Pages

Wednesday, January 8, 2014

PËRRALLA ME DOSJE!




Ata që më njohin e dinë sa shumë e vlerësoj sinqeritetin dhe mendimin e hapur të dikujt. Prej kohësh nuk kam dashur ta bëj publik këtë fakt por duke parë sesi asgjë s’ndryshon e s’ka për të ndryshuar sa kohë ujku i veshur si dele propagandon rishikimin e krimeve të bëra prej tij vetë e ndjej si detyrë të rrëfej, të paktën atë që teorikisht quhet një gjysmë e vërtetë, të vërtetën time, nga eksperienca ime.
Që të mirëkuptohem prej të gjithëve dua që në fillim të sqaroj dy gjëra: së pari, unë jam njëqind përqind pro hapjes së dosjeve dhe rishikimit të periudhës komuniste në Shqipëri. Dhe së dyti, jam pasardhëse e një ish të përndjekuri politik, i cili nuk ka famën apo bëmat e ca të tjerëve që rëndom hasim në shtyp, a thua se veç ata kanë qenë “heronjtë” e asaj kohe, por e një njeriu që me thjeshtësinë e tij më ka rrëfyer për vuajtjet e afro një dekade në burg (Spaç) dhe 5 vitesh internim. E gjitha për akuzën e zakonshme të kohës, agjitacion dhe propagandë, “element i rrezikshëm për shoqërinë komuniste”.
Marr shkas të shkruaj pikërisht nisur nga hipokrizia, paftyrësia dhe fëlliqësia që përfaqësojnë në vetvete disa individë të caktuar që i kanë dalë për avokatë kësaj çështjeje të Djallit.
Para disa kohësh pata fatin, të paktën kështu mendoja asokohe, të punojë në një Institut që do merrej pikërisht me këtë periudhë të historisë dhe ç’pashë e ç’ndodhi ishte një makth. E dija fort mirë se nuk do përmbushnim misionin e madh që kishim ndërmarrë por pak prej motivimit të historisë familjare dhe pak për arsye se vërtet besoja në këtë çështje, e pranova detyrën. Por nga kjo eksperiencë mora veç zhgënjim dhe një tufë gënjeshtrash dhe, përfundimisht humba shpresën se në sipërfaqen e kësaj republike, ka prej tyre që kanë lindur para të le të themi vitit 1975 apo plus minus 2-3 vite që vërtetë, sinqerisht e kanë në zemër këtë çështje dhe që mbi të gjitha NUK ka qënë të përfshirë në llumin e asaj që qe komunizmi në Shqipëri. Më ngrihen qimet përpjetë teksa shoh njerëz që i kanë shërbyer atij sistemi, që s’i ka hyrë sharra n’gozhdë, që aty-këtu mund të kenë bërë “noi spiunllik” t’vogël por ama, rëndësi ka që të shkuara të harruara, e sot, janë nismëtarë, luftëtarë, arë, arë, arë ... në mbrojtje të të përndjekurve politikë, të vetëquajtur si shoqëri civile.
Për t’ju krijuar një ide fare të vagullt sesi ishte të punoje për këtë nismë më duhet ta nis dhe t’ju përshkruaj ata me dhe për të cilët punoja. Funksionarë të shtetit shqiptarë. Për të ruajtur paak fare “etikën”, do përshkruaj si të ishin personazhe edhe pse, pjesës së madhe të së cilëve, se ç’mendoj për ta ua kam thënë në sy ndaj s’kam as edhe një vrarje ndërgjegjjeje por që shqiptarët, gojëhidhur siç janë, të mos mendojnë se shkuan gjërat si shkuan po bëj një “sulm” për shkak se më është prekur interesi, sqaroj se nga detyra i largva pasi nuk munda dot më të bashkëjetoja në atë ambient dhe theksoj, kam patur mundësi ta bëj publikisht këtë gjë dhe kam zgjedhur t’mos e bëj. Kam patur mundësi t’i denoncoj pranë autoriteteve dhe s’e kam bërë e as që kam ndërmend ta bëj. Në një gjë që më ka mësuar im at është se kurrë s’duhet e s’mund të spiunioj!
Megjithatë, dy fjalë do i shkruaj. Po nga t’ia nis...?
Po e nis nga komedia e famshme e Prefektit (që duhet ta them një shtrembërim komunist dhe ky, por i referohem detajeve). E keni parasysh Qazim Mulletin? E pra, drejtor na ishte vu ky Qazimi. Nji barkmadh, katnar ka i katun i hum i Shqipnis qi befas hypi n’ofiq t’nolt ene kur katnaria hyp n’pushtet zor se zdryp prej anej. U bo ai ene tarafi vet, mikroborgjeza. Me shofera e makina ku kosto mujore shkonte 400 litra n’muj që ene përshesh me i hongër velesh ene deputetat me e pas zili. E fillun kshu udhtime e soj e sorollop situatash që sot, quhen “konflikte të RËNDA interesi” por fundja, shteti ynë rrumpallë këtë gjë është siguruar fort t’ua plotësojë pusht-etarëve të tij. E në më lejohet ta shtoj diçka për ish-kryeministrin e vendit tonë, z. Berisha, më duhet të them se ai ka pas nji veti të jashtëzakonsme me mledh rreth vetit do plera t’pashoq! Nejse. E bukra e Qazimit qe qi e mate veten për rob me kalturë ene kishte bo shkoll thoshte, laaaaarg nji vend n’fun t’botës. Por do qi, edhe pse kish i cop shkoll ai s’qi i zoti me e reflektu at’ kaltur dhe veç nji rast do ju dëftej. Në nji takim zyrtar me do funksionar t’nji instituti serioz n’Gjermani, kit Qazimin na e zu i gjum, me t’gërrihtme aq t’forta se gjermoni desh psoi krizë nervore. Po amaaa ishin t’gërrihtme drejtori! Kët s’e moho dot kush prej 20 e kusur të pranishmëve në takim!
