reklamën e botimit të tij.
Joyce-i festoi atë mbrëmje me miqtë e tij në një restorant italian, duke u kënaqur me një unazë të re që i kish premtuar vetes kohë më parë si çmim kur të mbaronte “Uliksin”. Ai nuk hëngri asgjë dhe e mbajti pakon ku gjendej libri i mbështjellur poshtë karriges deri kur erdhi ëmbëlsira dhe më në fund ai e hapi dhe e la librin mbi tryezë. Miqtë ngritën dolli për të dhe për të porsalindurin “Uliks”.
Vite më vonë, Joyce-i shpresonte që “Zgjimi i Fineganëve” të botohej për ditëlindjen e tij. Në fillim, shpresonte që ai të dilte më 1938, në ditëlindjen e tij të 56-të. Kur kjo nuk ndodhi, ai shpresoi se do të dilte më 4 Korrik 1938 në përvjetorin e ditëlindjes së babait të tij. Më 30 Janar 1939, Faber & Faber dërgon një kopje të librit (zakonisht disa faqe provë) në ditëlindjen e 57-të të Joyce-it. Në atë 2 Shkurt, nusja (bashkëshortja e djalit Giorgio-s) e Joyce-it përgatiti një kek mbi të cilin ishin të 7 riprodhimet e librave të tij në krem ëmbëlsirash. Tryeza ishte shtruar në mënyrë të tillë që të shfaqte Parisin dhe Dublinin, dhe Nora kishte vënë një unazë ngjyrë bludeti të cilën ia kishte dhuruar Joyce-i si simbol të lumit Liffey. Megjithë këtë drekë të herët të “Zgjimit të Fineganëve”, botimi i tij s’do të ishte derimë 4 Maj 1939.
Meqë ditëlindja e vetë Joyce-it kishte një domethënie të veçantë, po ashtu edhe përvjetoret e atyre që ishin të afërt me të. Nëna e Joyce-it, May, vdiq më 13 Gusht 1903 dhe Joyce-i kishte një qëndrim të çuditshëm me numrin trembëdhjetë, mendonte ndonjëherë se ishte me fat edhe pse nuk ishte i sigurt. Nëna e tij May kishte lindur më 15 Maj dhe prindërit e tij ishin martuar në Maj të 1880, kështu që ky muaj ishte veçanërisht me fat për Joyce-in. Krejt rastësisht, tregimi i parë i Joyce-it, “Motrat” u botua tek “Irish Homestead” më 13 Gusht 1904, ekzaktësisht në përvjetorin e parë të vdekjes së nënës së tij.
Babai i Joyce-it, John Joyce, kishte lindur më 4 Korrik 1849 dhe vëllai i tij më i vogël George u varros më 4 Korrik 1887. Kur djali i Joyce-it lindi në Korrik 1905, ai e quajti Giorgio në kujtim të vëllait i cili vdiq më 1902. Kur Joyce-i u martua më 1931, ai zgjodhi 4 Korrikun si datë, ndoshta sepse John Joyce kishte mbetur i ofenduar na ikja e fshehtë e tij dhe Norës.
Në shtratin e tij të vdekjes, John Joyce i tha së bijës May, t’i thoshte Jim-it se ai kishte lindur në 6 të mëngjesit. Në fillim, May mendoi se babai po delironte, por mesa duket, Joyce-i i kishte shkruar të atit ca kohë më parë duke i kërkuar kohën e saktë të lindjes sepse një astrolog po i pregatiste horoskopin. John Joyce vdiq më 29 Dhjetor 1931, vetëm një muaj para ditëlindjes së 50-të të Joyce-it. Ditëlindja e 50-të e Joyce-it ishte në njëfarë mënyre e heshtur për shkak të depresionit të Joyce-it, një atmosferë që u përkeqësua kur vajza e Joyce-it, Lucia, nisi të shfaqte simptoma skizofrenie dhe goditi me karrige Norën. Më pak se një natë me vonë, nipi i Joyce-it erdhi në jetë, lindi Stephen James Joyce, dhe koinçidenca e lindjes së nipit dhe vdekja e të atit e çoi Joyce-in të shkruante poezinë ‘Ecce Puer.’
Vajza e Joyce-it, Lucia kishte lindur më 26 Korrik 1909 dhe Joyce-i i vuri emrin Lucia sipas shenjtores mbrojtëse së shikimit. Ai ndoshta mund të ketë shpresuar se duke i vënë së bijës emrin Shënjtores Lucy, kjo mund ta ndihmonte me problemet që ai kishte me shikimin. Lucia-s iu vu emri i mesëm Anna meqenëse ishte dita e Shën Anës dhe nëna e Norës quhej Ana gjithashtu. Përkeqësimi i qëndrueshmërisë mendore të Lucia-s i shkaktoi Joyce-it shumë dhembje. Ai e inkurajoi të merrej me karrierën e saj si kaligrafiste dhe ishte i vendosur që libri i saj “Chaucer ABC” të botohej në ditëlindjen e sj më 26 Korrik 1936. Me këtë qëllim Joyce-i bleu një arkë kursimi për të kursyer para dhe çelësin ia dha mikut të tij Paul Léon. Ai i shkroi Harriet Weaver-it se shpresonte që nëpërmjet botimit të librit, Lucia do të shihte se e gjithë e kaluara e saj nuk kishte qenë një dështim dhe Harriet Weaver u ofrua të ndante shpenzimet e botimit. Lucia vdiq në Angli më 12 Dhjetor 1982, në prag të ditës së Shën Lucy-it. Joyce-i vdiq në Zyrih nga një ulcer e përparuar dhe peritonit i përgjithshëm më 13 Janar 1941, ndoshta duke konfirmuar se 13 ishte numër fatkeq për të. Nora vdiq dhjetë vjet më vonë më 1951 dhe gjithashtu u varrosën sëbashku në Varrezat Fluntern, megjithëse në fillim ajo nuk u varros në të njëjtin varr. Ata u varrosën të dy në një vend në Bloomsday, 16 Qeshor 1966. Djali i tyre Giorgio është gjithashtu i varrosur me ta. Në një koincidencë finale, Stanislausi vëllai i Joyce-it vdiq në Trieste në Bloomsday, 16 Qeshor, 1955.
Përktheu: Milli Bloom
[1] Festë kishtare ku bekohen qirinjtë origjina e së cilës është me shfaqjen e Krishtit fëmijë në Tempull thirrur prej Simoni për të ndriçuar njerëzit. (shën.përkth.)
[2] Festa e Marmotës festuar kryesisht në SH.B.A dhe Kanada. Nëse marmota (urithi) sheh hijen e saj kjo do të përcaktojë sa do të zgjasë dimri.
[3] Shprehje latine kuptimi i fjalëpërfjalshëm i së cilës do të ishte që emri i përshtatet atij që e ka.