Po i lë me kaq, se do t’më duhet të bëj një libër me vete me bëmat e drejtor Qazimit por i dua pemët e s’ia vlen me harxhu kart e pen për pislliqet e dikujt i cili, krejt tjetër thotë, krejt tjetër mendon dhe krejt tjetër bën! Një njeri që asnjëherë s’e dëgjon të përgëzojë e të thotë faleminderit me zemër, as vartësve, kurrë! Një njeri që gënjen rëndom për 90% të gjërave që thotë mirë që gënjen, po ka dhe një të metë që ia ka dhënë Zoti dhuratë si për ta fundosur edhe më: s’mban mend ato që thotë sot me nesër, por lavdi që s’jemi të gjithë njësoj e kështu na jepet mundësia të qeshim me vete ndërkohë që njerëz si këta vjellin pallavrat e rradhës.
Pastaj kemi zëvendësin e Qazimit. Po e quajmë Çeço. Çeço që thoni ju miq të dashur ishte më kopil se Qazimi, kuptohet jo fort larg tij sepse të dy ishin aty për interes të vet personal. E kishte të kuptuar fare mirë që gjithçka ishte farsë dhe gjithçka e vinte në funksion të vet. E kalonte kohën në kafe duke shtrydhur trutë e duke shkruar artikuj për 2 çika leka dhe jo në apo për Institutin që përfaqësonte. S’e ka bërë kurrë dhe meqë ra fjala si zëvendës nuk ka pranuar KURRË ta përfaqësojë Qazon. Për interesa të ngushta, si ato që ekzistojnë vetëm në Shqipëri, Çeço i thoshte derrit dajë. Kishte nënvete nëpunëse të cilat me t’i fal me t’dhon dhe noi lek s’i merrte kush për gjë por amaaa Çeço i mbronte me mish e me shpirt dhe, nëse e pyesje apo i kërkoje diçka, qotë edhe a e bëjmë dot një konferencë nesër, një libër për 3 javë etj.etj., shprehja e tij e preferuar ishte “Po bëhet or burr, ç’është ajo fjalë!” Nëpunëset e Çeços në më shumë se njëmijë e ca ditë punë në zyrat e shtetit shqiptar nuk kanë lënë as edhe një shkresë zyrtare hartueset e të cilave të ishin ato, asnjë raport dhe as famëmadhin arkiv që raportohej të ishte shumë, shuuuumë i madh. Ha!
Pastaj, e fundit por jo më pak e rëndësishme kemi Drejtoricën. Kjo zonja mu fiks si dhelpër kishte prejardhje nga familje ish të persekutuarish, familje të nderuara por që ... ajo s’i bëri nder mbiemrave që mbante. Drejtorica herë-herë ishte i qengj e urtë, nga ata qengja që kapën për flokësh kapitalizmin dhe mësuan të pinin jo 2 por më shumë nëna. Piu te Qazimi sa u nginj, mbaroi gjithë punët në Europë e përtej Atlantikut ku dhe kur të donte dhe s’la shkruar për be asnjë rresht në vendin e punës jo për gjë, po ku i dihet mos lëmë gjurmë e t’na kapë armiku! Dhelpra s’u besonte as fëmijëve të saj e lëre më pastaj Qazimit e Qazimrave të tjerë. E vetëdijshme që ai i kishte ofruar punën vetëm për ta përdorur për synimin e tij për t’u “promovuar” si thonë sot, përtej vatanit por ah, dhelpra s’ishte budallaqe! Mori ç’desh dhe kurrë nuk i dha asgjë. Më thoshte gjithnjë, “maro punët e tuja, qar sa jemi ktu marrim lekët!”.
E kështu “qyfyret” nga shtëpia e luftës së betuar kundër komunizmit...  
Këto tri karaktere nuk i përshkrova pa qëllim. Për mua ata s’janë gjë tjetër veçse Njeriu i Ri që socializmi prodhoi. Po, po! Sado që ata pretendojnë se janë antikomunistë janë pashmangshmërisht pjellë e komunizmit. Ata janë njeriu i ri i cili mësoi të bishtnonte, i cili s’i beson kurrkujt (atëherë i besonte Partisë, sot i beson VETËM parasë), mostra pa shtyllë kurrizore që janë mbrujtur me urrejte dhe vuajnë nga komplekse të ndryshme inferioriteti. Të lindur e rritur në atë kohë, të detyruar ndoshta në fillim por më pas thonë se të hyn në qejf dhe madje është njëri mes tyre që thonë se ka dy emra. Njërin Qazim e tjetrin Plepi! Por sa të vërteta ka në mes duhet që të hapjen dosjet e ta marrim vesh.
Më duhet të ndal edhe tek kryetarët/drejtorët e Instituteve a Shoqatave të kësaj shtrese, të gjithë ata, prej 23 vitesh nuk kanë bërë gjë tjetër veçse të përdoren si marioneta për qëllime politike nga X apo Y parti në pushtet dhe, një tjetër karakteristikë e trashëguar dhe kjo nga komunizmi, e famshmja luftë brenda llojit. Një nga habitë më të mëdha që më ka ndodhur të përjetoj ndërkohë që punoja me ta ishte mënyra sesi thuajse të gjithë akuzonin bashkëvuajtësit si bashkëpunëtorë. Ku me vend e ku pa vend këto akuza për gjendjen e tyre kanë qenë fatale! Edhe ky problem është i lidhur pashmangshmërisht me hapjen e dosjeve, ato do të sqaronin gjithçka. Cili thotë të vërtetën e cili jo! Dhe rrjedhimisht nuk do drejtonin Shoqata e Institute njerëz që moralisht nuk u takon të jenë aty dhe as që e kryejnë detyrat për të cilat thonë se japin shpirtin e janë kanë punuar pafund, pafund... Ka prej tyre siç është Insituti i Integrimit i cili varet nga Ministria e Drejtësisë dhe pa përfaqësuar denjësisht anëtarët e tij nuk ka humbur shansin t’i turpërojë dhe t’i përçajë ata apo Instituti i lartëpërmendur por, veçanërisht do doja të ndalesha tek Qendra për Rehabilitimin e Traumës dhe Torturës e cila s’ka bërë as edhe një gjë për rehabilitimin e personave që kanë qenë në burgje dhe internime. Kam vetëm nja dy broshura në shtëpi, të botuara me financim të ndërkombëtarëve e që janë artikuj (ndoshta dhe thjesht të përkthyer) pa kurrëfarë vlere KONKRETE për këtë shtresë. Kam patur fatin të takoj e të bisedoj me shumë ish të persekutuar dhe më rezulton që kanë nevojë për psiokologë dhe trajtim psiko-emocional për shkak të traumave pësuar gjatë viteve të vuajtjeve. Ata vuajnë nga makthet dhe pagjumësia e deri në rastet më të vështira, ku shumë prej tyre kanë humbur ekuilibrin mendor apo kanë kryer vetëvrasje. Çfarë është bërë për ta?! ASGJË! Në të kundërt të veteranëve që shtohen çdo vit e duket se s’vdesin kurrë (do jetë veti e shpirtit komunist!), të përndjekurit politik të diktaturës komuniste, ata, ata po vdesin çdo ditë... 
Për dosjet është folur e vazhdohet të flitet pafund. Shoh dhe se hapja e dosjeve, lustracioni dhe vënia e drejtësisë në vend nuk shihet si çështje thelbësisht e rëndësishme për vetëdijen e shoqërisë shqiptare, në nderim të atyre që padrejtësisht kanë humbur jetën dhe atyre pak që ende janë gjallë, në emër të brezave që do të vijnë që t’mos jemi një komb me kujtesë të deformuar apo në skenarin më të keq të mundshëm, pa kujtesë fare. Por shoh që shoqëria civile është shumë e shqetësuar për integrimin europian, për Europën. Kjo është e neveritshme dhe patetike! Për të ardhur keq, shumë keq! Në thelb është edhe kjo trashëgimi e komunizmit ku, aman mos marrin vesh fqinjët se spiunojnë, pra ta bëjmë për të tjerët, vetë le t’na marrë lumi! Edhe pse duhet të rikujtoj se po të mos ishte për presionin që ushtruan disa europarlamentarë, gjerman veçnërisht, qeveria shqiptare s’do kishte ngritur një institut fiktiv si ai që ka marrë përsipër zbardhjen e krimeve apo për mënyrën sesi nuk janë dëmshpërblyer apo sesi nuk ka kaluar në parlament ligji për lustracionin plotë tri herë.
Nëse do duhet që patjetër të artikuloj një përfundim të këtij shkrimi s’jam fort e sigurt a mund ta bëj me pika, pastër, bukur  dhe pa tepri por ama, jam e sigurt për diçka: nuk ka patur deri më sot dhe as nuk do ketë një pastrim të vërtetë shpirtëror të shoqërisë shqiptare, as hapje dosjesh, as lustracion dhe as drejtësi para ligjit për sa kohë individë të lindur e brumosur në komunizëm nuk heqin dorë një herë e përgjithmonë nga gësnjeshtrat, të bëhen BURRA e të dalin haptazi e publikisht me mea culpa-n e tyre ose të tërhiqen MENJËHERË nga detyra e avokatit të Djallit që është edhe më e dëmshme dhe më ofenduese për të gjithë ata që dhanë shpirt në tortura e akuza absurde, të gjithë ata që janë zhytur e varrosur të gjallë në këneta, gjithë ata që e ndërtuan me duart e tyre Shqipërinë dhe pa turp konsideroheshin armiq të popullit!
O dorëzoni “armët” ose qepeni gojën njëherë e përgjithmonë!
Detyrën, unë mendoj në mënyrë organike do e bëj një brez i ri, si unë dhe si shumë miq të mi të lindur në vitet ’80 e pas të cilët VËRTETË e kanë përzemër kujtimin e gjyshërve që s’i njohën kurrë apo të baballarëve që fatmirësisht janë ende gjallë për të rrëfyer, të cilët nuk mund të akuzohen si bashkëpunëtorë e që janë të papërlyer në afera pushtetarësh.

Wednesday, December 4, 2013

Letrat e dashurisë së Rilkes


“Tanimë vij tek ty përplot të ardhme. Dhe prej zakonit ne nisim të jetojmë të kaluarën.”

Salomé dhe Rilke (1897) në ballkonin e shtëpisë së pushimeve të familjes Andreas, pranë Mynihut.
Nga e majta në të djathtë: Profesor Andreas (bashkëshorti i 
Salomé), August Endell, Rilke dhe Salomé. 

Marrëdhënia, nisi  nga një lidhje më shumë se familjare tek një dashnor i thekur, atëherë Rikle 21-vjeçar takoi një grua të martuar 36-vjeçare të quajtur Salomé, Rilkja, duke përmbytur objektin e dëshirës së tij me deklarata romantike, u përball me refuzime të njëpasnjëshme, refuzim i shprehur nga Salomé se dëshironte “që ai të zhdukej fare.” Por dashuria e Rilkes nuk u zbraps dhe ata patën një marrëdhënie pasioni e cila, gjatë tridhjetë e pesë viteve të korrespondencës së tyre, e shohim të ndryshojë formë e ata të shndërrohen nga miq në mentorë, nga protégé në dashnorë dhe në aleatë letrarë — një kaleidoskop dashurie që rrezaton përmes romantizmit, platonizmit, krijimtarisë, shpirtërores dhe intelektuales dhe gjithçka në mes e përtej.

Në një letër që daton më 13 maj, 1897, thuajse në fillim të marrëdhënies, Rilke shkruan:

“E sheh, zonjë e hijshme, përmes the unsparing severity, përmes forcës së pakompromis të fjalëve të tua, ndjeva se vepra ime po bekohej, po miratohej. Isha ai, ëndrrat e mëdha të të cilit, me gjithë të mirat e këqiat, po bëheshin realitet; eseja juaj për poezitë e mia ishte si një ëndërr, përmbushja e një dëshire.
[…]
E ndjej gjithnjë: kur dikush është në borxh me dikë për diçka të veçantë, borxhi duhet të mbetet sekret vetëm mes të dyve.”

Më 31 maj dhe 1 qeshor, 1897, Rilkja dhe Salomé bënë një udhëtim të shkurtër në një fshat të vogël në jug të Mynihut dhe gjatë atij udhëtimi ata u bënë dashnorë. Në një letër që daton 3 qeshor, Rilkja shkruan:

“Këngë përmallimi!
Dhe ata do t’i lexojnë letrat e mia, siç kanë bërë  gjithmonë, ndonjëherë zëlart e ndonjëherë fshehtësisht aq sa vetëm ti mund t’ dëgjosh… Por ato do t’jenë ndryshe gjithashtu, ndryshe nga ç’kanë qenë, këto këngë. Dhe pse jam kthyer e kam gjetur përmallim përkrah meje, pashë në sytë e saj dhe ajo tani më prin me një dorë të fortë.”

Në një letër të gjatë që daton 6 korrik, 1898:

“Tanimë vij tek ty përplot të ardhme. Dhe prej zakonit ne nisim të jetojmë të kaluarën.”

________________________________________
Rainer Maria Rilke 4 dhjetor 1875 – 29 dhjetor 1926.

Lou Andreas-Salomé (lindur si Louise von Salomé apo Luíza Gustavovna Salomé më 12 shkurt 1861 – 5 shkurt 1937) ishte një shkrimtare dhe psikoanaliste ruse. Interesat e saj të shumtë intelektualë e njohën me mendimtarët më në zë duke përfshirë Nietzsche-n, Freud-n, dhe Rilke-n. Ajo njihet ndryshe si “muza e artistëve evropianë të fin-de-siècle”.



Përzgjodhi dhe përktheu: Milly Bloom

Thursday, November 7, 2013

Jo shqiptar JO!!!

Është e frikshme në shumë, tejmase shumë nivele qenësia jonë si popull.

Shoh kaq pak njerëz të angazhuar, në fakt duhet të thoja të tmerruar ose të paktën të vendosur por jo, janë thjesht si gjithmonë indiferentë me fatin e jetëve të tyre. Si gjithmonë...! Kam përshtypjen se kështu kemi qenë që në krye të herës. S’duhet të kemi patur asht të fortë për derisa kanë bërë me ne për më shumë se 500 e kusur vjet ç’të deshin të huaj e tanët duke na vrarë e prerë dhe ne, gjithnjë me një përulje të frikshme ndaj çdo kanosjeje. Me një kompleks inferioriteti e me tendenca të forta mazokiste, të rrënjosur në thelbin tonë, mund ta shohësh sesi guxojnë dhe e justifikojnë një nga katastrofat më të mëdha që mund t’i ndodhë vendit tonë prej duarve tona. Shoh se si ka më shumë reagim për 10 pemë tek Namazgjaja sesa për armët kimike. Shoh sesi ka më shumë reagim për martesat gay sesa për armët kimike. Epo të dashur bashkëkombas hipokritë as do martoheni e as do keni oksigjen shumë, shumë shpejt!

Ku janë trima shqiptarët? Në shtëpi? Me gratë dhe fëmijët?
Ku e duan Shqipnin shqiptarët në stadiume duke sharë euforikisht nga nëna e motra?
Jo shqiptar, jo!
Ta dush Shqipnin do të thotë një herë të vetme të jemi të gjithë bashkë për diçka që s’ka lidhje me parti e legena pushtetarë, që s’ka lidhje me sa klasë shkollë ke apo ku e ke lagjjen. Që s’ka lidhje sa vjet ke ti n’Tiron e kur ke ardh ti tjetri.

Ka lidhje vetëm, eksluzivisht vetëm me një gjë dhe ajo është JETA!

Si ka mundësi që s’e kuptojnë së pari, hipokrizinë e tmerrshme që po ndodh para syve tanë! Vendimi i parë që mori Këshilli i Ministrave në shtator 2013 ishte pikërisht ndalimi i importimit të mbetjeve të riciklueshme në Shqipni, se medemek e dun fort! Dhe tani çfarë? Për një haraç disa milionë euro dhe për hir të egocentrizmit frenetik të kryemisnitrit a të gjithë soj e sorollopit të tij, për të qenë dhe këta njëherë “vendimmarrës” në planet, t’na bëjnë ne gjëmën?!

Si mundeni njerëz të flini të qetë, të hani të pini, të bëni dashuri të rrisni ato kalamoj e të pretendoni të keni jetë “normale” kur shumë shpejt, fare pranë Tiranës do ketë armë kimike të cilat s’po i pranojnë Sh.B.A-ja, Rusia, Franca, Gjermania, Norvegjia e kush dreqi e di sa të tjera dhe i marrim NE? Pikërisht ne që s’lidhim dot brekët tona? Ne që krahasimisht me milionat e km2 që ka Rusia, ai 28 mijshi jonë është krejt qesharak?
Nuk ju dhimbset jeta juaj? Nuk ju dhimbsen fëmijët? Nuk ju dhimbset Shqipnia që e krijoi Zoti e po ia marrim shpirtin ne?


NESËR ora 13:00 PËRBALLË KRYEMINISTRISË PËR T'I THËNË JO ARMËVE KIMIKE NË SHQIPNI! 





Milli B.


Këtë do mbajmë shumë shpejt në Shqipni

Saturday, November 2, 2013

Ka një numër që do t'na bëjë të themi BOLL MË?!




U bënë ditë që kam patur ndërmend të ulem të shkruaj diçka për këtë çështje por sot, sapo pashë lajmin që një tjetër hero mbi dy rrota humbi jetën në bulevardin kryesor të kryeqytetit tonë ndjeva një trishtim të pamatë ... Sapo pashë foto nga pedalimin për nder të viktimës së rradhës mu në mes të Tiranës, përballë ish-Hotel Dajtit, të organizuar nga Eco Bycycle Shop.

Një javë më parë im vëlla u aksidentua në njërën prej rrugëve më të populluara të Tiranës por fatmirësisht doli prej aksidentit vetëm me disa fraktura. Çdo ditë nëse sheh lajmet dikush, diku në rrugët e vendit tonë aksidentohet. Këmbësor, motorrist a përdorues biçikletash ç'rëndësi ka. Dje ai, sot unë, nesër ju ... Çdo ditë, duke pedaluar dhe vetë prej gati 4 vjetësh (që prej fëmijërisë por atëherë ishte ndryshe, se helebete 10 makina kishte gjithsej) shoh se si çdo sekond që jam në rrugë jam e rrezikuar. Sa shpejt harruan shqiptarët kohën kur biçikleta ishte mjet, qejf, shoqëri, aktivitet fizik. Sa shpejt harruan se ishim aq të varfër (dhe shumica ende janë) sa më s'bëhej. Sa shpejt harruan respektin, për këta katër rrotakë miliona lekësh. Sa shpejt harrojnë se edhe prindërit e tyre, edhe të afërmit e ndoshta dhe fëmijët e tyre kalojnë në këto rrugë dhe mund të aksidentohen nga një tjetër shofer idiot! 

Oh, dhe ditët më të këqia, ato më skizofrenet janë ditët me shi! A mundet t'i thotë dikush shoferëve shqiptarë që po të jesh brenda në makinë me bythën butë në sedilje nga shiu, nuk lagesh, ndaj respekto ata që po presin semaforin e jo t'u hedhësh një grusht uj kanalesh me gomat e tua, ndaj respekto ata që pedalojnë e janë lagur deri në asht! Ti, i/e dashur shqiptar/e mos harro, nuk ke lindur me makinë në bythë! Prit, ndal, merr frymë e respekto se të gjithë në një vend do shkojmë e ca, kanë qëlluar t'mos e kenë me të "shpejtë" si ju.

Dhe m'u kujtua diçka tjetër! Për mendimin tim, me aq sa jam rrugëve në trafik, dhjetra e dhjetra situata, shoferEt janë specia më e rrezikshme! Po, po! Femër jam vetë dhe këtë e them pa doreza fare. I lëmë mënjanë pallavra seksi i dobët, barazia gjinore e leshit! Femrat në timon janë të rrezikshme dhe PIKË! Ose frikacake të mëdha me 20cm taka (që është totalisht e palejueshme mesa di, . E dashur! nqs je 1.50m, lëre më mirë X5 bëji nder dhjetra jetëve!). I shoh që kanë karakteristika mashkullore në ekstrem. I sheh të kamufluara pas syzeve, me celularë në dorë ndërkohë që ngasin, me thonjë më të gjata se ato vetë dhe mbi të gjitha duke ofenduar me një fjalor të denjë për shoferat e kamionëve! Kjo s'është aspak femërore, kjo s'ju bën aspak nder. Dhe për më tepër, arrogante, pordhace dhe frikacake siç janë nuk respektojnë, nuk hapin rrugë madje në atë budallallëkun e tyre të prishin punë.
Shoh çdo ditë njerëz të frustruar në makina, shoh njerëz me ankth, mërzi e mllef. Shajnë, turfullojnë, shtypin burinë mesa fuqi kanë, shahen reciprokisht e shtypin gazin me sa forcë të munden. Ç'lloj shoqërie është kjo e sotmja? Ku vallë mësuan shqiptarët të ngasin makinat kaq keq? Si nuk i vret ndërgjegjja për këtë? 
Dakord, kjo ndoshta nuk është puna e gjithësecilit prej nesh por e keqfunksionimit ose e mosfunksionimit të shtetit. Por ajo që na takon të gjithëve është siguria e jetës sonë. Dhe është gjëja e fundit që mund të kesh të sigurtë në rrugët e Shqipnis.

Ndoshta ajo që s'e dinë por që duhet t'i hapin sytë e t'i bëjnë katër është fakti se: dy anët e bulevardit "Dëshmorët e Kombit", nga sheshi "Nënë Tereza" deri tek Stacioni i Trenit është e sinjalizuar si vendkalim biçikletash. Për mendimin tim është sa absurd aq edhe shumë i rrezikshëm. Vendkalimi i biçikletave është gjith e gjithë 1 metër dhe qëndron fiks pas vendparkimit të makinave. Pra, ne jemi së pari të rrezikuar nga makinat që na vijnë respektivisht nga e majta ose e djathta jonë, jemi të rrezikuar nga ata që parkojnë apo duan të dalin nga parkimi, nga ata që dalin nga makina pa parë në pasqyrë më parë dhe sigurisht, si munden vallë të mungojnë parkimet dyshe?! E pra ai, është vendi më skandaloz për pedalim!
Një tjetër zgjidhje "gjeniale" fare është dhënë prej kohës së Ramës si bashkiak i Tiranës. Mund të ndajmë atë 1 metër trotuar me këmbësorët, koshat e plehrave, stolat dhe pemët përgjatë dy anëve të Lanës. Jam kurioze kujt i ka ardhur ndër mend kjo ide dhe mbi të gjitha a e ka provuar ta bëjë vetë këtë shfaqje cirku? Çdo ditë? Duket aq tmerrësisht tallëse!!!
Më pas një tjetër mundësi për ne është pedalimi në anën e djathtë të çdo rruge, sigurisht në drejtim me trafikun por ama duhet ta provosh që të besosh se hyn në një nga sportet ekstreme.

Dhe, duke qenë se jemi vendi i paradokseve dua të ndaj dhe diçka tjetër që shumë prej jush e dinë por mua ende më duket absurde të paktën mos gjetja e një zgjidhjeje për këtë. Prej gati 2 vitesh ka një dhe VETËM një ligj të qarkullimit rrugor që ÇUDITËRISHT po respektohet ende sot. Dhe ai është ndalimi i qarkullimit të biçikletave në parkun e vetëm kombëtar që ka qyteti i Tiranës, atë të Liqenit Artificial. Me vetëdije e them se pati një kohë të shkurtër ku disa të rinj e të reja të papërgjegjshme, nën euforinë e biçikletave me qira u  kthyen një lloj bezdie e në mos rreziku në rruginat e parkut duke pedaluar shkujdesur por kjo. Kjo është si të thuash të "digjet i njomi me të thatin".
Dua të them vendos gjoba, vendos rregull, vendos një orar (!) sepse ne që pedalojmë kemi po aq të drejta sa këmbësorët dhe ndoshta shumë më shumë sesa shoferët të dalim shëtitje me biçikletat tona e të shijojmë të VETMEN hapësirë të gjelbër, të vetmin park që ka Tirana.
Zgjidhje ende nuk ka. Thuuuuhet se do bëhen disa rrugëkalime të reja vetëm për biçikletat por javët bëhen muaj e sigurisht kjo është gjëja e fundit që u intereson shtetarëve tanë.
S'e di si do zgjidhet, ose më sakët në do zgjidhet ndonjëherë qarkullimi rrugor dhe respektimi i tij në Shqipni. Ndoshta asnjëherë. Ne jemi gjithmonë me parimin kalova lumin të dhjefsha kalin. Të ndodh ty po unë kris e iki që mos shkoj në burg për ty! Ja, kjo është Shqipnia... 

Milli Bloom

Friday, November 1, 2013

Ata që i thanë jo Alice Munro-s

Alice Munro, who was awarded the 2013 Nobel prize for being a "master of the contemporary short story," was originally rejected for choosing short fiction for her art. (Paul Hawthorne / Associated Press /May 26, 2009)



Shkrimtarja kanadeze Alice Munro nuk ishte e re dhe tërheqëse mjaftueshëm. Të paktën jo në sytë e botuesve të Alfred A. Knopf të cilët refuzuan ënveprën e saj 1960- dhe në '70-tat.
“Nuk ka dyshim se zonja di të shkruajë por është po ashtu e qartë se ajo shkruan kryesisht tregime” shkruante më 1971, botuesja e Knopf, Judith Jones.
Në fillim të këtij muaji (tetor), Munro-ja fitoi çimimin Nobel në Letërsi.
Këtë javë, Qendra Harry Ransom, një arkiv dhe bibliotekë në Universitetin e Austin-it, Teksas, i tregoi letrat e refuzimeve të Munro-s, një reporteri të Daily Texan.
Qendra Ransom posedon një numër të madh letrash refuzimi si pjesë e Arkivit Alfred A. Knopf, duke përfshirë një letrën e refuzimit të librit të parë me tregime të Munro-s dhe  një mbi ciklin e saj me tregime të shkurtra “Jetë grash dhe vajzash”, një libër që vazhdimisht gabimisht i referohen si roman.
“Unë mendoj [se koleksioni] rrëfen se çfarë vështirësish ka patur ajo në zhanrin në të cilin shkruan,” tha Jean Cannon, koleksionist letrar, studiues që Qendrën Ransom, për Daily Texan. “Për mua është e jashtëzakonshme që ajo i qëndroi të sajës dhe nuk iu dorëzua presionit për të shkruar një roman.”
Munro, 82 vjeç, shkruan më shpesh për jetët e grave dhe familjeve në qytete të trilluara kanadeze që shëmbëllejnë me Ontarion rurale në të cilën ajo u rrit. Profesori Brian Doherty shqyrtoi letrat dhe i tha Daily Texan se ishte e qartë që botuesit e Knopf-it e pëlqenin veprën e Munro-s por nuk u dukej fitimprurëse.
“Është dëshpëruese kur sheh se sa shumë shkrimtarë marrin në konsideratë të ndryshojnë qasjen e tyre ndaj të shkruarit dhe qasjen e tyre ndaj letërsisë në mënyrë që të shiten,”  tha Doherty.
Sigurisht, Munro nuk është e vetmja fituese Nobeli që është refuzuar herët në karrierën e saj. Muajin e shkuar janë botuar fragmente nga letrat e refuzimit të tri fituesve të çmimit Nobel - William Faulkner, Ernest Hemingway dhe Isaac Bashevis Singer – në katalogun online Thought Catalog me titullin e artikullit “14 Letrat e Refuzimeve të Artistëve të Njohur”.
Ka të tjera refuzime nga Knopf, duke përfshirë një drejtuar Vladimir Nabokovit dhe një tjetër ndja Jack Kerouac-ut. Duke refuzuar “Në Rrugë” të Kerouac-ut, botuesi i Knopf-it, shkruan: “Ky është një talent i udhëzuar keq ... ky roman me zvarritje të madhe dhe jobindës me siguri do të shitet fare pak dhe dhe do të ketë komente të hidhura nga çdo anë.”

“Në Rrugë” u shit më shumë se 4 milionë kopje në Sh.B.A. që prej botimit të tij më 1957.


Hector Tobar për Los Angeles Times
30 tetor 2013


Përktheu dhe rekomandoi: Milli Bloom

Tuesday, October 29, 2013

11 fjalë të papërkthyeshme nga kulturat e tjera


Marrëdhënia mes fjalëve dhe kuptimit të tyre është mjaft tërheqëse dhe gjuhëtarët kanë kaluar vite të panumërta duke u përpjekur ta shkodojnë atë, duke hequr gërmë pas gërme dhe duke u përpjekur të zbulojnë pse ka kaq shumë ndjenja dhe ide të cilat nuk mund t’i veshim me fjalë she se gjuhët tona nuk mund t’i identifikojnë.
Për idenë se fjalët nuk mund gjithmonë të thonë gjithçka është shkruar gjerësisht, siç ka thënë dhe Friedrich Nietzsche, "Fjalët s’janë veçse simbole për marrëdhëniet e gjërave me njëra-tjetrën dhe me ne; nuk prekin aspak të vërtetën absolute."
Një nga librat më interesantë të shkruar mbi temën është Through The Language Glass (Nëpërmjet xhamit të gjuhës) së Guy Deutscher-it, i cili përshkon një rrugë të gjatë duke shpjeguar dhe kuptuar këto boshllëqe, hapësira, të cilat nënkuptojnë fjalë të lëna pa u përkthyer dhe koncepte që nuk mund të shpjegohen plotësisht përmes kulturave.
Për ta sjellë dorësh disi, kemi 11 shembuj të mrekullueshëm papërkthyeshmërie, e paksa fjalësh bishtnuese.


1 | Gjermanisht: Waldeinsamkeit

Një ndjenjë vetmie, të qenurit vetëm në pyje dhe lidhja me natyrën. Madje Ralph Waldo Emerson ka shkruar një poezi për këtë.




2 | Italisht: Culaccino

Shenja që lë një gotë e ftohtë në tavolinë. Kujt ia merrte mendja që kondensimi do tingëllonte kaq poetik?



3 | Inuitët: Iktsuarpok

Ndjenja e parashikimit që të çon të dalësh jashtë të shohësh nëse dikush është duke ardhur dhe ndoshta, tregon gjithashtu një elemten padurimi.




4 | Japonisht: Komorebi

Kjo është fjala që japonezët kanë kur rrezet e diellit depërtojnë përmes pemëve, bashkëveprimi mes rrezeve dhe gjetheve.


5 | Rusisht: Pochemuchka

Dikush që bën shumë pyetje. Në të vërtetë, shumë pyetje. Të gjithë e njohim një të tillë.



6 | Spanjisht: Sobremesa

Spanjollët anojnë kah të qenit të shoqërueshëm dhe kjo fjalë përshkruan kohën pas një vakti kur bëni biseda mbi ushqimin me ata të cilët sapo keni konsumuar një vakt.


7 | Indonezisht: Jayus

Zhargon për dikë që nuk tregon bukur shaka dhe se është aq jo për të qeshur saqë s’mundet veçse të qeshni me të madhe.


8 | Hauajanase: Pana Poo

Kur e di se ke harruar ku i ke lënë çelësat dhe kruan kokën sepse disi të ndihmon të kujtohesh? Kjo është fjala për të.


9 | Frengjisht: Dépaysement

Ndjenja që vjen prej t’mos qenit në atdheun mëmë, të qenit një i huaj apo një emigrant, të qenit i zhvendosur prej origjinës suaj.


10 | Urdu: Goya

Urdu është gjuha kombëtare e Pakistanit por gjithashtu është gjuha zyrtare e 5 shteteve Indiane. Kjo fjalë e veçantë Urdu përçon një ëndërrim 'po sikur' që megjithatë përngjan si e vërtetë dhe përshkruan një  suspansë mosbesimi që mund të ndodhë, shpesh gjatë një rrëfimi të mirë.


11 | Suedisht: Mångata

Fjala për reflektimin vezëllues që krijon hëna mbi ujë. Fjala e papërkthyeshme mångata.


Rekomandoi dhe përktheu: Milli Bloom


Artikullin origjinal e gjeni këtu.

Monday, October 28, 2013

Kisha e shek.XV e shndërruar në librari

Kisha Broerenkerk në qytetin Hollandez, Zwolle, ka qenë pjesë e një manastiri Domenikan të themeluar më 1465. Manastiri u mbyll më 1580 dhe murgjit u dëbuan. Prej 1640-ës deri më 1982-in, kisha është përdorur për shërbesa Protestante. Pas një restaurimi në vitet 1983-1988 është përdorur për ngjarje kulturore. Kisha Broerenkerk që tashmë quhet Waanders In der Broeren, është shndërruar në librari prej firmës arkitekturore hollandeze BK Architecten. Libraria, e cila hapi dyert për publikun në korrik të 2013, përfshin një dyqan, një biznes kateringu dhe një hapësirë ekspozitash. Sfida më e madhe për arkitektët ishte të shtonin rreth 700 metra katrorë sipërfaqe për dyqanin dhe njëkohësisht të ruanin tiparet arkitekturore si lartësia, akset e gjata, harqet e larta,  vetratat e pamata, pikturat në tavan si dhe organon të cilat, përbënin vlerën historike të kësaj strukture.

“Qëllimi ynë ishte të mbanim gjallë ndjesinë e parë historike edhe pse me gjithë metrat shtesë së dyshemesë. Kështu që ne donim që të gjitha shtesat e bëra në kishë të ishin të matura karshi kishës, modeste.” 

Në vend të shtonin tri kate në kishë, këto dysheme u vendosën anash, mes shtyllave origjinale të saj. Kështu që, në të ardhmen, dyshemetë e ndërtuara mund të hiqen pa dëmtuar ndërtesën. Aksi qendror u mbajt i paprekur, në mënyrë që kushdo të ndjejë hapësirën e pamatë. Në njërën anë aksi është një vetratë e përkohshme krijuar prej artistit norvegjez Kjell Nupen, duke i shtuar një dorë ngjyrash të forta ndërkohë që në anën tjetër është një organo e rinovuar – të dyja ndihmojnë në ngacmimin e klientëve për të parë krejt gjatësinë e kishës Broerenkerk. Arkitektët përdorën një paletë me ngjyra neutrale e cila plotësonte nuancën e ngrohtë të kishës dhe gjithashtu ndihmoi për të theksuar librat dhe produktet. Dizenjo e moblijeve, sërish shumë e matur, e detajuar mir dhe pjesa më e madhe e bërë prej druri u frymëzua nga punët e arkitektit hollandez Dom Hans van der Laan, i cili gjithashtu ka qenë një prift dhe ka krijuar për manastire të ndryshme. Arkitektët e BK Architecten, thjesht u munduan të përkthenin mënyrën e tij të të krijuarit në krijimin që i përshtatej më mirë arritjes së objektivit.

Rekomandoi dhe përktheu: Milli B.